Dardani i javës: Muriqi lë krizën anash, paraqitjet e tij dëshmi e rikthimit gradual të formës
Nuk mund të thuhet ende që Vedat Muriqi është kthyer në formën e tij optimale. Mirëpo shenjat janë të kristalta. Golat janë dëshmi se ai është në rrugën e duhur për ta rimarrë veten.
Nëse Vedat Muriqi akoma po bën përpjekjet e tij për ta rikthyer shkëlqimin e dikurshëm, atë çfarë ishte në gjendje ta vinte në pah në fushë gjatë kohës sa luante në futbollin turk - për ambientin e klubit ishullor spanjoll, Mallorca, edhe ajo çfarë po bën deri më tani është më se e mjaftueshme.
Për Vedat Muriqin ishin dy vite të vështira. Po aq e ndërlikuar ishte edhe vera e sivjeme, ku hasi në vështirësi të madhe që ta gjente një klub të ri. Mjafton të kujtohet mënyra se si rodhën gjërat me Club Brugges dhe si u kumtua dështimi i transferimit, me pretekstin e mos-kalimit të testeve mjekësore.
Sidoqoftë, në fund në sipërfaqe doli sërish Mallorca, skuadër tek e cila ishte i huazuar deri në gjysmën e dytë të sezonit paraprak. Kësisoj, Muriqi iu rikthye edhe golave dhe paraqitjeve të mira.
Vedat Muriqi sërish "dardani" me paraqitjen më të të mirë të javës
Sa i përket futbollistëve të Kombëtares së Kosovës, disa po kalojnë në krizë të thellë, kurse disa të tjerë janë në një gjendje të ngrirë, ku kanë mbetur pjesë e disa ekipeve pa peshë. Në sinkroni me nivelin e skuadrave ku aktivizohen, kanë qenë edhe paraqitjet e tyre në masë të madhe, përjashto ndonjë shembull aty-këtu.
Vedat Muriqi ishte ai që ra më së shumti në sy me paraqitjen e tij dhe golin që shënoi në fitoren e Mallorcas në udhëtim me rezultat 0:2 kundër Rayo Vallecano.
Sulmuesi 28-vjeç kosovar luajti për 87 minuta, por goli që shënoi në minutën e 13-të kishte një peshë të rëndësishme në rezultatin përfundimtar.
Harkimi me kokë tejet i butë nga Rodriguez, u konkretizua me një goditje shumë të saktë dhe të bukur nga sulmuesi prizrenas.
Paraqitje e mirë përtej golit të shënuar
Jo vetëm pse shënoi golin që theu akullin e ndeshjes, por Muriqi ishte shumë bashkëpunues edhe me lojtarët tjerë. Ai krijoi tri raste për shënim, duke bërë edhe pesë goditje, ku dy ishin në kornizë të portës.
Edhe në rastin e rikuperimit të topave në mbrojtjen kundërshtare, Muriqi u tregua edhe një herë si një futbollist që nuk përton aspak të sakrifikohet për skuadrën e tij - duke i fituar të gjitha duelet.
Mbizotërues ishte edhe në duelet në ajër, duke fituar shumë nga to, tërësisht pesë sosh. Me topin në pronësi, sulmuesi dardan ishte pjesë direkte në 60 ndërtime të aksioneve që bëri Mallorca, ku 52% e tyre ishin efikase.
Ndër të tjera, Muriqi me golin që shënoi gjatë fundjavës, shkoi në kuotën e dy golave të shënuar në tri ndeshjet e para. Një bilanc shumë i mirë, marrë parasysh se ende është vetëm fillimi i kampionatit dhe ai e ka nisur edicionin e ri si protagonist, duke dëfryer tifozët e Mallorcas pafundësisht.

