Dardani i javës: Vedat Muriqi gjen golin e parë në javën e dytë
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ishte pa dyshim kosovari që shkëlqeu më shumë se të tjerët në Evropë dhe në botë gjatë fundjavës së fundit.
Nacionale në baza javore përcjell me vëmendje angazhimin dhe kontributin e futbollistëve kosovarë që veprojnë nëpër Evropë dhe botë, për të shpallur të hënave atë që spikati më shumë se të tjerët.
Muriqi e filloi, edhe pse goli erdhi në javën e dytë, mirë këtë fushatë, derisa realizoi kundër Real Betisit golin e parë në La Liga për këtë edicion.
Ai u gjend për mrekulli në zonën kundërshtare, derisa u shkëput për ta 'ngulitur' në rrjetë topin, pas një krosimi brilant në zonë nga Lee Kang-In, në minutën e 56.
Ky gol sigurisht se do të shërbejë si motiv shtesë për Muriqin, i cili i dha fund fushatën e kaluar një sezoni me pesë gola dhe tre asistime në 16 ndeshje në pjesën e dytë të sezonit.
Muriqi ishte shumë afër të kalonte te Club Brugge, ku dështoi të zyrtarizohej vetëm pse nuk arriti të kryente me sukses testet mjekësore, ose të paktën ashtu u arsyetua klubi belg, derisa thuhej se po mundohej të ulte vlerën e lojtarit.
Ish-sulmuesi i Lirisë së Prizrenit është lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit të Mallorcas, derisa kartoni i tij do t'i kushtojë spanjollëve plot 10 milionë euro.
Madje, ai ka lënë prapa edhe legjendën kameruanse, Samuel Eto'o.
Sidoqoftë, pas një periudhe tejet jo produktive dhe të errët te Lazio, ai duket se sërish e ka rigjetur veten, siç nënvizohet edhe nga vet emërimi i tij si dardani i javës.
Përndryshe, Muriqi ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij kundër Real Betisit edhe sipas uebsajtit gjigant të vlerësimeve 'Whoscored', e cila i ka dhënë notën prej 7.06 kosovarit.
Pas ndeshjes kundër Betisit, trajneri i Betisit ka folur rreth Muriqit dhe formës aktuale të tij, duke thënë:
"Ai nuk ishte pjesë e parasezonës. Ka deficit prej rreth 30 seancave stërvitore në raport me bashkëlojtarët dhe kjo vërehet. Jo për shkak të golit, por për shkak të asaj që bën.
"Ai mori përgjegjësinë për skuadrën, dhe posa të ndihet më mirë fizikisht, do të fillojë të na japë më shumë. Sot, në pjesën e parë, i kushtoi më shumë, edhe pse luajti më mirë se sa në Ibiza. Presim shumë nga ai".