Alain Giresse zotohet se s’do ta përsëritë gabimin e qershorit me listën, por s’tregon si do t'i zëvendësojë të lënduarit - NACIONALE

Alain Giresse zotohet se s’do ta përsëritë gabimin e qershorit me listën, por s’tregon si do t'i zëvendësojë të lënduarit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, është zotuar se nuk do ta përsëritë gabimin e qershorit me listën e lojtarëve të ftuar, megjithëse nuk ishte i qartë nëse dhe me kë do t’i zëvendësojë disa lojtarë kyçë të lënduar pak ditë para grumbullimit të ekipit kombëtar për ndeshjet e shtatorit.

Kosova do të përballet me Irlandën Veriore më 24 shtator në udhëtim dhe me Qipron tri ditë më vonë në Prishtinë në dy ndeshjet e fundit në grup në Ligën C të Ligës së Kombeve, raporton Nacionale.

Por Giresse nuk do të mundë të llogarisë në katër prej 27 lojtarëve të ftuar në listën fillestare, përfshirë dy mbrojtësit kyçë, Mërgim Vojvoda që u lëndua me Torinon dhe Leart Paqarada që u lëndua me klubin e tij St. Pauli.

Duke folur të martën në një konferencë për media, trajneri francez i verdhekaltërve i qau mungesa, pasi Shkëlqim Vladi i ftuar për herë të parë dhe Edon Zhegrova mungojnë po ashtu.

Sikurse herëve tjera, edhe kësaj radhe fatkeqësisht përballemi me mungesa shkaku i lëndimeve dhe shkaqeve të tjera. Është shqetësuese fakti se në fundjavë u lënduan disa lojtarë, por çfarë duhet të bëjmë ne është t’i zëvendësojmë ata sa më mirë me pjesën tjetër të lojtarëve që i kemi”, tha Giresse.

Giresse u zotua se nuk do ta përsëritë gabimin e grumbullimit të kaluar, kur nuk ftoi fare futbollistë për t’i zëvendësuar të lënduarit gjatë grumbullimit, gjë që i kushtoi Kosovës në fushë – duke thënë se ajo nuk do të ndodhë më.

Lista fillestare ka shkuar në 27 lojtarë, e cila u reduktua në 23 lojtarë shkaku i lëndimeve. Ajo që ndodhi në qershor ishte diçka e veçantë dhe shpresojmë që nuk do të përsëritet. Por do të shohim cila është mënyra më e mirë për t’i zëvendësuar këta dy lojtarë (Paqaradën dhe Vojvodën).”

Fillimisht duhet t’i shikojmë lojtarët e lënduar se në cilat pozita luajnë, ndoshta kjo është arsyeja pse nuk jap emra konkret. Zëvendësimi i Paqaradës është i vështirë, sepse kemi lojtarë me pak përvojë në këtë pozitë në ndeshje ndërkombëtare. Për mbrojtjen, meqë lojtarët kyçë u lënduan, ne u detyruam të ftojmë lojtarë që nuk e kanë përvojën e tyre,” nënvizoi ai.

I pyetur pse vendosi ta ftojë tani dhe jo më herët Paqaradën, i cili e kishte braktisur Kosovën në fillim të vitit të kaluar për shkak të trajnerit të atëhershëm Bernard Challandes, Giresse tha: “Kjo nuk është hera e vetme që kemi diskutuar me të, edhe pse herëve tjera nuk është ftuar unë kam biseduar me të. Siç e kemi bërë herën e fundit luajti në play-off me skuadrën e tij St. Pauli dhe pas këtyre ndeshjeve e kam kontaktuar menjëherë.

70-vjeçari foli edhe për punën e tij në sjelljen e lojtarëve të rinj në Kombëtare, duke u ankuar se shumë prej tyre nuk ua hapin as telefoni, si Mërgim Berisha.

“Nuk është e lehtë, çfarë mendoni ju çfarë bëjmë ne, natyrisht se i fitojmë lojtarët por mos mendoni që na e hapin dorën. Kurtulus ma dërgoi një mesazh, trajner e kam zgjedhur Suedinë dhe jam i lumtur. Në momentin që një lojtar ta mbyllë derën ne nuk merremi më me të, neve na interesojnë lojtarët që tregojnë dëshirë për të ardhur te ne. Nuk kemi mbërritur deri në atë pikë për të marrë një përgjigje po ose jo (nga Mërgim Berisha”, theksoi Giresse.

Giresse është kritikuar për mosftimin e lojtarëve të Superligës vendore, megjithëse në listën e re ai e fitoi Ilir Krasniqin e Llapit dhe dyshen e kampionit Ballkani, Lindon Emerllahu dhe Lumbardh Dellova,

Por mungesa e mbrojtësve anësorë ka rritur presionin ndaj tij për thirrjen e Armend Thaqit, i cili ka shkëlqyer në Ligën e Konferencës në Evropë dhe në Superligë me Ballkanin këtë sezon.

“Është shumë pozitiv fakti që Ballkani luan në Evropë dhe kjo kontribuon shumë në futbollin vendor dhe besoj që sukseset e ekipeve kosovare si Ballkani dhe Drita bën që ne të kemi lojtarë vendorë në listën e Kosovës. Padyshim sukseset e ekipeve vendore kanë bërë që futbolli vendor të jetë më cilësorë. Nga ky futboll kanë dalë lojtarë si Muriqi, Zhegrova, Rrahmani, Rashica”, tha ai.

“Padyshim lojtarët e rinj nuk i nënçmojnë. Ata nuk janë këtu vetëm për ta kompletuar listën. Për të luajtur ata varet se në çfarë rrethanash jemi gjatë lojës. Duhet ditur se në fazën në të cilën gjendemi dhe në ndeshje ndërkombëtare nuk ka më miqësore. Në të njëjtën kohë janë disa miqësore të cilat na ndihmojmë neve të luajmë me lojtarët e rinj dhe ta shohim nivelin e tyre për të ardhmen. Me lojtarët e rinj duhet të jemi të kujdesshëm, të cilët vijnë me moral të lartë dhe pastaj iu bie morali për shkak të rezultateve dhe ne jemi të kujdesshëm me ta”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme