Numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit: Kosova në ethet e verdiktit historik - NACIONALE

Numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit: Kosova në ethet e verdiktit historik

3 orë më parë

nga NACIONALE

Në sheshet e Prishtinës dhe në qendrat e të gjitha komunave të Kosovës, koha ka marrë tjetër dimension.

Vendosja e ekraneve gjigante digjitale me emërtimin simbolik “Ora e Pritjes” ka shënuar fillimin e një numërimi intensiv mbrapsht drejt datës 16 shtator, ditës kur Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë do të shpallin aktgjykimin përfundimtar të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Teksa Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon dënimin prej 45 vitesh burgim për secilin prej të pandehurve, shoqëria kosovare, spektri politik dhe mërgata shqiptare janë përfshirë nga një dallgë e pashembullt qytetar, e cila synon të dëshmojë se në Hagë nuk po gjykohen vetëm katër individë, por vetë legjitimiteti i luftës çlirimtare.

“Kosova po pret” dhe thirrja për “Marshin për Liri” më 12 shtator

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka ndërmarrë nismën kombëtare “Kosova po pret”, duke kanalizuar reagimin qytetar në një varg aktivitetesh ndërgjegjësuese.

Përfaqësuesit e saj kanë bërë të ditur se më 12 shtator, në orën 14:00, nga Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë do të nisë “Marshi për Liri”, manifestim masiv paqedashës vetëm pak ditë përpara leximit të verdiktit në Holandë.

Kalendari i veprimeve përfshin gjithashtu “Netët e Lirisë” - tubime përkujtimore rreth zjarreve simbolike në shtatë zonat operative të dikurshme të UÇK-së - si dhe ngritjen e flamujve kombëtarë e të emblemës së UÇK-së në çdo cep të vendit.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe partive politike që të marshojnë të bashkuar, duke lënë mënjanë logot partiake dhe llogaritë elektorale, në emër të mbrojtjes së memories historike.

Zëri nga qelia: Qëndrimi i Hashim Thaçit në prag të vendimit

Jehonë bëri edhe deklarimi i fundit i ish-presidentit Hashim Thaçi drejtpërdrejt nga qendra e paraburgimit në Hagë për emisionin “Debat Plus".

Thaçi është shprehur i palëkundur në besimin e tij për pafajësi absolute.

“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtoj argumenteve bindëse të mbrojtjes dhe fjalës sime përfundimtare në sallë gjyqi. Ju i keni parë faktet dhe dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë dhe unë jam plotësisht i pafajshëm!”

Ai është shprehur më tej se procesi disavjeçar ka rrëzuar përfundimisht narrativën e fabrikimeve politike mbi të cilat u ngrit i gjithë pretendimi fillestar, duke shtuar me mallëngjim njerëzor: “Më ka marrë malli të jetoj i lirë në botën e lirë”.

I pyetur për votimin e vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, ish-kreu i shtetit deklaroi:

“Nuk jam pishman që kemi votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, sepse Kosova duhej të pastronte çdo pretendim të rremë që i vishej luftës sonë. Por, nuk do të besoja kurrë se vullneti institucional i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht përgjatë këtij procesi.”

Solidariteti politik, zëri i veteranëve dhe tubimi në Hagë

Thirrjes për mobilizim i janë bashkuar krerë politikë opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, përmes një adresimi publik u ka kërkuar qytetarëve pjesëmarrje masive në marshin e 12 shtatorit, duke e konsideruar këtë moment si përcaktues për të ardhmen dhe dinjitetin e Kosovës.

Deputeti dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar publikisht që pas kthimit nga Haga, Hashim Thaçit t'i vazhdohet mandati dhe të rizgjidhet President i Republikës së Kosovës.

“Është në nderin e kësaj legjislature, por edhe të çdo legjislature, që t'ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij, është nderi ynë si shqiptarë, si komb — jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politike, por si një kundërpërgjigje ndaj armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë." - tha ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga ana tjetër e cilësuam të gjithë procesin si një përpjekje të padrejtë për të barazuar agresorin me viktimën. Përfaqësuesit e veteranëve kanë paralajmëruar reagim të vazhdueshëm qytetar në rast të çfarëdo vendimi që synon kriminalizimin e rezistencës çlirimtare.

Përtej kufijve të Kosovës, mërgata shqiptare në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Austri dhe vende të tjera po koordinon udhëtimet drejt Holandës. Më 16 shtator, para ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë, pritet të mbahet një protestë e madhe në përkrahje të krerëve të UÇK-së, pikërisht në orët kur trupi gjykues do të shpallë vendimin.

Numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit e gjen Kosovën në një udhëkryq të madh historik.

Lajme të ngjashme