Afera e spiunit goran: spiunazhi serb i interesuar për ekstremistë islamikë - NACIONALE

Afera e spiunit goran: spiunazhi serb i interesuar për ekstremistë islamikë

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Brenda një viti, BIA (Bezbednosno-informativna agencija) shpenzoi para, përpjekje e resurse për të kontaktuar e rekrutuar elementë vahabistë në Kosovë. Me ndihmën e spiunëve vendës – të tillë si Hysri Selimi ‘Abuseadi’ nga Gjilani apo Fehim Saliu nga Dragashi – shërbimet e sigurisë në Beograd shprehnin interesim për t’i konvertuar këto qarqe radikale në asete të Serbisë. Sidoqoftë, afera me spiunin goran duket më e frikshmja, pasi i njejti me nënshkrim edhe të ish-presidentes Vjosa Osmani krijoi strofull të sigurtë në majat e shtetit. Operativi i BIA-s, Želimir Matović – Željko, e urdhëronte çfarë e tek të bënte. Miq të huaj të Kosovës, si Stephan Schwartz apo Egdūnas Račius, prej vitesh kanë tundur kambanat e alarmit sesi ekstremizmi fetar në Kosovë nxitet prej Beogradit

20 gusht 2026 – Infiltrimi i vahabizmit në Ballkan gëzon mbështetjen e Beogradit që ndjek një strategji të stilit rus në Kosovë, Sanxhak dhe Maqedoni.

Paralajmërimi i bërë dymbëdhjetë vjet më parë nga miku i madh i shqiptarëve, Stephen Schwartz, doli i vërtetë me aferën e spiunit, Fehim Sali.

I rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë të Serbisë, gorani 59-vjeçar nga fshati Kerstec në komunën e Dragashit përcillte në Beograd informacione mbi ekstremistë vahabistë.

Ideja e operativëve të inteligjencës serbe ishte që, duke u shërbyer me këto informacione, t’i kontaktonin e t’i rekrutonin.

Sipas AKI-së dhe Prokurorisë Speciale, Fehim Saliu ofronte “informacione të personave që i përkasin sektit vehabi dhe personave të tjerë, e të cilët më pas i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim”.

Duke i shërbyer ‘Zhelkos’ dhe BIA-s

Këto ishin vetëm disa nga shërbimet që spiuni Saliu ua ofronte eprorëve të tij nga inteligjenca serbe.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të cilën e ka siguruar gazeta NACIONALE, merret vesh se ai ndiqte me përpikëri udhëzimet e operativit të BIA-s, Zhelimir Matoviq.

Pas një raporti fillestar nga AKI-ja, Prokuroria Speciale nga qershori i vjetmë filloi hetimet ndaj të dyshuarit, duke përfshirë edhe zbatimin e masave hetimore.

“(…) i pandehuri Fehim Sali, me dashje dhe me qëllim të përfitimit material, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Republikës së Serbisë, i njohur si BIA, ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, i njohur me nofkën ‘Zheljko’”, thuhet në dosjen hetimore të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fotografi kazuale mes vartësit Fehim Sali dhe eprorit të tij në BIA, Želimir Matović - Željko

Në këtë fazë preliminare hetimesh kuptohen aspekte thelbësore të llojit të spiunazhit që i dyshuari goran kryente për hesap të inteligjencës në Beograd.

Në komunikimin e mbajtur me ‘Zheljkon’, Saliu ofronte të dhëna mbi gjendjen politike në Kosovë, identifikonte dhe fotografonte zyrtarë të AKI-së, ashtu sikurse edhe mbante komunikim me persona me ndikim në Serbi dhe Kosovë.

Veprimtaria e goranit nuk ndalej me kaq, pasi duke shfrytëzuar lidhjet e tij përpiqej të shfrytëzonte edhe pjesëtarët e pakicave etnike në Kosovë, të cilëve u ofronte udhëzime dhe orientime sesi duhej të vepronin.

Si ‘ndëshkohen’ spiunët sipas Kodit Penal?

Me veprime të tilla ku është cënuar rendi kushtetues dhe siguria kombëtare e Republikës së Kosovës, sipas Prokurorisë Speciale, Saliu ka konsumuar veprën penale ‘Spiunazh’.

Në dosje njashtu është përsaktësuar se, në fazën e tanishme të hetimeve, veprimet e tij hyjnë te vepra penale e spiunazhit siç stipulohet në paragrafët 3 dhe 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kështu, në paragrafin 3 të apostrofuar theksohet se kushdo që hyn në shërbim informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë vjet burim.

Po kështu, paragrafi pasues, saktëson se kushdo që mbledh të dhëna ose dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Pranë Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, në majat e shtetit

Por dosja e Prokurorisë Speciale ka lënë anash dimensione të tjera të argatit të BIA-s në Kosovë.

Mësimdhënës në shkollën fillore serbe ‘9 Maji’ në Rapçë, Fehim Saliut iu hap dera për të mbërritur gjer në majat e shtetit.

Më 2022, me nënshkrimin e ish-presidentes Vjosa Osmani, ai do të emërohej si anëtar i Këshillit Konsulativ për Komunitete në Presidencën e Kosovës.

I njejti, në tetor të po atij viti, ishte pritur me nderime edhe në zyrën e kryeministrit, Albin Kurti.

Kolegët nga mediumi ‘Vox Kosova’, së fundmi, kanë skicuar një përmbledhje mbi profilin tejet skandaloz të njeriut që depërtoi në majat e shtetit të Kosovës.

Si pjesëtar i komunitetit goran, Saliu binte në sy me qëndrimet e tij proserbe, zotimin e tij për të ruajtur institucionet e Serbisë në Kosovë, si dhe duke e njohur Ivica Daçiqin si kryeministër të Kosovës.

Megjithëse hiqej sikur kishte bela me Listën Serbe, spiuni tashmë kishte krijuar vendin e vet në institucionet më të larta në Kosovë, prej nga ku dyshohet se siguroi qasje në informacione konfidenciale.

Njësoj si afera me ‘Abusead Kosovën’

Afera e spiunit Fehim Sali përmban, në fakt, një histori fare të njohur.

Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA, akronim për Bezbednosno-informativna agencija) nuk po i rresht përpjekjet për të instrumentalizuar njerëz që asociohen me Islamin radikal në Kosovë.

Kjo u kuptua edhe nga rasti i spiunit tjetër të BIA-s, Hysri Selimi, që në qershor u dënua për të njejtën vepër penale me gjashtë vjet heqje lirie.

Me nofkën ‘Abusead Kosova’, vahabisti nga fshati Bresalc i Gjilanit ofroi për 16 vjet radhazi shërbime për llogari të BIA-s.

Nga bisedat e kapura me eprorin e tij Igor Babiq, që në shërbimin sekret serb mbante detyrën e shefit kundër terrorizmit, ‘Abuseadi’ përcillte gjithçka kërkonte BIA.

Emrat që i kërkoi BIA

Interesimi i inteligjencës serbe, nga ç’shihet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, kishte të bënte për ekstremistët islamikë, për qarke radikale, njerëz me ndikim brenda tyre, për mesxhide që veprojnë ilegalisht, ashtu sikurse edhe për qytetarë të Kosovës të mbetur në Siri.

Pas arrestimit nga Policia e Kosovës, ‘Abuseadi’ kishte treguar fije për pe sesi interesimi i BIA-s ishte zakonisht për persona të asociuar kryesisht me Islamin radikal.

Igori nga unë kërkonte gjithmonë emrat e hoxhallarëve të sektit vehabist, aktivitetin e tyre, rastin e djalit tim se me kë po shoqërohet, nga po financohen, duke pyetur se a po shoqërohen me grupe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Igori më shumë interesohej për vehabista, për hoxhallarët si Zeqirja Qazimi, Nagip Latifi, Llukmani nga Gjilani, Rexhep Memishi, etj”.

Sipas dëshmive të siguruara nga telefonat e konfiskuar, spiuni nga Gjilani dërgonte në Beograd incizime të të rinjve që falen midis rruge te një xhami në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.

Lexo edhe: Dosja e ‘Abuseadit’: Si ta lexojmë planin e BIA-s për nxitje të ekstremizmit fetar?

BIA duke e përgatitur terrenin për rekrutim në rajonin e Prizrenit dhe Anamoravës

Këto dy afera – me Fehim Salin dhe Hysri Selimin – bashkëndajnë një element tejet domethënës.

Pos luftës në front diplomatik, Serbia me anë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë bën përpjekje të paprera që ta destabilizojë Kosovën përmes ekstremizmit islamik.

Nëse në rastin e ‘Abuseadit’, spiunazhi serb përpiqej të vinte kontakte me qarqe islamike në rajonin e Anamoravës, te afera në hetim e sipër e Fehim Salit del që qarqet ekstremiste në rajonin e Prizrenit janë shenjestra e radhës nga BIA.

Një tjetër përmasë e luftës speciale nga shërbimet serbe për të lëkundur themelet e kohezionit social në Kosovë është shfrytëzimi i ekstremizmit fetar.

Hasani: Serbia e interesuar për vahabistët dhe selafistët

Nga dëshmitë që janë përdorur gjatë procesit gjyqësor në rastin e ‘Abuseadit’ kuptohet se BIA u ka vënë syrin për t’i rekrutuar atyre individë që veçse kanë bërë emër me intolerancën e tyre dhe interpretimet e rrepta të fesë.

Inteligjenca serbe njashtu shfaqet e interesuar për të vënë nën kontroll të saj ‘mesxhidetë’, pikërisht ato hapësira që shpesh janë edhe jashtë kontrollit të BIK-ut.

Në një intervistë të dhënë para do dite për Gazetën Express, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Enver Hasani ka thënë se rastet e fundit të arrestimeve për spiunazh dëshmojnë se Serbia po përpiqet të shfrytëzojë rrymat vahabiste e salafiste.

Për aq sa kanë qenë publike rastet e arrestimeve për spiunazh, një gjë kam vërejtur: në të gjitha rastet, pa përjashtim, Serbia ka kërkuar nga spiunët kosovarë që të përcjellin dhe të raportojnë mbi çështjen e Islamit politik në Kosovë dhe gjendjen e tij. Kjo është shumë shqetësuese dhe secili politikan duhet ta marrë seriozisht këtë fenomen”, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Argatllëku online për Serbinë

Prej kohësh është sipërfaqësuar si problem i mprehtë prania e vazhdueshme e platformave digjitale dhe përmbajtjeve të caktuara që përhapin vazhdimisht ideologji ekstremiste islamike.

Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, këto forma radikaliteti përdorin shpesh taktikën e maskimit me elemente etnike e nacionale.

Fjala vjen, prej kohësh është vënë re prania e platformave të tilla radikale që përdorin emra të shquar nga historia kombëtare.

Faqet e tilla zaptojnë për vete emra karrem që apelojnë për publikun shqiptar, si për shembull ‘Shqipëria etnike’, ‘Kombi’, ‘Shqiptarët’, etj.

Në shumë raste, ka profile që përdorin emrin ose fotografinë e Adem Jasharit, Azem Bejtës apo edhe ndonjë personaliteti nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për ta natyralizuar ekstremizmin fetar.

Schwartz: Ekstremistët islamistë duan t’i vrasin shpirtërisht shqiptarët

Njohës të huaj të religjionit në Ballkan, si miku i madh i shqiptarëve Stephen Schwartz, prej kohësh kanë tundur këmbanat e alarmit për rrezikun që i kanoset Kosovës nga ekstremizmi fetar.

Në një intervistë të bërë para 12 vitesh, ky i fundit shkoqiste aspekte domethënëse mbi rreziqet që iu kanoseshin shqiptarëve në Ballkan.

Sipas drejtorit të Qendrës për Pluralizëm Islam, vahabizmi nuk mbështetej drejtpërdrejtë nga mbretëria saudite apo ulemaja zyrtare, sa nga institucione e individë të caktuar atje.

Sidoqoftë, ne vëmë re se infiltrimi vahabist ka mbështetje prej Beogradi, që ndjek strategji të stilit rus për të përçarë shqiptarët dhe myslimanët e tjerë që i rezistojnë imperializmit ortodoks, siç kemi parë në Maqedoni, Sanxhak (të Novi Pazarit), dhe në Kaukaz”, kishte thënë Schwartz.

Autor i librave të mirëshitur si “The Other Islam” dhe “The Two Faces of Islam”, gazetari amerikan paralajmëronte se islami radikal përbënte kërcënim madhor për të ardhmen e kombit shqiptar, i ngjashëm me terrorizmin çetnik.

Çetnikët duan të vrasin fizikisht shqiptarët, por islamistët duan t’i shkatërrojnë ata shpirtërisht”, kishte thënë ai.

Račius: Kosova e gjeti udhën kur i ndoqi këshillat e aleatëve perëndimorë

Edhe një nga emrat më të mirë në Evropë për studimet islamike, Egdūnas Račius, vëren se Serbia bën çmos që t’i gjejë Kosovës ndonjë vegëz e ta akuzojë për promovim të agjendave të huaja që zënë fill në Lindjen e Mesme.

Për këtë arsye, kuadri ligjor i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Kushtetutën, me këshillat e aleatëve u shestua asisoj që të mos e prioritarizonte asnjë traditë të caktuar religjioze, por të promovonte barazinë e të gjitha grupeve fetare para ligjit.

Sipas profesorit lituan, ky sekularizim lidhej pjesërisht edhe me faktin që “vetë shqiptarët e Kosovës nuk kishin ndonjë prirje që religjioni të gravohej në legjislacionin e ri të shtetit”.

Përkundër propagandës serbe dhe ruse, UÇK-ja, që e udhëhoqi luftën për liri e çlirim, ashtu sikurse edhe elita politike, nuk e theksuan asnjëherë identitetin fetar në kurriz të atij kombëtar.

Sipas një sondazhi të 2012-s, të cituar në studimin e Račiusit, pjesa më e madhe e atyre që identifikohen me njërën ose tjetrën fe nuk janë praktikues të rregullt për sa i përket pjesëmarrjes në rituale fetare.

Religjioziteti i shqiptarëve në Kosovë, sipas po të njëjtit autor, është shumë më i zbehtë sesa në Maqedoni, Sanxhak apo Bosnjë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme