Pse nuk i besoj ‘Aleançës’ - NACIONALE

Pse nuk i besoj ‘Aleançës’

1 ditë më parë

nga Col Mehmeti

Kur koha po numëron së prapthi deri te shpallja e vendimit të mbramë, Areopagu i Hagës e ka ëndërruar një gjendje të çoroditur si kjo tani. Nxitja e një ekzaltimi të madh, në prag dalldie, është ajo çfarë e duan detraktorët në Hagë e jashtë saj. Paralajmërimi se Thaçi do të vihet sërish në fron është trimërim për krejt atë pjesë të perëndimorëve që e deshën dhe e duan eliminimin përfundimtar të tij. Po të gërvishet përtej sipërfaqes ideja e Ramushit që Thaçi të rivihet president, aty del një skemë që nuk mban as erë fisnikërie e as mirësie. Në rrethanat kur ka kaq fort Thaçofobi brenda e jashtë vendit, një opsioni të tillë do t’i vihej kryqi si ‘radikal’ dhe do të çonte ujë te apetiti e pashuar i vetë Ramushit për pesë vjet presidentllëk. Por, ky nuk është as problemi i parë dhe as i fundit. Mbi të gjitha, ajo që bie në sy është maskimi i qyqarllëkut tonë kolektiv. Pse Thaçi duhet të marrë përsipër beteja të cilave iu bishtnuam për gjashtë vjet? As një gur proteste nuk e hodhëm kundër regjimit të albinkurtistëve; përkundrazi, pyetja e vetme që u bë ishte kur dalin në xhirollogari 100 eurot e sadakasë…

22 gusht 2026 – Kryetari nën hije i Aleancës, Ramush Haradinaj, bëri nam dje kur e propozoi Hashim Thaçin për president të vendit.

Në të dëgjuar, ideja ishte e mirëtingëllueshme.

A do ta kishte atë fat vendi që në fronin presidencial ta ketë njeriun më të merituar mes të gjallëve?

A nuk do të ishte gjë e mirë që të kishim tamam një president pas pesë vitesh kur kjo pozitë ishte praktikisht bosh (sede vacante)?

Kopja femër e Albin Kurtit vetëm sa e shkatërroi institucionin që duhej të ishte simbol bashkimi.

Ideja e Ramushit, megjithatë, ka diçka sinistër e të dyshimtë në vete.

Meqë ka kaq shumë Thaçofobi të përbindshme, brenda e jashtë vendit, kjo parakupton që vetë propozuesi llogarit ftohtësisht në pamundësinë e shumënduartë të idesë.

Kjo do të shpjegohej fare bukur me alogjizmin e quajtur “motte-and-bailey” ose kështjella dhe oborri.

Kur një argumentues ka një pretendim të vetëm në mendje dhe do ta popullarizojë atë, ai i ngre dy pozicione që duken të ngjashme.

Te ‘motte’ (kështjella), ai vendos pretendim modest që mbrohet lehtë; te ‘bailey’ (oborri) vë një pretendim të tepruar, të skajmë madje, që me siguri do të zgjojë një hallakamë kundërshtimesh.

Sapo pozicioni i dytë (oborri) sulmohet nga kundërshtarët e skandalizuar, ai tërhiqet te pozicioni i parë (kështjella) që nuk është i sulmuar nga kritikët.

Ideja e strategjisë së tillë është shitja e një pretendimi themelor duke e bërë të pranueshëm përmes një pretendimi tjetër radikal.

Nuk shoh asnjë arsye që të më çarmatosë nga përshtypja ime se kryetari në hije i Aleancës po llogarit në pamundësinë e idesë.

Ai e ka tjerrë ashtu që një opsion radikal si Thaçi i fronësuar si president ta sheshojë udhën ku të gjithë kthehen te Ramushi si opsion normal.

Nëse ka entuziazëm në PDK për ide të tilla, atëherë mozomëkeq për të.

Sepse përtej vullneteve e dashurive ditore, është një kujtesë që refuzon të vdesë.

Kur PDK-ja humbi sivjet gjithë ato vota, një pjesë jo e vogël shkoi mu në mullirin e Aleancës.

Pati sa e sa raste kur njerëz e votues të PDK-së u mobilizuan që ta shpëtonin partizën lokale të gjysmës së Dukagjinit, në ndërkohë që partinë e vet e lanë pa zot.

Vetë në hapsane, e bân sevap me hallkun”, do të gjuhësohej kjo situatë më një idiomë gati të zhdukur.

Nëse PDK-ja e zezoi fytyrën e vet reputacionale, ka qenë pikërisht kur u bë bisht në një qeveri ku Ramushi i mori kapistrat në duar.

Harrohej që ai i kishte vetëm disa minuta bashkëpunim me Thaçin e njerëzit shtetndërtues që edhe ashtu numëroheshin me gishta, por kishte vite të tëra bashkëpunimi me Kurtin, Vetëvendosjen dhe ferrin anarkik që kaploi vendin që nga 2014-a.

Nuk mbrohet Thaçi e as trashëgimia e tij imortale duke i bërë ndere të rreme.

Për më tepër, ide si këto kanë prirjen që t’i bëjnë qeder të madh Thaçit dhe të tjerëve kur tiktaket e orës po tringëllijnë për verdiktin e mbramë.

Pritshmëritë ekzaltuese, që po i ndërsen edhe vetë PDK-ja, po e krijojnë një predispozitë jashtëgjyqësore që vendimi i Hagës të jetë skëterrisht i keq.

Nëse saga e Tribunalit filloi më fort për të anashnxjerrë Thaçin nga politika, pra konsiderata qartazi jashtëgjyqësore, ajo do të mbyllej më një kapitull të rëndë pikërisht nga këto skena.

Sepse detraktorët e Thaçit, në mesin e të cilëve janë edhe njerëz që janë gjyqtarë në Hagë, duan më shumë se kurrë që tani të përhapet perceptimi publik që Thaçi po rikthehet në politikë, si një mbret që vie sërish te froni që ia morën mëtonjësit.

Dyshimet e mia nuk kanë themel sa kohë që askush nuk e di sesi do të jetë vendimi përfundimtar.

Por, ka kohë që jam konsumuar prej ndjesisë fatale se Haga do të befasojë për keq me një nga goditjet më të rënda për shqiptarët në histori.

Shumë më i hajrit do të ishte një plan B se çfarë do të bëhet të nesermen e vendimit të Hagës.

PDK nuk ka diçka të tillë përveç përgatitjeve me maskarada që quhen mitingje ‘përkrahëse’, postera rrugëve apo bina ku do të performojnë këngëtarë.

Bastet e saj, sikundër të të gjithëve, janë vënë sall te skenari optimist.

Mendojmë se Thaçi, me t’u liruar, duhet t’i marrë në barrë të gjitha ato që nuk guxuam t’i bënim për gjashtë vjet nën regjimin e albinkurtistëve.

Mendojmë se Thaçi, si superhero, duhet të luftojë për ne që nuk hodhëm asnjë gur proteste edhe kur Kurti e zbatoi në plotni projektin shtetshkatërrues sa tani s’ka asnjë epitaf përkujtimor që të thuhet si vdiq dhe pse vdiq një shtet i tërë.

Thaçi e kreu faqebardhë misionin e tij historik prej rragatjeve për çlirim, shpalljen e mëvetësisë dhe udhëheqjen në shtetndërtim.

Ata pak njerëz që nuk janë budallallepsur nga çmenduria albinkurtiste duhet ta fitojnë një betejë të vetme në jetë dhe atë pa shpresuar në shfaqjen e ndërhyrjes divine.

Lajme të ngjashme