Paraqitja fantastike e Visar Bekajt mbrëmë, sinjal për Giresse - NACIONALE

Paraqitja fantastike e Visar Bekajt mbrëmë, sinjal për Giresse

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Visar Bekaj, ndonëse i lënë pas dore nga Kombëtarja e Kosovës, me Tiranën po vazhdon të tregojë formë të lartë.

Tirana mbrëmë humbi 0:1 si vendëse përballë Zrinjskit të Bosnjës, mes shumë kontestimeve të shtypit shqiptar dhe tifozëve të skuadrës. Ky rezultat ka mundur të jetë shumë më i thellë po të mos ishte protagonisti nga radhët e kryeqytetasve: Visar Bekaj.

Natyrisht, ka gjithmonë vend për përmirësime. Në këtë stad të formës së tij, tani e tutje çdo ditë qëndrimi në Tiranë është një gjysmë hapi mbrapa në karrierë, edhe pse mosha e portierëve, për dallim prej futbollistëve të pozitave tjera, premton një kohëzgjatje më të madhe të formës.

Paraqitja për kopertinë kundër Zrinjskit

Nëse është një lojtar i Tiranës që doli me kokën lart nga ndeshja e mbrëmshme, ani se skuadra humbi, ishte pikërisht Visar Bekaj.

Në minutën e 23-të të ndeshjes, ai vuri në spikamë të gjitha reflekset e tij të mira, duke e mbrojtur goditjen e papërshtatshme me devijim nga sulmuesi boshnjak, Bilbija.

Të njëjtën gjë ai e përsëriti edhe dhjetë minuta më vonë, duke e ndalur një goditje të shpejtë të Ticinovic nga afërsia.

Me pak fjalë, pa ndihmën e pritjeve të portierit kosovar, rrjedha e ndeshjes për kampionët në fuqi të Shqipërisë mund të përshkallëzohej keq e më keq. Ai ishte më meritori që ndaloi dyfishimin e disavantazhit.

Bekaj ishte edhe i vetmi që nuk ra asnjëherë nga loja, duke qenë përherë i përqendruar në levizjet dhe pozicionimin e tij.

Si qershi mbi tortë mund të përkufizohet pritja magjepsëse që portieri 25-vjeçar bëri në minutat e fundit të ndeshjes, ku e mbylli për mrekulli këndin e djathtë të tij të portës, ku sulmuesi boshnjak dëshironte që ta fuste topin me parabolim.

Zgjatja e dorës së djathtë nga Bekaj ishte përcaktuese për Tiranën, që të mbetej akoma në luftë për një rezultat më të mirë pas një jave në ndeshjen e kthimit.

Njashtu, Bekaj është dëshmi suksesi për disa përmirësime që i ka shënuar në dy vitet e fundit. Loja me këmbë ishte çalesa e tij kryesore. Edhe aty tani qëndron shumë më mirë sesa më herët. Treguesi më i mirë janë statistikat, ku dje nga 24 pasime të gjata, 80% ishte i saktë.

Minutazhi i munguar te Kosova, i paarsyeshëm

Ky përmirësim linear, i pandalshëm, me një vazhdimësi të qartë, mund të interpretohet edhe si një sinjal për përzgjedhësin Alain Giresse, që ta konsiderojë më shumë si alternativë të çmuar në ndeshjet e kombëtares - të paktën në ato miqësore.

Duke i parë të gjitha këto pritje, me të drejtë shumëkush po vjen deri te konstatimi se ndoshta edhe qasja dhe trajtimi ndaj tij në Kombëtaren e Kosovës duhet të ndryshojë.

Në radhë të parë, askush nuk pretendon që Bekaj të jetë në cilësinë e Muric tani për tani. Nëse çdokush nis ta bëjë një formacion të Kosovës, atëherë niset nga dyshja Muric dhe Rrahmani, për karakteristikat dhe rëndësia e pozitave që mbulojnë.

Sido që të jetë, Kosova jo gjithmonë luan ndeshje kualifikuese. Në ndeshjet miqësore kur u është dhënë hapësirë lojtarëve pa shumë minutazh, të njëjtin fat nuk e ka pasur edhe Visar Bekaj.

Një drejtësi selektive, e cila rëndon shumë mbi të. Nëse nganjëherë paraqitjet në nivel kombëtaresh u shërbejnë futbollistëve që ta rrisin vlerësimin në treg, për të joshur drejtues dhe skaut të ndryshëm klubesh, si dhe për ta rritur çmimin e kartonit - kjo gjë nuk mund të thuhet edhe në rastin e portierit prishtinas.

Katër miqësoret kur Bekaj ka mbrojtur me Kombëtaren e Kosovës, janë të papërfillshme nëse mendojmë për numrin e ndeshjeve miqësore që janë luajtur ndërkohë.

"Borxhi" i Kosovës

Kosova ndoshta i ka borxh. Ky borxh ka të bëjë me ndonjë ndeshje miqësore ku fare lehtë ka mundur të startohej edhe me të.

Disa futbollistë të tjerë të Kosovës e kanë përdorur edhe minutazhin në kombëtare për ta plotësuar CV-në e tyre, si ogur për një transferim te ndonjë skuadër më cilësore. Për fatin e keq, Bekaj diçka të ngjashme nuk ka arritur ta përdorë në masën e dëshiruar, sepse nuk ka gëzuar minutazh të kënaqshëm.

Ujkani, i cili vazhdon ta gëzojë besimin e stafit teknik të Kosovës, nga shtypi italian po lidhet me një transferim në ndonjërën prej skuadrave të Serie B, si Frosinone apo Cosenza.

Askush nuk duhet dhe nuk mund t'ia mohojë meritat Ujkanit në raport me Kosovën. Madje, është i interpretueshëm edhe qëndrimi i Alain Giresse për t'ia besuar portën në ndeshjet kualifikuese si zgjedhje e dytë, nëse vëmë theksin te përvoja sesa te çdo tipar tjetër.

Mirëpo, në ndeshjet testuese, një portier në rënie të lirë tani e disa kohë, si dhe me një moshë që 34-vjeçe - nuk ka logjikë t'ia zë vendin dikujt biologjikisht nëntë vjet më të ri se ai, si dhe, për dallim prej tij - në një rritje të vazhdueshme të formës.

Lajme të ngjashme