Mospajtime rreth menaxhimit të stadiumit "Fadil Vokrri", Kombëtarja mund t'i luajë ndeshjet jashtë vendit - NACIONALE

Mospajtime rreth menaxhimit të stadiumit "Fadil Vokrri", Kombëtarja mund t'i luajë ndeshjet jashtë vendit

1 muaj më parë

nga Shpend Thaçi

Çështja e menaxhimit të stadiumit "Fadil Vokrri" është temë e nxehtë tani e disa vite. Gazeta Nacionale merr vesh se në ditët e fundit situata ka evoluar. Në vazhdim ju sjellim detajet.

Stadiumi "Fadil Vokrri" nga 2018 e deri më sot ka qenë arenë nikoqire e organizimit të ndeshjeve kualifikuese dhe miqësore të Kombëtares së Kosovës. Pas licencimit nga UEFA që pati ndodhur katër vjet më parë, konkretisht më 30 gusht (më saktësisht pas finales së Supërkupës mes Dritës dhe Prishtinës që ishte zhvilluar disa ditë më herët, e që u shërbente vëzhguesve të UEFA-s si test për të parë nëse kishte kushte për t'u licencuar stadiumi), u hap me kalimin e kohës një problem tjetër: -ai i menaxhimit të stadiumit.

Për hir të vërtetës, çështja në fjalë është pengesë jo e vogël nga pikëpamja e zhvillimit të futbollit kosovar. Në rastin konkret, stadiumi "Fadil Vokrri" ka qenë pronë "e kontestuar" sa i përket menaxhimit deri në definimin e plotë.

Së voni, janë shënuar disa hapa në këtë drejtim. Burime të ndryshme i kanë thënë gazetës Nacionale se Komuna e Prishtinës po mendon t'ia japë lejen e menaxhimit të stadiumit një ndërmarrjeje lokale publike. Rreth kësaj çështje thuhet se është krijuar edhe një komision gjegjës nga Komuna.

Gjithmonë në bazë të informatave të siguruara nga gazeta Nacionale, emri i ndërmarrjes lokale publike, e cila në ARBK (Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës) është e regjistruar si shoqëri aksionare - është NPL SPORT MARKETING SH.A. Marrëveshje të ngjashme kompania në fjalë ka edhe me pishinën e Gërmisë, amfiteatrin e Gërmisë, shkollën e tenisit, etj.

Federata e Futbollit të Kosovës, duke u bazuar gjithmonë në informatat që posedon gazeta Nacionale, është zhgënjyer nga ky proces. Shtëpia kosovare e futbollit ka dashur që të ketë vet qasje në menaxhim të stadiumit, në mirëmbajtje dhe në shfrytëzim të tij. Informatat e siguruara nga gazeta Nacionale kanë thënë se me shumë mundësi FFK do të tërhiqet nga stadiumi "Fadil Vokrri".

"Nëse vazhdon kjo gjë, ka gjasa që FFK do të tërhiqet nga stadiumi 'Fadil Vokrri", i ka thënë një burim në kushte anonimiteti gazetës Nacionale.

Thënë troç, kjo nënkupton se edhe ndeshjet e Kombëtares së Kosovës rrezikojnë që të luhen jashtë territorit të vendit. Opsioni më i vlefshëm mbetet Shqipëria, ashtu siç pati ndodhur në kualifikueset 2016-2018 për Botëror. Gjithsesi, një gjë e tillë është në tryezë si alternativë, por akoma nuk ka asgjë të vendosur në mënyrë të prerë.


Nëse NPL SPORT MARKETING SH.A. zyrtarizohet nga Komuna e Prishtinës si kompania që do ta menaxhojë stadiumin e Prishtinës, atëherë FFK pritet që të tërhiqet edhe nga projektet e saj që i ka paraqitur së fundmi, siç ishte ai i zgjerimit të stadiumit "Fadil Vokrri".

Gazeta Nacionale mëson se kjo pakënaqësi nga FFK rrjedh nga fakti se në vitet e fundit ka qenë pikërisht ajo që është përkujdesur për t'i mbuluar shpenzimet e stadiumit, duke i paguar punëtorët dhe shpenzimet tjera logjistike në stadium, nga kostot e energjisë elektrike, e tutje.

Gjatë ditëve në vijim mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat.

Lajme të ngjashme