Kosova, NATO dhe katërshja mosnjohëse: ShBA thotë se “për të avokuar për Kosovën, duhet normalizim me Serbinë”
Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë, integritetin territorial dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës, deklaroi të martën Daniel J.Lawton, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.
Lawton, Ndihmëssekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, dëshmoi para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Seanca trajtoi politikën amerikane dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Lawton tha se politika amerikane mbështetet mbi stabilitetin, prosperitetin ekonomik dhe luftimin e kërcënimeve që vijnë nga organizatat kriminale.
“Ne mbështetim pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, deklaroi ai gjatë dëshmisë.
Sipas Lawtonit, megjithatë, angazhimi amerikan me Kosovën është ndikuar nga zhvillimet e brendshme politike dhe mungesa e stabilitetit institucional.
“Fatkeqësisht agjenda jonë me Kosovën është penguiar nga mungesa e një qeverie dhe zgjedhjet e përsëritura”, tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë iu kushtua marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lawton e cilësoi normalizimin dhe ruajtjen e paqes ndërmjet dy vendeve si çështje esenciale për stabilitetin e gjithë rajonit.
“Përparim domethënës është arritur që nga Marrëveshja e Uashingtonit e 2020, që u arrit nga Presidenti ynë Donald Trump në mandatin e parë.”
Ai tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik.
“Dhe i nxisim t’i ndalojnë provokimet e t’i vazhdojnë bisedimet pa parakushte”, deklaroi Lawton.
Kongresmeni Keith Self e pyeti atë edhe për perspektivën e Kosovës në NATO dhe katër shtetet anëtare që ende nuk e njohin.
“ShBA mbështet njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ne vazhdojmë bisedimet përfshirë me aleatët e NATO-s që nuk e njohin”, tha Lawton.
Sipas tij, përparimi në normalizimin me Serbinë do ta ndihmonte drejtpërdrejt diplomacinë amerikane për njohje të reja.
“Kjo do të ishte e dobishme në avokimin tonë për njohje”, deklaroi ai.
Self kërkoi gjithashtu sqarime për politikën amerikane ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, duke e quajtur praninë e KFOR-it esenciale për të dyja palët.
Lawton u pajtua se KFOR-i vazhdon të ketë rol qendror në sigurinë rajonale.
“Pajtohem që KFOR-i është forcë e rëndësishme për stabilitetin rajonal”, deklaroi ai.
Ai tha se madhësia e misionit përcaktohet nga Këshilli i NATO-s, bazuar në nevojat dhe realitetin e sigurisë në terren.
“Prania jonë në KFOR është e rëndësishme. Vazhdojmë të jemi të angazhuar aty”, përfundoi Lawton.