16 shtatori: Drejtësia, historia dhe shtetësia e Kosovës
Shkruan: SYLË UKSHINI
Vendimi i 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në procesin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, nuk do të përbëjë vetëm epilogun gjyqësor për fatin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesha dhe domethënia e tij shkojnë përtej përgjegjësisë individuale të të akuzuarve dhe përtej mureve të sallës së gjyqit në Hagë. Ai prek mënyrën se si do të lexohet ndërkombëtarisht Lufta e Kosovës, raporti ndërmjet dhunës shtetërore serbe dhe rezistencës së armatosur shqiptare dhe, në plan më afatgjatë, vetë dinamikën e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Pikërisht këtu qëndron problemi themelor. Përgjegjësia penale është dhe duhet të mbetet individuale. Asnjë luftë çlirimtare dhe asnjë kauzë politike nuk mund ta përjashtojë individin nga përgjegjësia për krime të provuara përtej dyshimit të arsyeshëm. Por po aq e papranueshme do të ishte që, përmes përgjegjësisë individuale, të prodhohej, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një aktgjykim historik mbi UÇK-në, mbi karakterin e rezistencës shqiptare ose mbi legjitimitetin politik të procesit që çoi në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë kuptim, 16 shtatori përbën një provë jo vetëm për Dhomat e Specializuara, por edhe për aftësinë e drejtësisë ndërkombëtare për të bërë dallimin ndërmjet krimit individual dhe kontekstit historik, ndërmjet përgjegjësisë së personit dhe përgjegjësisë së një lëvizjeje, ndërmjet dhunës së ushtruar nga një aparat shtetëror dhe veprimeve të individëve brenda një rezistence të armatosur.
Ky dallim është vendimtar, sepse procesi i Hagës është zhvilluar në një hapësirë ku historia dhe drejtësia kanë qenë vazhdimisht në tension. Në aktakuzë dhe në narrativën procedurale ekziston rreziku që represioni shtetëror i Serbisë, i cili parapriu formimin e UÇK-së, të tërhiqet në sfond, ndërsa veprimet e UÇK-së të analizohen nën një mikroskop juridik të shkëputur nga procesi politik që nisi me shfuqizimin e autonomisë së Kosovës, vazhdoi me represionin sistematik të viteve 1990, luftën e viteve 1998–1999 dhe përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s. Një abstraksion i tillë juridik mund ta zhvendosë boshtin interpretativ nga represioni shtetëror drejt një narrative të paqartë të një konflikti ndërmjet palëve të barabarta.
Përmbysja e roleve historike
Për ta bërë më të dukshëm këtë paradoks, mund të përdoret një analogji kundërfaktike, jo si ekuivalencë juridike apo morale, por si eksperiment historik mendimi. Po të përfytyronim që, një çerek shekulli pas Luftës së Dytë Botërore, një drejtues i koalicionit antifashist të gjendej në bankën e të akuzuarve për veprime të kryera gjatë luftës, ndërsa në Gjermani vazhdonin të dominonin figura të dala nga establishmenti i regjimit nazist, vetë ky konfigurim do të krijonte përshtypjen e një përmbysjeje të roleve historike. Analogjia nuk barazon Luftën e Kosovës me Luftën e Dytë Botërore dhe as UÇK-në me koalicionin antifashist; ajo synon vetëm të tregojë se një proces penal, edhe kur mbështetet në përgjegjësinë individuale, mund të prodhojë efekte historike, politike dhe simbolike që shkojnë përtej fajësisë ose pafajësisë së personave të akuzuar.
Këtu shfaqet edhe një dimension tjetër i 16 shtatorit. Rrethanat ndërkombëtare të vitit 2026 nuk janë më ato të viteve 1998–1999. Konstelacioni politik ndërkombëtar që e bëri të mundur ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Milosheviqit dhe që, në vitet pasuese, mbështeti procesin politik që çoi Kosovën drejt pavarësisë, ka ndryshuar ndjeshëm. Raportet e fuqisë janë zhvendosur, konsensusi perëndimor rreth Kosovës nuk ka më homogjenitetin e periudhës së ndërhyrjes, ndërsa historia e luftërave jugosllave vazhdon të jetë objekt i një beteje intensive politike dhe diplomatike për interpretimin e saj.
Distanca ndërmjet kontekstit ndërkombëtar të vitit 1999 dhe atij të sotëm bëhet edhe më e dukshme në reflektimin retrospektiv të politologut bullgar Ivan Krastev mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Më shumë se një çerek shekulli më vonë, ai e kujton periudhën pas ndërhyrjes si një moment “euforie” ndërkombëtare dhe Luftën e Kosovës si një konflikt me karakter të veçantë: jo një luftë për naftë apo për interesa të drejtpërdrejta gjeopolitike, por, sipas formulimit të tij, një “classical humanitarian war”. Pikërisht veçantia e rrethanave që e bënë të mundur ndërhyrjen në Kosovë shpjegon, sipas Krastev-it, edhe vështirësinë për ta përsëritur atë model në raste të tjera. Në këtë kuptim, vlerësimi i tij është domethënës edhe për leximin e 16 shtatorit: aktgjykimi do të shpallet në një rend ndërkombëtar dukshëm të ndryshëm nga ai i vitit 1999, kur ndërhyrja në Kosovë përfaqësonte një nga shprehjet më karakteristike të debatit dhe praktikës së ndërhyrjes humanitare në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.
Pikërisht në këtë mjedis të transformuar ndërkombëtar, aktgjykimi nuk do të mbetet vetëm brenda sallës së gjyqit. Ai do të lexohet dhe interpretohet në Beograd, Moskë, Bruksel, Uashington, por edhe në kryeqytetet e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Serbia prej vitesh përpiqet të riformulojë raportin ndërmjet përgjegjësisë së saj shtetërore për luftërat e viteve 1990 dhe krimeve të pretenduara ose të provuara të individëve nga pala shqiptare. Prandaj, rreziku nuk qëndron në mundësinë që një aktgjykim penal ta ndryshojë juridikisht historinë — këtë ai nuk mund ta bëjë — por në mundësinë që ai të instrumentalizohet politikisht për të ndikuar në mënyrën se si ajo histori interpretohet dhe komunikohet ndërkombëtarisht. Kjo është arsyeja pse 16 shtatori nuk mund të shihet vetëm si datë e një vendimi gjyqësor. Ai vjen në një moment kur rendi ndërkombëtar dhe raportet politike që dikur ishin më të favorshme për Kosovën janë transformuar. Në këtë kuptim, beteja nuk zhvillohet më vetëm rreth asaj se çfarë ka ndodhur, por edhe rreth asaj se kush do ta përcaktojë kuptimin politik dhe historik të asaj që ka ndodhur. Pikërisht këtu drejtësia, historia dhe shtetësia e Kosovës takohen — por nuk duhet të ngatërrohen.
Rreziku i simetrisë historike
Në prag të aktgjykimit të 16 shtatorit, një paralajmërim të ngjashëm e ka artikuluar Nevenka Tromp, studiuese e Tribunalit të Hagës dhe autore e një studimi mbi procesin e papërfunduar ndaj Slobodan Miloševićit. Në vlerësimin e saj kritik, problemi i Dhomave të Specializuara nuk qëndron vetëm te fati individual i të akuzuarve, por te mundësia që rezultati i procesit të prodhojë atë që ajo e quan një “simetri të rreme historike” ndërmjet palëve të luftërave të viteve 1990. Sipas Tromp-it, çdo interpretim i aktgjykimit duhet të ruajë në qendër realitetin historik se Serbia ishte aktori shtetëror që prodhoi dhunë në shkallë të gjerë në luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë, përfshirë Luftën e Kosovës.
Në këtë këndvështrim, epilogu i procesit merr rëndësi shumë më të gjerë se vetë dënimi ose lirimi i katër të akuzuarve. Çështja themelore është nëse një aktgjykim penal, i cili juridikisht duhet të përcaktojë vetëm përgjegjësinë individuale të të akuzuarve, mund të prodhojë në planin publik dhe historiografik një lexim shumë më të gjerë të luftës. Një interpretim që do ta paraqiste UÇK-në, përtej përgjegjësisë së individëve të caktuar, si një ndërmarrje në thelb kriminale, do të rrezikonte të krijonte pikërisht atë “simetri të rreme historike” për të cilën paralajmëron Tromp: në njërën anë aparati shtetëror serb, me ushtrinë, policinë dhe strukturat e tij të sigurisë; në tjetrën, rezistenca e armatosur e një popullsie që prej vitesh ishte privuar nga autonomia, institucionet dhe të drejtat politike e kombëtare.
Tromp e sheh këtë betejë narrative edhe në deklarimet paraprake të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për rezultatin e procesit. Sipas saj, këto deklarime duhen lexuar më shumë si kalkulim politik sesa si dëshmi e njohurive të brendshme për aktgjykimin. Logjika është e dyfishtë: një pafajësi mund të përdoret nga Beogradi për ta delegjitimuar Gjykatën si institucion që, sipas narrativës serbe, nuk arriti të dënojë drejtuesit e UÇK-së; ndërsa një dënim mund të paraqitet si konfirmim ndërkombëtar i pretendimeve që Serbia ka promovuar prej vitesh. Në të dy skenarët, beteja zhvendoset nga përmbajtja juridike e aktgjykimit te përdorimi i tij politik. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i pasojave politike të aktgjykimit kërkon kthimin te konteksti historik që i parapriu luftës dhe te natyra thellësisht asimetrike e marrëdhënies ndërmjet shtetit serb dhe shqiptarëve të Kosovës.
Ky kundërshtim ndaj barazimit të palëve nuk është vetëm një lexim i sotëm i Luftës së Kosovës. Ai ishte artikuluar që gjatë vetë luftës edhe nga intelektualët francezë Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel, të cilët polemizonin me kundërshtarët e ndërhyrjes perëndimore. Duke kritikuar argumentin sipas të cilit ndërhyrja ushtarake kundër regjimit të Miloševićit nënkuptonte thjesht përplasjen e “një të keqeje” me “një të keqe tjetër”, Brossat dhe Potel vërenin se një arsyetim i tillë krijonte artificialisht një barazi ndërmjet forcave që nuk ndodheshin në të njëjtën pozitë historike dhe politike. Në këtë optikë, nuk mund të vendosej në të njëjtin plan dhuna e një aparati shtetëror të angazhuar në spastrimin etnik me dhunën e ushtruar në kuadër të rezistencës kundër tij. Gabimi themelor i një qasjeje të tillë, sipas tyre, qëndronte pikërisht në humbjen e aftësisë për të bërë dallimin ndërmjet formave të dhunës dhe konteksteve që i prodhonin ato.
Brossat dhe Potel e çonin argumentin edhe më tej: fakti se çdo luftë prodhon viktima, shkatërrim dhe vuajtje njerëzore nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e drejtësisë apo domosdoshmërisë së saj. Për gjykimin historik mbetet vendimtar dallimi ndërmjet dhunës shtetërore, krimit dhe rezistencës. Në rastin e Kosovës, ky dallim është thelbësor për të shmangur një lexim që, duke individualizuar dhe dënuar me të drejtë krimet e provuara, përfundon duke vendosur në të njëjtin plan aparatin shtetëror të represionit dhe rezistencën e zhvilluar kundër tij.
Ky dallim, i artikuluar në planin teorik nga Brossat dhe Potel, gjen mbështetje edhe në dëshmitë e diplomatëve perëndimorë që e vëzhguan drejtpërdrejt Kosovën në momentin kur po instalohej regjimi i ri serb pas suprimimit të autonomisë. Warren Zimmermann, ambasadori i fundit amerikan në Jugosllavi, duke kujtuar vizitën e tij në Kosovë në korrik 1989, shkruan në librin Origins of a Catastrophe: Yugoslavia and Its Destroyers se “the province had a colonial air about it”. Ai përshkruan zyrtarët serbë si arrogantë dhe shpesh abuzivë, ndërsa shqiptarët si të frikësuar, që ulnin zërin sikur të ndodheshin nën përgjim. Përshkrimi është domethënës: ai i përket vitit 1989, pra pothuajse një dekadë përpara fazës së hapur të Luftës së Kosovës dhe shumë përpara se UÇK-ja të shndërrohej në faktor të rëndësishëm ushtarak.
Zimmermann identifikonte njëkohësisht një kontradiktë themelore në politikën e Miloševićit. Atje ku serbët ishin pakicë, si në Kosovë, Beogradi pretendonte një të drejtë historike për të sunduar; atje ku serbët mund të mbështeteshin në argumentin e shumicës, si në pjesë të Kroacisë, kërkohej vetëvendosja. Në mënyrë domethënëse, shkruan Zimmermann, Miloševiqi nuk ishte i gatshëm t'u njihte shqiptarëve të Kosovës të njëjtën të drejtë vetëvendosjeje që kërkonte për serbët në Kroaci dhe Bosnjë.² Kjo kontradiktë e bën të vështirë interpretimin e konfliktit të Kosovës si përballje ndërmjet dy nacionalizmave që vepronin nga pozicione të barabarta politike dhe institucionale.
Edhe më domethënës është dallimi që Zimmermann bën ndërmjet formave të nacionalizmit në Jugosllavi. Modelin e nacionalizmit shqiptar në Kosovë ai nuk e shihte si tipikisht ballkanik, por e krahasonte me luftërat e popujve të Afrikës dhe Azisë për pavarësi nga sundimi kolonial në vitet 1950–1960; strategjinë shqiptare të rezistencës pasive kundër dominimit serb e lidhte me frymëzimin gandian.³ Duke përshkruar Ibrahim Rugovën dhe sistemin paralel shqiptar të arsimit dhe shëndetësisë, Zimmermann dokumentonte një shoqëri që po ndërtonte mekanizma të mbijetesës institucionale përballë përjashtimit nga strukturat shtetërore. Në vitin 1990 ai kishte arritur tashmë në përfundimin se politika e forcës e Miloševićit po i shtynte shqiptarët në një “path of no return toward complete independence from Serbia”; shkëputja psikologjike, sipas tij, ishte bërë e plotë.⁴
Dëshmia e Zimmermann-it është thelbësore pikërisht për debatin mbi simetrinë historike: para se UÇK-ja të bëhej forcë e rëndësishme ushtarake, ekzistonte tashmë një marrëdhënie thellësisht asimetrike ndërmjet shtetit serb dhe shumicës shqiptare të Kosovës. Prandaj, nëse vitet 1998–1999 izolohen nga procesi që nisi me suprimimin e autonomisë më 1989, përjashtimin institucional dhe represionin sistematik të viteve 1990, ekziston rreziku që pasoja të shkëputet nga shkaku dhe lufta të paraqitet si përplasje ndërmjet dy palëve që hynë në konflikt nga pozicione të krahasueshme. Pikërisht këtu merr kuptim parimi se përgjegjësia penale duhet të individualizohet, por historia nuk duhet të dekontekstualizohet.
Beteja për interpretimin e luftës
Nëse dëshmia e Zimmermann-it ndihmon për të kuptuar asimetrinë që i parapriu luftës, përvoja e Sérgio Vieira de Mello-s, administratorit të parë të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndriçon anën tjetër të problemit: mënyrën se si duhet interpretuar dhuna e periudhës së menjëhershme të pasluftës. Edhe këtu, dallimi ndërmjet përgjegjësisë penale dhe kontekstit historik mbetet thelbësor.
Një kundërargument i rëndësishëm ndaj interpretimit të dhunës së pasluftës si dëshmi e një armiqësie të pandryshueshme shqiptaro-serbe u formulua që në muajt e parë pas përfundimit të luftës nga Sérgio Vieira de Mello. Qëndrimi i tij nuk mbështetej në relativizimin e krimeve kundër serbëve dhe pakicave të tjera. Përkundrazi, në deklaratën e tij të fundit publike si administrator, ai i përkufizoi prerazi vrasjet, rrëmbimet, dëbimet me forcë, djegiet e shtëpive dhe plaçkitjet si “criminal acts”, duke theksuar se ato nuk mund të justifikoheshin me vuajtjet e shkaktuara më parë. Përfundimi i tij ishte normativisht i qartë: “Kosovo’s future must be built on justice, not vengeance.”
Pikërisht kjo qasje është relevante edhe për leximin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, i cili shtrihet edhe mbi periudhën e pasluftës. Krimet e kryera pas qershorit 1999 duhet të hetohen dhe përgjegjësia për to të individualizohet; por përfshirja e tyre në një proces penal nuk duhet ta shkëpusë këtë periudhë nga vakuumi institucional, kthimi masiv i refugjatëve, pasojat e represionit dhe trauma e një shoqërie që sapo kishte dalë nga lufta. Kontekstualizimi nuk është justifikim i krimit; është kusht për të mos e shndërruar përgjegjësinë e individëve në një interpretim të përgjithshëm historik të konfliktit.
Një paralajmërim të ngjashëm, por të orientuar më drejtpërdrejt drejt betejës për interpretimin e luftës, e formuloi Ismail Kadare vetëm gjashtë muaj pas përfundimit të saj. Në artikullin “Gagner la guerre, perdre la paix”, botuar në Le Monde më 14 dhjetor 1999, Kadare nuk i mohonte aktet e hakmarrjes së shqiptarëve ndaj serbëve; përkundrazi, kërkonte pa ekuivok dënimin dhe ndërprerjen e tyre. Por, njëkohësisht, ai paralajmëronte kundër një procesi tjetër: shfrytëzimit të krimeve të pasluftës për të relativizuar ose rishkruar atë që kishte ndodhur në Kosovë para dhe gjatë luftës. Sipas tij, propaganda serbe kishte nisur tashmë një fushatë për relativizimin e krimeve dhe vënien në dyshim të së vërtetës për Kosovën, përfshirë kontestimin e numrit të viktimave shqiptare dhe pretendimet se një pjesë e tyre ishin vrarë nga vetë UÇK-ja. Në këtë kuptim, përfundimi i luftës ushtarake nuk kishte sjellë edhe përfundimin e konfliktit mbi të kaluarën: beteja po zhvendosej nga terreni ushtarak në atë të kujtesës, informacionit dhe interpretimit historik.
E lexuar nga perspektiva e zhvillimeve të mëvonshme, ndërhyrja e Kadaresë merr një domethënie të veçantë. Ajo paralajmëronte që në fund të vitit 1999 se humbja ushtarake e regjimit të Miloševićit nuk nënkuptonte domosdoshmërisht edhe humbjen e betejës për interpretimin e luftës. Pikërisht këtu qëndron një nga paradokset e Kosovës së pasluftës: Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën, Miloševiqi përfundoi në Hagë dhe projekti i tij politik e ushtarak për Kosovën dështoi, por beteja për përcaktimin e kuptimit historik të konfliktit sapo kishte filluar. Në këtë kuptim, Miloševiqi mund të jetë larguar nga lokomotiva, por treni ideologjik i projektit të Serbisë së Madhe nuk u ndal me të. Ai vazhdoi të lëvizte në forma të përshtatura, përmes politikës së kujtesës, mohimit dhe relativizimit të krimeve, përmbysjes së raportit ndërmjet shkakut dhe pasojës, si dhe përpjekjeve për ta paraqitur Serbinë me një histori më të pastër sesa ajo që dokumentojnë luftërat e viteve 1990.
Në këtë perspektivë, disa elemente të kësaj vazhdimësie ideologjike gjejnë një artikulim të ri në konceptin e “botës serbe”. Ndryshe nga ekspansionizmi i hapur territorial i viteve 1990, ky koncept projekton ndikimin e Beogradit përmes instrumenteve politike, kulturore, fetare, mediatike dhe ekonomike mbi hapësirat ku jetojnë komunitete serbe. Në raport me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, kjo logjikë synon ruajtjen dhe forcimin e Beogradit si qendër referimi politik, kulturor dhe kombëtar, duke mbajtur të hapur një hapësirë ndikimi që i tejkalon kufijtë shtetërorë të Serbisë. Në këtë kuptim, aktgjykimi i 16 shtatorit nuk do të hyjë në një vakum politik: ai do të bëhet pjesë e një beteje tashmë ekzistuese për interpretimin e së kaluarës, legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës dhe raportin ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe historisë së një konflikti të pabarabartë. Pikërisht këtu drejtësia, historia dhe shtetësia e Kosovës takohen sërish — jo për t’u ngatërruar, por për t’u dalluar me kujdes.