PDK-ja përgatit nismën për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale
Dënimet drakonike dhe të padrejta të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së e kanë shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës të ndërmarr veprime në raport më këtë gjykatë.
Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë gati projektligjin për ndryshimin Ligjit pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar.
Gazeta Nacionale ka mësuar se juristët dhe ekspertët e kësaj e kanë përgatitur draftin për ndryshimin e këtij ligji.
Burimet e gazetës kanë mësuar se sot pritet një takim i ri në mes të Kryesisë së PDK-së dhe deputetwve të kësaj partie për të diskutuar këtë çështje.
Kjo nismë ende nuk dihet se kur do të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, dje ka bërë me dije se kjo parti do t`i ndërmarr të gjitha hapat ligjor dhe kushtetues për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Pas mbledhje se kryesisë, ai ka deklaruar se nuk po flitet për zhbërjen e Speciales, por për përshtatjen e një situate të re.
“Nuk po flasim për zhbërjen e Speciales, po flasim për përshtatjen në një situatë të re.”, ka thënë ai.
Në funksion të ndërmarrjes së hapave për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, Hamza dje ka takuar liderët e VV-së, LDK-së dhe AAK-së.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka dhënë disa detaje për këto diskutime.
“Sot, me kërkesën time, pas vendimit në Hagë, u takova ndaras me tre liderët e partive parlamentare, z. Kurti, z. Abdixhiku dhe z. Gjini.I falënderoj të tre për takimet.Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë”, ka shkruar Hamza.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të mërkurën kanë dënuar me 81 vite burgim ish-krerët e UÇK-së.
Kjo gjykatë, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin i ka dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Ky vendim ka nxitur reagime dhe kundërshtime të fuqishme në Kosovë.
Institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe qytetarët nuk e kanë pranuar këtë aktgjykim, duke e konsideruar të padrejtë dhe si përpjekje për ndryshimin e historisë së Kosovës.