Ekskluzive: Emërllahu refuzon ftesën e Shqipërisë, zgjedh të luajë për Kosovën
Gazeta Nacionale përmes burimeve të saj mëson se mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, ka refuzuar ftesën e Shqipërisë, duke shprehur dëshirë që të luajë për Kosovën. Ai tashmë është ftuar nga Giresse.
Lindon Emërllahu po kalon në një formë të shkëlqyer me Ballkanin. Falë paraqitjeve të tij të mira, ai është vënë në shënjestër jo vetëm të Kombëtares së Kosovës, por edhe asaj të Shqipërisë.
Mirëpo në bazë të informatave që posedon Gazeta Nacionale, lojtari ka zgjedhur që ta pranojë ftesën e Kosovës para asaj të Shqipërisë, duke u dhënë përparësi “dardanëve”.
Kësisoj, ai do të jetë në gatishmëri të përzgjedhësit Alain Giresse për dy ndeshjet kualifikuese që do t’i luajë Kosova në fund të muajit shtator ndaj Irlandës Veriore në udhëtim dhe Qipros në “Fadil Vokrri”.
Ai ishte prej më të dalluarve mbrëmë në ndeshjen kundër Clujit në Ligën e Konferencës, duke vënë në spikamë të gjithë potencialin e tij, i cili nuk është i zakonshëm për lojtarët e moshës që ka në futbollin kosovar.
Një ftesë e merituar
Nuk mund të thuhet që është rastësor interesimi i zyrtarëve të Kombëtares së Shqipërisë për të, marrë parasysh se një numër i madh i lojtarëve qoftë nga kampionati vendor kosovar, ashtu edhe i gjithë atyre që luajnë jashtë territorit të Kosovës – janë në shënjestër për t’u rekrutuar te "kuqezinjtë" tani e shumë kohë. Madje, nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim ndokush nga lojtarët e grupmoshave të reja të Kosovës të kalojë te Shqipëria, sipas informacioneve që vijnë nga burimet e Gazetës Nacionale afër kampit të kombëtares kuqezi në Tiranë.
Gjithsesi, në rastin konkret te 19-vjeçari prevalvoi dëshira e lojtarit ishte që të luajë me Kosovën dhe të kontribuojë për vendin ku është lindur e rritur, pa i hequr aspak peshë e rëndësi interesimit të Shqipërisë.
Emërllahu fitoi gradualisht besimin e trajnerit Ilir Daja, duke bërë që të shndërrohej në një prej më të besuarve të tij. Një formë konstante, e shoqëruar me një përgatitje të mirë fizike, kanë bërë që t’i befasojë shumë prej dashamirësve të futbollit.
Kombëtarja e Kosovës tani do të mund të llogarisë në një mesfushor me një të ardhme premtuese, i cili shumë shpejt karrierën e tij pritet ta vazhdojë jashtë vendit. Në një kohë të përshtatshme, kur të vijë një ofertë e cila do t’i kënaqte të gjitha palët, përfshirë vetë klubin e Ballkanit – do të bënte të mundur që të realizohej edhe ky transferim.

Deri atëherë ai ka të gjithë të drejtë e botës t’i gëzohet cakut më të madh që mund ta arrijë në futbollist i ri: veshjen e fanellës të Kombëtares së vet, duke e përfaqësuar atë me nder dhe krenari.

