Hamza: Nga sot fillon një fazë tjetër, PDK do të veprojë me të gjitha mjetet demokratike e institucionale - NACIONALE

Hamza: Nga sot fillon një fazë tjetër, PDK do të veprojë me të gjitha mjetet demokratike e institucionale

34 minuta më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk do ta pranojë shkeljen e Kushtetutës, duke paralajmëruar se nga sot kjo parti do të hyjë në një fazë të re të veprimit për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

Në një deklaratë për media nga salla e Kuvendit, Hamza tha se situata e krijuar tashmë nuk mund të konsiderohet thjesht si një përplasje politike mes dy subjekteve apo liderëve.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se pushteti nuk mund t’i trajtojë Kushtetutën, vendimet e gjykatave dhe obligimet institucionale sipas interesit politik.

Hamza theksoi se institucionet duhet t’i respektojnë vendimet e gjykatave dhe dispozitat kushtetuese, pavarësisht interesave politike.

“Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Dhe kur Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konstaton se deputeti nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit, nuk mund të sillesh sikur gjykata nuk ka folur”, tha ai.

Kreu i PDK-së foli edhe për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për 9 shtator.

“Tash, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që e ka përcaktuar vetë Vetëvendosje. Por Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta. Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Hamza paralajmëroi se PDK-ja nuk do të kufizohet vetëm në kërkesat për respektimin e ligjshmërisë, por do të ndërmarrë veprime konkrete për rikthimin e saj.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”.

Lajme të ngjashme