Paraqitja për kartolinë e Emërllahut në Ligën e Konferencës, sinjal për Alain Giresse - NACIONALE

Paraqitja për kartolinë e Emërllahut në Ligën e Konferencës, sinjal për Alain Giresse

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Lindon Emërllahu nuk gaboi thuajse asgjë mbrëmë kundër Clujit, në ndeshjen debutuese të Ballkanit në Ligën e Konferencës, e cila përfundoi me rezultat 1:1. Një paraqitje sublime para syve të Giresse.

Kur Ilir Daja vendosi t’i japë besim mesfushorit 19-vjeç, Emërllahu, disa ishin skeptikë për këtë zgjedhje, aq më shumë që Ballkani kishte një kalendar ndeshjesh tejet të rëndësishme para vetes, në pritje të kualifikimit për në grupet e Ligës së Konferencës, gjë të cilën e arriti në fund të muajit gusht.

Kanë qenë vetë paraqitjet e Emërllahut ato që kanë bërë që ta shpaguajë në tërësi të gjithë besimin e dhënë nga stafi teknik.

Armend Thaçi si një lojtar tashmë që nuk përbën lajm, shënoi golin e vetëm në ndeshje. Mirëpo ai që sërish bëri që të gjithë të flisnin për të ishte Emërllahu.

Pjekuri, angazhim i madh në fushë dhe vizion

Sypatrembur, duke mos dalë nga vetja dhe duke aplikuar futbollin që i pëlqen, pavarësisht nga karakteristikat apo fuqia e kundërshtarti. Pak a shumë kështu mund ta përshkruajmë përmbledhtazi qasjen e vënë në pah nga Emërllahu në ndeshjen e djeshme kundër ekipit rumun Cluj apo në ndeshjet tjera gjatë javëve të kaluara.

Luajti tërë ndeshjen dhe ishte arkitekti kryesor i sulmeve që nisnin dhe merrnin formë nga pjesa e gjysmëfushës për skuadrën kampione kosovare.

Në një sfidë ku Ballkani jo gjithherë pati qarkullimin e topit në favor të vet, ai ishte shumë i qartë sa herë që vihej me topin në pronësi. Sa herë është vënë në kontakt me topin, gjente me lehtësi krahët e sulmit, të cilët viheshin në pozitë të mirë për të krijuar superioritetin numerik me anë të driblimeve një kundër një.

Saktësia e pasimeve (97%) të mesfushorit 19-vjeçar ishte mahnitëse. Kjo u vë në spikamë edhe nga aksionet e kompletuara me sukses (88%) kur nisnin nga këmbët e tij. Në të gjithë ndeshjen nëse mund t’ia përmendim një lëshim është pikërisht vetëm një top i humbur.

Sidoqoftë, ai ishte një ndihmesë e vërtetë për repartin e mbrojtjes, duke rikuperuar shpesh topa (5), të cilët kishin mundësi të krijonin situata të pakëndshme për ekipin therandas. Kur mbrojtja e Ilir Dajës vihej në vështirësi, ishte vetë Emërllahu i pari ai që përgjigjej menjëherë duke i ardhë në ndihmë. Ai fitoi një numër të madh të dueleve në mbrojtje (73%).

Me të gjitha këto parametra dhe duke dijtur që ishte vetëm ndeshja e parë e tij në një rëng të tillë të garave, duhet përshëndetur e gjithë shkalla e lartë e pjekurisë që ka demonstruar.

Shkëlqim para syve të Giresse

Nga shkallët e stadiumit për ta parë Ballkanin (e rrjedhimisht edhe shumë lojtarë shtetas kosovarë që përbëjnë shumicën e formacionit titullar, përfshirë vetë Emërllahun), ishin edhe dyshja e Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti dhe Alain Giresse, respektivisht Drejtori i Kombëtares dhe përzgjedhësi i Kombëtares A.

Në pjesën e fushës që mbulon mesfushori i ri i Ballkanit, Kosova ka një mungesë të madhe të lojtarëve, pasi edhe ata që janë në gatishmëri ose kanë rënë tej mase nga rendimenti i tyre i dikurshëm, ose janë të lënduar e pa minuta në ekipet përkatëse.

Pas paraqitjeve në fazën kualifikuese dhe në ndeshjet e para në kampionat, Emërllahu në mënyrë meritore i është imponuar Kombëtares së Kosovës që të shqyrtohet ftesa e mundshme e tij, e cila do të ishte e përligjur, duke dijtur edhe faktin se “dardanët” i luajnë dy ndeshjet e fundit vetëm sa për formalitet, pasi gjasat që të kualifikohen kanë rënë përfundimisht pas humbjeve që pësuan ndaj Greqisë qoftë si nikoqirë, ashtu edhe si mysafirë.

Lajme të ngjashme