Sahiti: Bisedimet me Kamerin ishin shumë pozitive, Alain Giresse do të jetë i pranishëm në ndeshjen Ballkani – Cluj
Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet më 19 shtator, derisa negociatat e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) me talentin e Red Bull Salzburgut, Dijon Kameri kanë qenë shumë pozitive, kështu thotë drejtori Muharrem Sahiti gjatë një bisede për gazetën Nacionale.
“Dardanët” do të zhvillojnë dy ndeshje të rëndësishme këtë muaj, ndaj Irlandës Veriore, respektivisht Qipros, pavarësisht që nuk ka më gjasa për pozitën e parë në tabelë.
Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti në një bisedë për Nacionalen thotë se Giresse ka nisur ta krijojë listën dhe që do të jetë i pranishëm ditën e enjte në stadium për të parë nga afër sfidën Ballkani – Cluj.

“Po, përzgjedhësi i Kosovës (Alain Giresse) ka nisur krijimin e listës prandaj edhe është në Kosovë që dy ditë. Zgjidhja e listës do t’i takojë atij. Ai do të jetë i pranishëm për ndeshjen e Ballkanit ndaj Cluj dhe mbetet të shihet”.
Sahiti konfirmon se lista do të publikohet këtë javë, ose maksimumi në fillimin e javës tjetër pasi lojtarët tanë do të grumbullohen më 19 shtator.
“Një listë e ka bërë, por nuk është përfundimtare. Besoj që brenda javës ose maksimumi deri në javën e ardhshme do të publikohet për të gjithë. Përzgjedhësi (Alain Giresse) ka vendosur që grumbullimi i lojtarëve të bëhet më 19 shtator, prandaj edhe lista do të publikohet më herët”.

I pyetur për shërbimet e talentit të Red Bull Salzburg, Dijon Kameri, i cili së fundmi ka shprehur gatishmëri që ta përfaqësojë Kosovën, Sahiti thekson se ka gjasa që ai të vijë dhe që bisedimet kanë qenë shumë pozitive.
“Po ka mundësi që ai (Dijon Kameri) të vijë te Kosova. Kontakte me lojtarin kemi pasur më herët, por vazhdojmë të kemi. Bisedimet e fundit kanë qenë shumë pozitive. Është mirë që lojtari po lavdërohet tani, luan edhe në Ligën e Kampionëve. Zgjedhja e fundit do t’i takojë atij”.
Në fund, ai shtoi se nuk do të zhvillohet asnjë miqësore këtë muaj, përpos dy ndeshjeve zyrtare.
“Jo, ndeshje miqësore këtë muaj nuk do të zhvillohen asnjë. Kemi dy ndeshje zyrtare ndaj Irlandës Veriore (24 shtator) dhe pastaj Qipron (27 shtator). Në tetor dhe nëntor pastaj shohim mund edhe të zhvillojmë ndonjë ndeshje”, përfundoi ai për Nacionalen.

Pavarësisht optimizmit në fillim, Kosova sërish nuk ka gjasa që ta kalojë grupin C të Ligës së Kombeve, pas dy humbjeve që pësoi kundër Greqisë.
"Dardanët" kanë gjashtë pikë të mbledhura, duke qenë prapa Greqisë, që nuk di për humbje (12 pikë) pas katër xhirove të para, derisa kanë mbetur edhe dy ndeshje pa zhvilluar.
Për Kosovën, tani shansi i vetëm që të dërgon në Kampionatin Evropian janë kualifikimet, me shortin që do të tërhiqet më 9 tetor 2022.