Trumpi thotë se bisedimet me Iranin do të vazhdojnë, por armëpushimi është kryer
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se vendi i tij është pajtuar që t’i vazhdojë bisedimet me Iranin, por ritheksoi se armëpushimi me Teheranin ka marrë fund. Irani, ndërkohë, kërcënoi se do t’i zgjerojë sulmet hakmarrëse, duke e vënë në shënjestër edhe Izraelin.
“Republika Islamike e Iranit ka kërkuar nga ne që t’i vazhdojmë bisedimet. Ne jemi pajtuar për ta bërë këtë, por Shtetet e Bashkuara u kanë thënë atyre, pa ndonjë mëdyshje, se armëpushimi ka përfunduar” – shkroi ai në rrjetin “Truth Social”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Shkrimi i presidentit erdhi në kohën e raportimeve se ndërmjetësit nga Katari, Pakistani dhe vende të tjera kishin bërë përpjekje për ta qetësuar situatën mes ShBA-së e Iranit dhe për ta parandaluar dështimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në përgjithësi.
Një delegacion nga Katari e vizitoi Iranin të premten, sipas agjencisë së lajmeve “Tasnim”. Mediumi amerikan, “Axios”, raportoi se kjo vizitë ishte e bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara dhe citoi një diplomat të ketë thënë: “Është e qartë se të dyja palët dëshirojnë që të kthehen te Memorandumi i Mirëkuptimit.”
Sipas mediumit “Axios”, ndërmjetësit kishin menduar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin bërë përparim drejt një pakti bërthamor gjatë bisedimeve të mbajtura para përshkallëzimit të gjendjes.
Disa orë para publikimit të shkrimit të Trumpit në rrjetin “Truth Social”, sekretari i Këshillit Kombëtar Suprem të Iranit kërcënoi me shënjestrim të Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të forcave amerikane.
Në Izrael, transmetuesi publik raportoi se disa figura dëshirojnë që t’i rinisin sulmet ndaj Iranit, por po e prisnin dritën e gjelbër nga Trumpi për ta bërë këtë./Nacionale