Bishat mbi motoçikleta, vrasësit e heshtur që po e shkatërrojnë shëndetin e njerëzve
Në letra, Kosova ka vetëm 9,916 motoçikleta që figurojnë të regjistruara. Duke e përqasur me statistika nga rajoni, ky numër duhet të jetë së paku dyfish më i lartë. Ndonëse çdo javë ka njoftime për gjobitje, Policia e Kosovës duket se i ka çuar duart e dorëzimit përballë motoçiklistëve që po i terrorizojnë lagjet e kryeqytetit. E përkufizuar si ndotje akustike – sipas rregulloreve e direktivave të BE-së – zhurma e motoçikletave për nga decibelët është më e madhe se e veturave të zakonshme dhe mjeteve të tjera. Përveç problem urban, ndotja akustike sipas shkencës rëndon keq mbi shëndetin e njerëzve duke u bërë përgjegjëse për sëmundje kardiovaskulare e deri te problemet me shëndetin mendor.
8 korrik 2026 – Nga rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës e deri në Veternik, ngasësit e motoçikletave e kanë kthyer në pistë ditore.
Zhurma e motoçikletave me decibelë jashtë çdo kufiri është tortura akustike e banorëve kudo në kryeqytet.
Plot syresh arrijnë edhe 120 decibelë që është pragu ku shkaktohet dhimbje.
Kjo është vetëm njëra nga pjesët e Prishtinës që përjetojnë terrorin e ngasësve kryesisht të rinj.
Të martën, Policia e Kosovës e kaloi ditën me 57 gjobëvënie ndaj drejtuesve të motoçikletave.
Pos kundërvajtjeve të ndryshme në trafik, si shpejtësia dhe mungesa e pajisjeve të sigurisë, ngasësve iu shqiptuan gjoba edhe për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Ndonëse plani operativ i uniformave blu ‘Kontrolli i Motoçikletave’ ka ambicien për të rritur sigurinë në trafik dhe ruajtur qetësinë publike, gjendja në terren duket e pashpresë.
Legjislacioni në fuqi vë kufizime për ndotjen që vjen nga zhurmat, por ankesat e vazhdueshme të qytetarëve nxjerrin në pah mangësi të thella e strukturore të institucioneve të sigurisë për të frenuar një nga burimet e ndotjes akustike, siç janë motoçikletat.
I hyrë në fuqi në vjeshtën e vitit 2008, Ligji Nr. 02/L-102 për Mbrojtjen nga Zhurma kishte marrë përsipër që të shmangte, parandalonte dhe zvogëlonte efektet e dëmshme nga ekspozimi i zhurmës.
Qëllimi i tij ishte që të krijoheshin masat për zvogëlimin e zhurmës së emituar nga burimet e mëdha, përfshirë edhe ato rrugore.

Motoçikleta e skuterë të sekuestruar në kryeqytet (Burimi: Policia e Kosovës)
Numri i motoçikletave midis statistikave dhe paushallit
Të dhënat më të përditësuara mbi përdorimin e motoçikletave shfaqin një prirje rritëse gjatë tri viteve të fundit.
Më 2025, në Kosovë u regjistruan zyrtarisht 9,916
motoçikleta.
Edhe pse ekspertët flasin se kjo shifër mund të jenë larg më e madhe për shkak të një numri të paregjistruar, vendi brenda një dekade përjetoi rritje të pesëfishtë të ‘flotës’ së motoçikletave.
Rritja e përdorimit të motoçikletave i përket veçmas periudhës pas pandemisë.
Për shembull, më 2023 ishin të regjistruara 5,379
motoçikleta, kurse një vit më pas, më 2024, ky numër fluturoi në 7,967 sosh.
Për aq sa shkojnë të dhënat e paraqitura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vendi pati një numër relativisht të vogël të mjeteve të tilla më 2015 ku qenë të regjistruara vetëm 1,849.
Më 2018 u regjistruan 2,038
motoçikleta, ashtu sikurse edhe më 2019 ku të regjistruara ishin 2,087.
Në gjithsejtin prej 546,551 mjetesh motorike e jomotorike sa u regjistruan vitin e kaluar, motoçikletat kanë një hise prej 1.81 për qind të strukturës së përgjithshme.
Tabelë krahasuese mbi strukturën e mjeteve motorike dhe jomotorike të regjistruara në Kosovë mes viteve 2015-2025 (Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës)
Motoçikletat, të parat për ndotjen akustike urbane
Pavarësisht kësaj përqindje, motoçikletat janë shpërpjestimisht më të zhurmshme sesa makinat dhe mjetet e tjera në trafikun urban.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, trafiku rrugor përbën burimin kryesor më të madh të ndotjes mjedisore në Evropë; dhe në këtë ndotje motoçikletat llogariten si njëri nga kontribueset kryesore.
Sipas ‘kanonit’, zhurma matet me decibelë dB(A), ku shkalla e tyre është logarithmike: një rritje prej 10dB vlerësohet si gati dyfishi i zhurmës për veshin njerëzor; një rritje prej 3dB paraqet dyfishin e energjisë zanore.

Në të vërtetë, nivelet e zhurmës varen nga shpejtësia, përshpejtimi, distanca e matjes dhe gjendja e sistemit të shkarkimit.
Nëse një veturë e zakonshme udhëtarësh ka një nivel zhurme prej 65-72 dB(A), ajo e një motoçiklete është më e lartë.
Një motoçikletë standarde ka një nivel zhurme nga 75-90 dB(A), derisa motoçikletat me performancë të lartë zhurme mbërrijnë deri në 90-100+dB(A).
Sa për krahasim, niveli i një autobusi është 75-85 dB(A), kurse i një kamioni me tonazh të rëndë 80-90 dB(A).
Kësodore, motoçikletat i tejkalojnë veturat e zakonshme për 5-10 dB, sidomos gjatë ndërrimit të shpejtësisë.
BE-ja gjithnjë e më e vendosur kundër zhurmës së motoçikletave
Bashkimi Evropian ka filluar me një qasje mjaft proaktive kur bëhet fjalë për kontrollet mjedisore dhe ndotjen që vjen nga zhurmat.
Përpjekjet më të reja kanë për synim në pakësimin e niveleve të lejuara të decibelëve nga motoçikletat; sipas këtyre rregulloreve, të gjitha motoçikletat e reja nga 2025-a e tutje duhet t’iu përmbahen kufizimeve më të rrepta për zhurmat.

Këto rregulla të reja do të vlejnë si për prodhuesit ashtu edhe për ngasësit.
Në legjislacionin e BE-së në fuqi janë Rregullorja 168/2013 e cila përcakton pragun se sa duhet të jetë zhurma e një motoçiklete, ku parashihen kontrolle për prodhuesit sipas testeve laboratorike.
Po kështu edhe Direktiva 2002/49/EC adreson zhurmën e të gjitha automjeteve në qytete, duke bërë matje afatgjate dhe përcaktim të politikave të planifikimit urban.
Psikologjia e zhurmuesve ose vrasësve të heshtur
Që prej pandemisë e këndej, shkencëtarët u kanë rënë këmbanave të alarmit sesi ndotja akustike po e dëmton më shumë se kurrë shëndetin – në vjeshtën e 2021-s, Shoqata Amerikane e Shëndetit Publik e shpalli zhurmën si rrezik për shëndetin.
Edhe Agjencia Evropiane e Mjedisit, një vit më herët, kishte vlerësuar se ekspozimi ndaj zhurmës shkaktkon rreth 12 mijë vdekje të parakohshme dhe 48 mijë raste të sëmundjeve të zemrës çdo vit në Evropën Perëndimore.
Në Kosovë, ndryshe nga disa vende në rrethepërqark, nuk ka të dhëna e as studime për strukturën moshore të përdoruesve të motoçikletave.
Nga dëshmitë rrethanore, grupmoshat e reja shfaqen mbizotërueshëm përdoruese të motoçikletave e skuterëve.

Studime shkencore që zhbirojnë sjelljen e vozitësve të rinj vënë në pah se grupet e reja, veçmas meshkujt e moshave 18-25 vjeçe, shfaqin nivele të larta të personalitetit që quhet ‘kërkim i sensacionit’.
Gjithnjë sipas kërkimeve, aktivitetet e cilësuara si të rrezkishme prodhojnë doza të larta dompanie e adrenaline.
Në rastin konkret të përdorimit të motoçikletave, zhurma e lartë e motorit funksionon si ‘përforcues auditiv’ i shpejtësisë, duke e bërë më të fortë përvojën vizuale dhe fizike ashtu sikurse edhe ngazëllimin emocional.
Thuhet po kështu se zhurma e madhe e motoçikletave luan rolin e një sinjalizuesi shoqëror, që i detyron njerëzit të kthejnë kokën e kështu vozitësi fiton një ndjenjë të rreme të fuqisë e rëndësisë.
Rrënjet sociologjike të motoçiklistëve poterxhinj
Në një tablo më të gjerë sesa Kosova, me shembuj nga mbarë bota, përdorimi i motoçikletave shpjegohet edhe me faktorë të tjerë.
Përvoja nga shtete me të ardhura të ulëta në Azi, si për shembull India, tregon se pronësia mbi motoçikleta është gjithnjë e në rritje.
Nga këndvështrimi sociologjik, ky përdorim ndonjëherë është lidhur edhe me mbikëqyrjen gjithnjë e më pak strikte të prindërve ndaj fëmijëve, mungesën e patrullimit lokal nga policia, dhe shkalla përgjithësisht e ulët e vetëdijës publike ndaj zhurmës si ndotje akustike.
Pasojat e një dukurie të tillë janë një peizazh i shquar prej trafikut të bllokuar, ndotjes së ajrit, aksidenteve, zhurmës, etj.
Motoçikletat ‘vrasëse’ të shëndetit – nga problemet kardiovaskulare te ato mendore
Por, kërkimet shkencore shkojnë edhe një hap më tej duke zbardhur dëshmi të besueshme sesi përdorimi i zgjeruar i motoçikletave ecën dorëpërdore edhe me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Simbas një studimi të botuar vjet në European Heart Journal, shkencëtarët në Gjermani e Belgjikë vunë re se motoçikletat janë një burim i nënvlerësuar si ndotës i ajrit dhe zhurmues, duke kontribuar në inflamacione, stress e ndryshime të tjera biologjike të lidhura me sulmet në zemër e tru.
Sipas gjetjeve të këtij ekipi, motoçikletat lirojnë nivele të larta të pjesëzave ultrafine (UFP), që janë ndotës mikroskopikë që mund ta gjejnë udhën drejt mushkërive e të kalojnë në gjak.
Me këtë rast, këto pjesëza shkaktojnë inflamacon, stres oksidativ dhe dëmtim të mureve të enëve të gjakut, çka në prapakthim çon drejt shtypjes së gjakut, altherosklerozës, sulmeve në zemër dhe tru.

Gjetja tjetër e këtij ekipi shkencëtarësh ishte se rreziku i dytë nga motoçikletat është se ato janë prej mjeteve më të zhurmshme në vendet urbane, duke tejkaluar 90 deri në 100 decibelë gjatë shpejtësisë.
Përballja e vazhdueshme me këtë nivel zhurme ngacmon përgjigjjen stresuese të trupit, rritje nivelesh të kortizolit dhe adrenalinës, që e ngrenë shtypjen e gjakut, e çrregullojnë gjumin, dhe shkaktojnë dëme largvajtëse kardiovaskulare.
Ferri urban
Në vende të tjera, që karakterizohen prej rregullit dhe standardeve të jetës publike, si puna e Austrisë, motoçikletat shihen si ndër shkaktarët kryesorë të cingëritjes (irritimit) publik.
Edhe atje shfaqja e kësaj dukurie i është nënshtruar studimeve më të thukta mbi ndikimin e ndotjes akustike që vjen nga motoçikletat.
Sipas studiuesve austriakë, nivelet tepër të larta të zhurmës zhgrehin problem psikologjike e shëndetësore për njerëzit, të tilla si pagjumësia, rënia e përqëndrimit, pamundësia e relaksimit, ashtu sikurse edhe problemet kardiovaskulare.

Meqë është bërë problem që kërkon adresim, në vende si Gjermania, ekspertët gjithnjë e më shumë po kryejnë studime psiko-akustike.
Si pikë krahasimtare, ata marrin rekomandimet e bëra nga Komisioni Ndërkombëtar mbi Pasojat Biologjike të Zhurmës (International Comission on Biological Effects of Noise – ICBEN).
Shqetësimi dhe irritimi publik nga zhurma e motoçikletave është më i madh veçanërisht në muajt e verës.
Një krahasim me rajonin, Shqipëria prin me motoçikleta
Në rajon, shteti amë, Shqipëria, prin dukshëm me numrin më të madh të motoçikletave.
Duke u mbështetur në të dhënat e vjetme të INSTAT-it, nga një numër prej 1,048,092 mjetesh, motoçikletat me afër 64 mijë copë përbëjnë 6.1 për qind të këtij totali.
Stoku i motoçikletave në Serbi vjen i dyti me 24,579 skuterë dhe 39,513
motoçikleta.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas një të dhëne në MAKSTAT, numri i motoçikletave është 33,989.
Në anën tjetër, në Mal të Zi, sipas institucioneve rëndësore që merren me statistika, numri i regjistruar i motoçikletave është 5,169. /Nacionale/