Gjykata Themelore në Pejë rihap rastin e Gllogjanit, ku mbetën të vrarë tre persona
Gjykata Themelore e Pejës ka rihapur gjykimin ndaj ratit të vrasjës së trefishtë të vitit 2021 në Gllogjan të Deçanit.
Leon Perlaska, i cili foli në emër të trupit gjykues, ka thënë se arsyeja e rihapjes së këtij gjykimi është se Prokuroria ka paraqitur një videoincizim ku Kreshnik Mehmetaj, njëri nga të akuzuarit, shihet duke gjuajtur me armë në bjeshkë dhe pretendohet se e njëjta armë është përdorur për kryerjen e krimit të rëndë në fjalë.
"Arsyeja pse kjo Gjykatë ka vendosur për rishqyrtim është se Prokuroria e Shtetit, në fjalën përfundimtare të saj, duke e trajtuar videoincizimin ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në bjeshkë, incizim i cili është paraqitur para kësaj Gjykate, ka paraqitur pretendimin se arma që shihet në video është arma e përdorur për kryerjen e krimit. Ky pretendim është paraqitur formalisht nga Prokuroria në fjalën përfundimtare”, thuhet ndër të tjera në vendimin e trupit gjykues të udhëhequr nga Leon Perlaska. Në anën tjetër, trupi gjykues, pas këshillimit dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka gjetur se gjatë fazës së hetimeve, Policia kishte kontrolluar pikërisht vendin në bjeshkë ku i pandehuri Kreshnik Mehmetaj shihet duke gjuajtur me armë. Gjatë këtij kontrolli, në bjeshkë janë gjetur 13 gëzhoja dhe një fishek, për të cilat ishte urdhëruar ekzaminimi balistik. Në shkresat e lëndës gjendet raporti i ekspertizës me numër AKP 2022 2700/2022-2627, të datës 27.07.2022, mirëpo ky raport nuk ishte propozuar nga Prokuroria për administrim si provë. Andaj, Gjykata ka vlerësuar se ky raport, së bashku me dokumentacionin përcjellës, duhet të administrohet gjatë gjykimit të rihapur”, thuhet në vendimin e trupit gjykues të udhëhequr nga Leon Perlaska.
Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj akuzoheshin për vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur më 26.11.2021, kur një autobus, i cili i transportonte nxënësit e shkollave të mesme nga Gjakova për në Deçan, ishte gjuajtur me armë zjarri në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit.
Në këtë rast kishin mbetur të vdekur shoferi i autobusit, G.Gj., si edhe dy nxënës, L.H., 17 vjeç, dhe G.M., 17 vjeç.
Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?
Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H.M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.
Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj., i cili u vra në sulmin kundër autobusit./Nacionale