Kurti dhe Abdixhiku diskutojnë për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin, pajtohen për takime të tjera - NACIONALE

Kurti dhe Abdixhiku diskutojnë për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin, pajtohen për takime të tjera

2 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar takim për çështjet që lidhen me formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Pas takimit, Kurti tha se kjo ishte vetëm biseda e parë dhe se takime të tjera do të pasojnë, duke premtuar transparencë para publikut.

“Kemi diskutuar edhe për Qeverinë, edhe për Kuvendin, kemi diskutuar edhe për presidentin”, tha Kurti.

“Ne jemi të interesuar që të mos ketë zgjedhje”, shtoi ai.

Sipas Kurtit, Kushtetuta kërkon që presidenti të jetë shprehje e vullnetit të popullit, ndërsa për zgjedhjen e tij palët “duhet të jemi konsensualë”. Ai pranoi se sigurimi i 80 votave të nevojshme në Kuvend është i vështirë.

Ndërkaq, Abdixhiku deklaroi se LDK-ja nuk do të japë vota për një marrëveshje politike në të cilën nuk ndihet e përfaqësuar.

Ai tha se partitë po përpiqen t’i shmangin zgjedhjet e reja, pasi, sipas tij, nuk ka arsyetim para qytetarëve për një proces të ri zgjedhor. Megjithatë, Abdixhiku bëri të ditur se ende nuk është arritur konsensus rreth parimeve të një marrëveshjeje.

“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë për më pak se një vit e gjysmë”, tha kryetari i LDK-së.

“Në këtë fazë, u dakorduam që të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, pra, edhe një herë po them, të katërtat me radhë”, shtoi ai.

I pyetur për praninë e ish-presidentes Vjosa Osmani në takim, Abdixhiku tha se ajo ishte e pranishme në cilësinë e bartëses së listës së LDK-së.

Sa u përket kushteve të mundshme për marrëveshje, Abdixhiku tha se “në këtë fazë po flasim për parimet dhe vlerat rreth të cilave duhet të diskutojmë”.

Duke folur për çështjen e presidentit, ai shtoi se palët ende “nuk kemi arritur që të flasim për emra të përveçëm”.

Lajme të ngjashme