Ushtria izraelite thotë se ka vrarë tre komandantë të Hamasit në Gaza
Forcat Mbrojtëse të Izraelit të premten thanë se tre komandantë të Hamasit u vranë përmes sulmeve ajrore në Gaza, përfshirë një që e kishte bastisur bazën “Re’im” të ushtrisë izraelite në jug të vendit gjatë sulmeve të 7 tetorit të vitit 2023.
Yahya Saeed Mohammed Hamdan, komandant i një celule në forcën elite Nukhba të Hamasit, u vra të enjten në jug të Gazës, njoftoi ushtria.
Sipas Forcave Mbrojtëse të Izraelit, ai rishtazi kishte punuar për t’i avancuar sulmet ndaj trupave si dhe për t’i rikthyer kapacitetet e Hamasit, prandaj “paraqiste kërcënim të menjëhershëm”.
Nga një sulm tjetër të enjten thuhet se u vra Osama Walid Deeb Muhareb, i cili nga ushtria u identifikua si komandant kompanie në Batalionin Nuseirat të Hamasit, raporton gazeta "The Times of Israel".
Të mërkurën, një sulm në pjesën veriore të Gazës e la të vrarë Khalil Jamal Khalil Manna-n, të cilin ushtria izraelite e identifikoi si komandant në divizionin për prodhimin e armëve në Hamas.
Muharebi dhe Manna “paraqisnin kërcënim” ndaj trupave izraelite dhe për këtë arsye u vunë në shënjestër të sulmeve, tha ushtria.
Në një njoftim tjetër, ushtria izraelite tha se rishtazi shkatërroi pesë tunele të Hamasit me gjatësi prej rreth dy kilometrash në pjesën veriore të Rripit të Gazës, në anën izraelite të vijës së armëpushimit. Operacionet u drejtuan nga rezervistët e Brigadës së 14-të t Armatosur.