Idriz Voca sheh dritë në Itali, paraqitja e tij ngjall shpresë për rikëndellje - NACIONALE

Idriz Voca sheh dritë në Itali, paraqitja e tij ngjall shpresë për rikëndellje

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Idriz Voca ka hasur në vështirësi të mëdha gjatë gjysmësezonit të parë në Serie B me Cosenzan. Mirëpo, edicioni i ri duket që ka nisur dukshëm më mirë për të.

Prej një kohe relativisht të gjatë kishte mbetur pa skuadër. Më pas, Idriz Voca, i gjendur në një situatë ku ishte pa kontratë dhe si lojtar i lirë, vendosi që ta vazhdojë karrierën te klubi kalabrez, Cosenza.

Mesfushori 25-vjeç ishte shumë i margjinalizuar në fushë, gjatë kohës kur atij i jepej hapësira e minutazhit nga trajneri i skuadrës italiane.

Për shumëkë mund edhe të përfundonte në listën e lojtarëve për t'u larguar, por dallimin e madh e bëri fakti që ai u vlerësua me paraqitje tejet të mira gjatë fazës parapërgatitore, ku ishte edhe një test i rëndësishëm për të, nëse mund ta bindte ose jo trajnerin Dionigi. Për fatin e tij të mirë, gjërat rodhën në formën më të përsosur.

Paraqitja shumë e mirë e Vocës kundër Beneventos

Cosenza arriti të fitojë me rezultat 0:1 në udhëtim kundër Beneventos, në një sfidë ku me të drejtë llogaritej si outsider. Një impakt të rëndësishëm në këtë rezultat e pati edhe mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Idriz Voca, që luajti për 90 minuta.

Thënë ndryshe, ajo çfarë dëshmoi në fushë ishte një stabilitet, i mbështjellë me tipare tjera, si angazhimi maksimal dhe ekuilibri që arriti ta mbajë në mesfushë.

Për mrekulli ia doli ta bëjë edhe atë që di më së miri ose më saktësisht neutralizimin e aksioneve sulmuese, duke u shndërruar në një digë për mesfushën e ekipit kalabrez. Paraqitja e tij e plotë në fushë, pa u zëvendësuar, dëshmon edhe nivelin shumë të kënaqshëm të përgatitjes fizike, e cila muaj më herët ishte e mangët tek ai.

Edhe pse Voca nuk është se karakterizohet për saktësi enorme në pasime, gjatë ndeshjes së fundjavës, kundër Beneventos, edhe në këtë pikë qëndroi mjaft mirë, pasi në 84% të rasteve ai u shqua me një saktësi të pëlqyeshme, duke i përfunduar suksesshëm përpjekjet për të kombinuar me bashkëlojtarët.

Stabiliteti në fushë vërehet edhe nga fakti që në tërësi ai vetëm në një rast humbi topin. Sa herë që u vu në kontakt me topin, shfaqi sigurinë dhe personalitetin e duhur për t'i drejtuar aksionet e skuadrës në mënyrën adekuate.

Edhe leximin e aksioneve të kundërshtarëve e pati të shkëlqyer. Në gjashtë raste të tilla ai mbizotëroi karshi lojtarëve rivalë.

Formën e mirë e dëshmon edhe koordinimi i mirë me Vallocchian, si balancues të mesfushës, me të cilin gjeti një kimi të mirë, e cila u mundësoi që t'i zhvillonin aksionet në formë sinergjike. Duke qenë që edhe ashtu Voca është mesfushor me tipare defanzive, ai këtë detyrë e bëri më së miri, edhe me rekuperim të topave në zonën e fushës së Beneventos.

Në tërësi, duke parë edhe paraqitjet e lojtarëve tjerë kosovarë, të cilët kanë qenë ose janë ende pjesë direkte e Kombëtares së Kosovës, del që Idriz Voca ka qenë ai që ka bindur më së shumti gjatë fundjavës që lëmë pas.

Vlerësimi i medieve italiane për paraqitjen e Vocës

Shtypi italian që mbulon ndeshjet e Serie B, zgjedhi fjalë të mira dhe vlerësim të mirë për Idriz Vocën, duke e përshkruar si të mirë paraqitjen e zhvilluar nga ai.

"Paraqitje përmbajtësore nga ai. Spastron shumë topa dhe gjendet i lirë në hapësira për t'u vënë në kontakt me topin"
, shkruan "Tuttomercatoweb".

Ndërkaq, me notë dhe elozhe të tjera paraqitja e Vocës u vlerësua edhe nga "Cosenza Channel".

"I vendosur mirë para mbrojtjes. Spastron dhe neutralizon lojën e kundërshtarit. Paraqitje shumë stabile e tij, marrë parasysh që nuk lëshoi pe asnjëherë deri në minutën e fundit"
, shkruhet ndër të tjera nga mediumi në fjalë.

Një vit mungesë te Kosova

Idriz Voca kishte qenë pjesë e Kosovës që nga grupmosha U21 e udhëhequr nga Rafet Prekazi atëbotë. Si rezultat i paraqitjeve të mira, ai u ftua nga ish-përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares seniore.

Kësisoj, që prej 24 marsit të 2018-ës ai u grumbullua për herë të parë me ekipin e parë kombëtar të Kosovës. Sidoqoftë, fakti që në Turqi me fanellën Ankaragucu nuk ia doli që të ambientohej ashtu siç dëshironte - bëri që për të të fillonte një periudhë gri, e cila i kushtoi edhe duke mbetur pa skuadër për gjashtë muaj.

Pikërisht, me Kosovën luajti dy ndeshjet e fundit miqësore në qershor të vitit paraprak, kundër San Marinos dhe Maltës, që Kosova i fitoi me rezultat 4:1, respektivisht 1:2. Edhe aty Voca pati minutazh të vogël, mesatarisht rreth 20 minuta për lojë. Gjithsejt, me "dardanët" ka zhvilluar 15 paraqitje.

Te Cosenza kur u transferua në fund të janarit si lojtar i lirë, nuk shënoi paraqitje të mira sa për t'u konsideruar ndonjë ftesë e mundshme nga Kombëtarja e Kosovës.

Megjithatë, së fundi, nëse vazhdon kjo formë e tij, duke pasë parasysh edhe paraqitjen tejet të mirë kundër Bolognas që pati një javë para fillimit të kampionatit, gjegjësisht në Kupën e Italisë më 8 gusht, bën që të kandidohet seriozisht për një rikthim në listën e Kosovës - aq më shumë kur e dimë që Kosova vuan nga alternativat cilësore në atë repart të fushës.

Lajme të ngjashme