Lule Gjeli dhe industria e propagandës së pushtetit
Nga “Lule Gjeli” te qindra llogari të rreme: propaganda nuk synoi vetëm t’i bënte njerëzit t’i besonin gënjeshtrës, por të mos i besonin më askujt.
Industria ma e suksesshme që është zhvillu dhe ka lulëzu nën pushtetin e Kurtit nuk është industria e prodhimit.
Është industria e propagandës.
Një industri e ushqyer prej pushtetit dhe e amplifikuar përmes një rrjeti llogarish të rreme në rrjetet sociale. “Lule Gjeli” është vetëm fytyra ma ilustrative e saj.
Por njerëzit nuk është dashtë domosdoshmërisht me i besu Lule Gjelit.
Ky nuk ka qenë qëllimi përfundimtar.
Qëllimi ka qenë me e ndotë diskursin publik aq shumë, me aq shumë shpifje, gënjeshtra, tituj të fabrikuar dhe insinuata të neveritshme, sa në fund njerëzit të mos i besojnë ma askujt.
As pushtetit, as opozitës e as mediave. Posacerisht mediave.
Gënjeshtra është mjeti. Mosbesimi është produkti.
Me “Lule Gjelin” si rastin ma ilustrativ, ky mekanizëm propagandistik i ka pasë dy funksione.
I pari: me shkaktu konfuzion total në rrjetet sociale.
I dyti: me i frikësu dhe disiplinu kundërshtarët e pushtetit, duke i shantazhuar me postime prej ma bizareve dhe duke ua ekspozu familjet para turmës digjitale.
Nuk është e nevojshme që një gënjeshtër të besohet prej shumicës. Mjafton që ajo të qarkullojë. Mjafton që të krijojë dyshim. Mjafton që viktima të detyrohet me u arsyetu për diçka që nuk ka ndodhë kurrë.
Kur një profil publikon: “Berat Buzhala në dasmën e djalit të Arkanit – VIDEO”, çka ka aty për t’u demantu?
Në momentin që ti reagon, titulli riciklohet. Gënjeshtra merr edhe një ditë jetë.
Kurioziteti rritet. Disa fillojnë të mendojnë se, meqë po demantohet, ndoshta diçka edhe ka ndodhë.
Kur dezinformimi prodhohet në mënyrë industriale, demanti rast pas rasti merret vetëm me tymin, jo me fabrikën që e prodhon atë.
Në vende normale, institucionet nuk presin që secila viktimë të zhvillojë betejën e vet me secilën llogari të rreme.
Organet e rendit i identifikojnë personat që qëndrojnë prapa tyre, hetojnë koordinimin, financimin dhe lidhjet e mundshme politike, ndërsa nga platformat kërkojnë ruajtjen e të dhënave dhe largimin e rrjeteve të koordinuara.
Problemi behet serioz, kur ata qe i udheheqin organet e rendit jane vet prapa llogarive lincuese.
Para Kurtit, këtë shkollë e ka praktikuar Aleksandar Vuçiqi në Serbi: llogari të rreme, trollë, media të kontrolluara dhe fushata të koordinuara për ta ngritur pushtetin dhe për t’i poshtëruar kundërshtarët.
Qëllimi nuk është vetëm me e bindë publikun se pushteti ka të drejtë.
Qëllimi është me kriju përshtypjen se të gjithë janë njësoj, të gjithë gënjejnë dhe se e vërteta, në fund, nuk ekziston.
Për shkak të kësaj klime, një numër i madh i personave publikë detyrohen me heshtë. Jo sepse nuk kanë çka me thanë, por sepse nuk duan me e ekspozu veten, fëmijët dhe familjet e tyre para kësaj bishe shkatërruese.
Para disa ditësh, “Lule Gjeli” e publikoi edhe fotografinë e djalit tem.
Ky është momenti kur propaganda nuk është ma vetëm propagandë politike, por mjet per frikesim.
Bëhet persekutim digjital. Bëhet mesazh për secilin kritik: nëse flet, nuk kemi me u marrë vetëm me ty; kemi me hy edhe në shtëpinë tënde.
Fatbardhësisht, kane mbetë disa që kane vendosë as mos me u dorëzu, as mos me u nënshtru dhe as mos me u frikësu.
Por nuk mundet një shoqëri me e varë mbrojtjen e diskursit publik vetëm në guximin individual të disa njerëzve.
Kjo është detyrë e shtetit.
Prokuroria duhet ta zbulojë se kush qëndron prapa këtyre llogarive, kush i ka koordinuar, kush i ka furnizuar me informacione, kush ka përfituar politikisht prej tyre dhe a ka pasur lidhje me persona brenda pushtetit.
Secili emër i përmendur publikisht duhet të hetohet dhe secili pretendim duhet të provohet.
Jo për hakmarrje.
Pikërisht për ta parandaluar hakmarrjen.
Sepse kur shteti nuk i mbron viktimat, njerëzit e humbin besimin te drejtësia. Kur e humbin besimin te drejtësia, lind tundimi që secili të bëhet vetë polic, prokuror dhe gjykatës.
Kështu zhbehet shteti.
Shteti nuk zhbehet vetëm kur njerëzit i besojnë propagandës. Zhbehet kur, për shkak të propagandës dhe mosveprimit institucional, njerëzit nuk i besojnë ma askujt.
Prandaj ky rast është shumë ma i madh se “Lule Gjeli”.
Ky është test nëse Kosova është ende shtet që i mbron qytetarët e vet, apo vetëm një hapësirë ku pushteti e lëshon turmën kundër kundërshtarëve dhe pastaj sillet sikur nuk e njeh.