Veç Vetëvendosje dhe Lista Serbe në sallë: Votohet qeveria “KURTI 4”
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë “Kurti 4”, të drejtuar përsëri nga kryeministri Albin Kurti.
Qeveria e re mori 62 vota “për”, gati minimumi i nevojshëm për miratimin e saj në Kuvend.
Në sallë ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të Listës Serbe dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera joshumicë.
Partitë opozitare shqiptare nuk morën pjesë në seancën për formimin e Qeverisë. PDK-ja kishte bojkotuar edhe vazhdimin e seancës konstituive.
Para votimit, Kurti paraqiti një përmbledhje të programit qeverisës para deputetëve të VV-së dhe Listës Serbe.
Ai paralajmëroi se nuk do të fliste gjatë dhe se nuk kishte shumë gjëra të reja për të thënë. Megjithatë, fjalimi zgjati rreth 60 minuta.
Në adresimin e tij, Kurti përsëriti një varg zotimesh të dëgjuara edhe gjatë fushatave të mëhershme.
Mes tyre ishte përfundimi i Autostradës së Gjilanit, projekt i cili është zvarritur prej vitesh dhe ka kaluar disa afate të paralajmëruara.
Kurti premtoi gjithashtu përmirësime në arsim, diplomaci dhe infrastrukturë.
Në pjesën kushtuar arsimit, të cilën e emërtoi “dija”, ai nuk foli për rezultatet e fundit të Kosovës në testin PISA.
Në vend të kësaj, Kurti premtoi rritjen e numrit të çerdheve, rishikimin e teksteve shkollore dhe hapjen e pesë gjimnazeve profesionale.
“Sa i përket dijës, do ta rrisim numrin e çerdheve. Do t’i rishikojmë tekstet shkollore dhe do t’i hapim pesë gjimnaze profesionale. Gjithashtu do ta bëjmë shkollën gjithëditore”, tha ai
Megjithatë, kabineti i Qeverisë “Kurti 4” nuk sjell asnjë ndryshim në emra.
Përbërja mbetet e njëjtë me kabinetin që Kurti e kishte propozuar në muajin shkurt, pa ndonjë riformatim apo prurje të re.
Votimi i Qeverisë erdhi menjëherë pas zhvillimeve rreth konstituimit të Kuvendit, proces i cili ishte përcjellë me vonesa dhe përplasje politike.
Prania e Listës Serbe në sallë nxiti edhe reagime politike. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ironizoi qëndrimin e VV-së ndaj kësaj partie.
“Patriotizmi, sot në Vetevendosje e paska pushim!”, shkroi Rama, duke publikuar pamje nga seanca.
Me 62 votat e siguruara, Kurti nis kështu mandatin e katërt qeverisës me të njëjtët ministra dhe me pjesën më të madhe të premtimeve të përsëritura.
Ndërkohë, PDK-ja ka treguar se krejt këtë procedurë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.