A po mendon Lumiri se është ekzorcist? - NACIONALE

A po mendon Lumiri se është ekzorcist?

54 minuta më parë

nga Berat Buzhala

Për disa javë me radhë, Lumir Abdixhiku dhe miku i tij i ri, Albin Kurti, janë takuar për ta gjetur një formulë bashkëpunimi për krijimin e institucioneve.

Mundësitë kanë qenë të mëdha. Kanë mundur ta ndajnë pushtetin në Qeveri, në Kuvend dhe në Presidencë. Kishte poste, ministri, përgjegjësi dhe hapësirë të bollshme për kompromis.

Të gjithë e kemi ditur se nyja e Gordit ishte pozita e presidentit. Në fund, nyja nuk u zgjidh. Fatkeqësisht, për momentin nuk ekziston as ndonjë Aleksandër që t’i bjerë me shpatë.

Nejse.

Një ditë të bukur, Lumiri doli dhe tha se LDK-ja nuk është më e interesuar për Qeverinë. Mirëpo, sipas tij, partia do të vazhdojë ta ofrojë shërbimin e vet për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Siç thoshte babagjyshi im: “How the fuck?”

Si mund të shpresosh se dikush që është tallur me ty për disa javë, që për 18 deputetët e tu t’i ka ofruar vetëm tri ministri, tani, kur në tavolinë ka mbetur vetëm Presidenca, do të shndërrohet papritmas në një burrështetas konstruktiv, që mendon për interesin e Kosovës?

Kur do ta kuptojë Lumir Ziu se Albini nuk e ka joshur me miklime, darka dhe dialog për të gjetur zgjidhjen më të mirë për Kosovën?

E ka joshur për ta gjetur zgjidhjen më të mirë për Vetëvendosjen.

Nëse kompromisi nuk u arrit kur në tavolinë ishin Qeveria, ministritë, Kryesia e Kuvendit dhe Presidenca, si do të arrihet tani, kur në tavolinë ka mbetur vetëm një pozitë?

Çfarë mund t’i ofrojë më LDK-ja Albinit?

Edhe më saktë: çfarë mendon Lumiri se mund t’i marrë Albinit duke vazhduar t’i lutet për konstruktivitet?

A mendon se është ekzorcist? Se pas edhe disa seancave të terapisë politike do t’ia nxjerrë Albinit djallin nga trupi? Se do ta bindë që, për herë të parë në jetën e tij politike, ta vendosë kompromisin përpara interesit personal?

Albin Kurti nuk e kupton kompromisin si marrëveshje ndërmjet dy palëve. Ai e kupton si proces gjatë të cilit pala tjetër lodhet, nënshtrohet dhe në fund e pranon ofertën e tij.

Prandaj, prej tash e dy vjetësh, mënyra e vetme për të folur me Albinin nuk është më përmes tavolinës.

Është përmes megafonit.

Unë e kuptoj frikën e opozitës. E kuptoj edhe pse kanë kaq shumë pikëpyetje në kokë. Ata vazhdojnë ta shohin Albin Kurtin si autoritetin absolut të turmës, si njeriun që, po deshi, i mbush sheshet dhe i merr të gjithë përpara.

Mirëpo ky perceptim është i vjetruar.

Në zgjedhjet e fundit, mbi 330 mijë shqiptarë të Kosovës kanë votuar kundër Albin Kurtit, ndërsa rreth 299 mijë kanë votuar për të.

Pra, shumica nuk është me të.

Shumica është e pakënaqur. Shumë madje.

Por kjo shumicë nuk do të organizohet vetë. Nuk do të dalë në shesh vetëm pse Lumir Abdixhiku ka mbajtur edhe një konferencë të kujdesshme për media. Nuk do të mobilizohet duke pritur që Albini të tregohet konstruktiv. Dhe, sidomos, nuk do të frymëzohet nga një opozitë që sillet sikur ende i duhet leja e Kurtit për ta kundërshtuar Kurtin.

Nëse Albini e bllokon shtetin, opozita duhet ta thotë se po e bllokon shtetin.

Nëse e shkel frymën e Kushtetutës për të fituar kohë, duhet të ballafaqohet me rezistencë politike.

Nëse i përdor negociatat vetëm për ta zgjatur pushtetin dhe për ta përçarë opozitën, atëherë negociatat duhet të ndërpriten dhe konflikti politik duhet të bëhet publik.

Jo më miklime. Jo më iluzione. Jo më pritje se Albin Kurti do të zgjohet një mëngjes dhe do të bëhet politikan konsensual.

Nuk do të bëhet.

Shihemi në shtator.

Më saktësisht, më 16 shtator.

Deri atëherë, vazhdoni luani shah me veten dhe bindeni njëri-tjetrin se Albini po kërkon zgjidhje.

Ai nuk po kërkon zgjidhje, ai po blen kohë.

Lajme të ngjashme