“Fituam 300 mijë euro plus 15 për qind në shitjen e radhës”, Nexhipi zbulon prapaskenat e transferimit të Krasniqit te Cluj - NACIONALE

“Fituam 300 mijë euro plus 15 për qind në shitjen e radhës”, Nexhipi zbulon prapaskenat e transferimit të Krasniqit te Cluj

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Klubi futbollistik Ballkani ka fituar 300 mijë euro dhe 15 për qind në shitjen e radhës me marrëveshjen e bërë me Clujin për shërbimet e Ermal Krasniqit, kështu deklaroi drejtori sportiv i “Xhebrailave”, Nderim Nexhipi për Gazetën Nacionale.

Anësori malishevas është bërë një ndër shitjet më të shtrenjta në historinë e futbollit kosovar, duke kaluar te gjiganti rumun Cluj, tek të cilët do ta mbajë numrin 7.

Pas paraqitjeve të mrekullueshme në Evropë si dhe në Kosovë këto edicionet e fundit, ndikoi që Krasniqi të kërkohet me patjetër nga Cluj, të cilët e kryen të gjithë marrëveshjen për dy javë me kampionin e Kosovës.

Lidhur me prapaskenat e këtij transferimi, për Nacionalen ka folur drejtori sportiv Nderim Nexhipi, i cili fillimisht tregoi se negociatat ishin të gjata dhe në fund i plotësuan dëshirën lojtarit.

"Patjetër kanë qenë negociata të gjata, kanë filluar diku para dy javëve dhe besoj që me nënshkrimin e kontratës ndërmjet Ballkanit dhe Clujit është bërë një hap shumë i mirë edhe sa i përket futbollit në Kosovë edhe klubit tonë dhe normal ja kemi plotësuar dëshirën Ermalit, i cili dëshironte të lëvizte në një kampionat më të mirë siç është ai rumun".

Ai thotë se marrëveshja e arritur është e jashtëzakonshme, pasi Krasniqi do të bëhej agjent i lirë në verë duke konfirmuar shitjen për 300 mijë euro dhe një 15 përqindësh fitim nëse lojtarit shitet në të ardhmen e afërt.

"Ishte e vështirë sepse kontrata i skadonte verës dhe rumunët donin ta merrnin që tani në mënyrë që ai të kishte kohë të ambientohej sa më shpejtë. Ne duke pasur parasysh se ai verës dilte lojtar i mirë kemi bërë marrëveshje të jashtëzakonshme. Po e konfirmoj shumën prej 300 mijë eurove dhe 15 për qind të kartonit. Besoj që është një shumë mjaft e mirë, duke theksuar edhe njëherë se e dinim që Ermali do të lëvizte si lojtar i lirë".

Nexhipi tutje shtoi se nuk negociuan me asnjë skuadër tjetër përpos Clujit, me skuadrën rumune që bëri ofertën zyrtare gjatë janarit.

"Për Krasniqin nuk është që kemi negociuar me skuadra tjera, ka pasur interesim, por jo diçka konkrete. Ekipi i parë ishte Cluji që dërgoi ofertë në janar dhe besoj ky përfundim për të gjitha palët është shumë i mirë. Krasniqi do të vazhdojë karrierën e tij në një ekip sic është Cluji dhe shpresojmë që në hapat e Krasniqit të dalin edhe disa lojtarë të tjerë".

Drejtori sportiv në fund la të hapur shansin që edhe disa futbollistë të tjerë të largohen gjatë afatit kalimtar të janarit pasi ka “interesim të jashtëzakonshëm për ta”.

"Sa i përket shumës është 300 mijë euro plus 15 për qind nga shitja e radhës. Besoj është një gjë mjaftë e mirë duke pasur parasysh përfundimin e kontratës në verë. Kemi bërë një marrëveshje shumë të mirë edhe këta lojtarë me lojërat e tyre gjatë verës kanë bërë që të ketë shumë interesim për ta. E them edhe njëherë se mund të ketë ndonjë lëvizje deri në përfundim të merkatos".

"Çfarë kanë bërë lojtarët është e jashtëzakonshme, pra fitimi i titullit kampion pastaj kualifikimet në grupet e Ligës së Konferencës. Ka interesim të jashtëzakonshëm për lojtarë edhe do të shohim deri në fund nëse do të ketë lëvizje. Po të largohet ndonjë lojtar patjetër që do të provojmë ta zëvendësojmë, siç është tani rasti me Ermalin, ku në atë pozitë shpresojmë të gjejmë një lojtar adekuat edhe pse është e vështirë që në janar të gjendet lojtar i lirë i mirë, sidoqoftë do të bëjmë maksimumin i cili do ta zëvendësojë Ermalin".

Falë paraqitjeve të shkëlqyeshme, edhe lojtarët si Albion Rrahmani, Meriton Korenica dhe Armend Thaqi janë duke u vlerësuar nga klubet evropiane.

Lajme të ngjashme