Zyrtare: Ermal Krasniqi transferohet te CFR Cluj
Futbollisti kosovar Ermal Krasniqi ka kompletuar kalimin te skuadra rumune, CFR Cluj nga Ballkani.
Cluj përmes një komunikate zyrtare njoftoi transferimin e Krasniqit, mirëpo duke mos dhënë detaje për kontratën e nënshkruar.
"Mirë se vjen Ermal Krasniqi. Klubet CFR 1907 Cluj dhe FC Ballkani, kundërshtari ynë në grupet e Ligës së Konferencës, kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit Ermal Krasniqi".
"24-vjeçari me tipare ofensive është përfshirë në tre vite e gjysmë te Ballkani, skuadër ku ka bërë 105 paraqitje. Duke mbajtur fanellën e kampionit të Kosovës, Kransiqi ka shënuar 39 gola dhe dhuruar 17 asistime".
"Përmirësimi i mirë në sezonet e fundit ka bërë që të fitojë përfaqësimin e Kosovës në nëntorin e vitit 2022, ku mesfushori u shfaq për herë të parë".
"Ne i urojmë mirëseardhje te Gruia dhe shumë suksese te CFR Cluj", shkroi klubi.
Detajet e transferimit
Sa i përket detajeve të transferimit, pavarësisht që nuk u bënë publike, kampioni i Kosovës Ballkani do të përfitojë rreth 300 mijë euro përfshirë edhe një 15 për qindësh në rast të shitjes së Krasniqit në të ardhmen.
Kjo padyshim është një shitje mjaftë e favorshme për “Xhebrailat”, pasi kontrata e anësorit ishte paraparë të skadonte pas vetëm gjashtë muajve.