Evropa që imagjinojmë dhe Shqipëria që duhet të evropianizojmë
Adri Nurellari
Para 37 vjetësh në grahmat e fundit të regjimit komunist, shpërtheu parrulla e duam "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa" dhe që atëherë, gjatë tranzicionit të stërzgjatur përkatësia evropiane ka dominuar debatin publik shqiptar. Nga kafenetë e mbushura me tym duhani e deri te studiot e ndriçuara televizive është folur për Evropën kryesisht sikur të ishte një shtëpi nga e cila historia na kishte nxjerrë me zorr padrejtësisht dhe ku tani thjesht prisnim të na hapej dera. Refreni "ne jemi evropian" përsëritet me një lloj krenarie të vetëkënaqur, si një e drejtë natyrore e patjetërsueshme, e cila nuk kërkon asnjë provë morale, institucionale apo etike. Madje ka nga ata që pyesin me bindje të plotë: “Çfarë kanë ata më mirë se ne?” Në parking ndoshta asgjë; problemi fillon sapo zbret nga mercedesi i fundit dhe hyn në gjykatë, shkollë, spital apo administratë.
Ky pretendim thuhet si fakt gjeografik, si argument historik, si deklaratë kulturore dhe, jo rrallë me nuanca raciste. Paraqitet shpesh si një lloj kredenciali identitar të tipit jemi të bardhë, jemi të lashtë, vishemi si italianët, jetojmë si grekët, emigrojmë në Gjermani. Çfarë prove tjetër duhet? Megjithatë, pas kësaj kërkese të zjarrtë për përkatësi fshihet një nga keqkuptimet më të thella dhe më të rrezikshme të botës shqiptare bashkëkohore. Problemi është se pothuajse të gjitha këto argumente të sipërpërmendura kanë shumë pak lidhje me atë që e bën Evropën e sotme evropiane. Debati publik për këtë temë vuan nga ngatërrimi i formës me thelbin, i konsumizmit me qytetërimin, i gjenetikës me demokracinë dhe i aparencës me shtetin e së drejtës.
Në këtë optikë tonë të deformuar, të qenit evropian nuk shihet si një projekt i vështirë i emancipimit të brendshëm shoqëror, por si një certifikatë estetike që na takon apriori. Madje, kemi ndërtuar një imazh anakronik dhe primitiv për kontinentin ku aspirojmë të integrohemi, duke besuar se mjafton të ngjashëm në sipërfaqe për të qenë pjesë e një bashkësie vlerash që në fakt kërkon krejt tjetër gjë. Një nga themelet kryesore të këtij iluzioni kolektiv është reduktimi i evropianizmit në një akt të pastër konsumizmi dhe ngjashmërie fizike. Në rrugët e Tiranës por edhe Prishtinës apo Shkupit kultura e dukjes apo dënglave dominon çdo pore të jetës shqiptare. Veshjet e markave më të shtrenjta ndërkombëtare, ndjekja fanatike e tendencave të fundit të markave të modës, celularët e teknologjisë më të fundit dhe ekspozimi i një stili jetese luksoz në rrjetet sociale përdoren si prova të pakontestueshme të "nivelit evropian". Logjika e pashprehur, por qartazi dominuese, funksionon mbi një shpjegim naiv të tipit :“Nëse ne vishemi si ata, dëgjojmë muzikën e tyre, frekuentojmë të njëjtat klube dhe jemi të bardhë e të padallueshëm fizikisht nga një francez apo gjerman, atëherë si mund të vihet në dyshim përkatësia jonë evropiane?”
Ky fiksim pas racializmit dhe estetizimit të përkatësisë është një mbetje e thellë provinciale. Argumenti i "bardhësisë" si garanci evropianiteti është jo vetëm një fyerje për inteligjencën politike , por edhe një injorim i plotë i faktit se Evropa moderne është mbi të gjitha një hapësirë politike e ndërtuar mbi qytetarinë universale, të drejtat themelore dhe pluralizmin, e jo një klub ekskluziv biologjik apo racor. Poashtu, fakti që ke blerë kostum të shtrenjtë nuk e fshin zakonin harbut për t’i zënë radhën tjetrit në sportel; muzika elektronike perëndimore që dëgjon nuk të mëson të respektosh këmbësorin në vijat e bardha dhe fakti që ke lëkurë të bardhë nuk të shpëton nga mendësia klanore, nepotizmi dhe korrupsioni i përditshëm. Ky pra është evropianizimi i vitrinës, një makijazh i trashë që tenton të fshehë mungesën e një kulture funksionale qytetare.
Kur argumenti estetik rezulton i pamjaftueshëm përballë kritikave reale mbi funksionimin e institucioneve tona, shoqëria jonë aktivizon mekanizmin e dytë mbrojtës; narkozën e lashtësisë. Diskutimet e pafundme mbi pellazgët, ilirët, autoktoninë mijëravjeçare, hulumtimet gjenetike dhe statusin tonë si "populli më i vjetër i gadishullit" shndërrohen në një lloj valute historike me të cilën pretendojmë të blejmë të ardhmen. Në mungesë të laboratorëve shkencorë modernë, të universiteteve cilësore, të industrive inovative apo të gjykatave të pavarura, ne prodhojmë mitologji të së shkuarës për të ushqyer një krenari të zbrazët. Ky kompleks për autoktoninë funksionon disi edhe si një alibi e rrezikshme psikologjike sepse krijon idenë se, meqenëse demek ishim këtu përpara të tjerëve, merita jonë është e garantuar nga e kaluara dhe nuk kërkon asnjë përpjekje në të tashmen. Për më tepër, kjo mani kolektive për histori zhvendos përgjegjësinë e brezit tonë për dështimet bashkëkohore te komplotet e historisë, duke e lënë shoqërinë në një gjendje pasiviteti fëminor.
Mirëpo, Evropa e shekullit të XXI nuk pyet se cilat fise jetonin në këto troje para dymijë vjetësh. Ajo nuk është një kongres paleontologjik apo arkeologjik, por një realitet dinamik ekonomik, politik, teknologjik dhe ligjor. Të krenohesh me paraardhësit e lashtë ndërkohë që toleron spitale pa ilaçe, shkolla pa ngrohje dhe një sistem drejtësie të kapur nga krimi, është njësoj si të mburresh me një pemë gjenealogjike fisnike ndërkohë që jeton mes rrënojave dhe borxheve të pashlyera, pasi e ke bërë pasurinë e familjes rrush e kumbulla.
Një nga shprehjet më flagrante të këtij keqkuptimi historik është mënyra se si elitat dhe shoqëria shqiptare përdorin figurën e heroit kombëtar Skënderbeut. Jo si simbol të qëndresës, të vizionit shtetformues dhe të shkëputjes nga Perandoria Osmane (siç e konceptonin Rilindasit), por si një argument se Evropa na ka një borxh historik. Theksi i vihet kryesisht titullit të tij papal si Athleta Christi (Kampion i Krishtit) sepse në retorikën popullore dhe politike, kjo periudhë evokohet me një krenari luftarake si dëshmi se "ne kemi mbrojtur Evropën". Por kjo qasje projekton një vizion thellësisht mesjetar dhe arkaik mbi identitetin evropian. Ajo e redukton konceptin e Evropës në një bastion të krishterë mesjetar që ende lufton kundër një bote të jashtme islamike, duke anashkaluar krejtësisht transformimet radikale që e kanë bërë Evropën kjo që është sot.
Evropa moderne nuk u lind nga kryqëzatat apo nga titujt kalorësiakë të Vatikanit por vjen nga Iluminizmi , nga revolucioni shkencor, nga mendimi kritik i Galileut, Dekartit, Monteskjës, Lokut e Kantit me shokë, dhe nga një luftë e gjatë e përgjakshme kundër obskurantizmit fetar, dogmës kishtare dhe absolutizmit monarkik. Armiku kryesor i Iluminizmit evropian nuk ishte bota islame, por errësira e brendshme intelektuale, fanatizmi fetar, inkuizicioni, mungesa e arsyes dhe përqendrimi i pushtetit. Evropa u bë e lirë dhe e zhvilluar pikërisht sepse arriti të ndante kishën nga shteti, të vendoste arsyen mbi besimin e verbër dhe shkencën mbi doktrinën.
Kur ne tundim flamurin e Athleta Christi si biletë hyrëse në Evropë, ne zbulojmë pa dashje se kemi mbetur mendërisht në shekullin e XV-të. Ne kërkojmë të integrohemi në një Evropë post-iluministe me mentalitetin e një llogoreje teokratike mesjetare. Ky është një anakronizëm i plotë sepse nuk mund të pretendosh se kupton vlerat e bashkëjetesës, sekularizmit dhe tolerancës moderne duke përdorur retorikën e luftërave të shenjta feudale.
Kjo mendësi sipërfaqësore, që e percepton qytetërimin si dekor dhe jo si substancë, ka gjetur shprehjen e saj më brutale në arkitekturën urbane të hapësirës sonë rajonale. Ajo ka ushqyer iluzionin se nëse ndërton diçka që imiton stilin barok, neoklasik apo modernizmin abstrakt prej xhami, ke ndërtuar automatikisht Evropën. Kjo është formula e preferuar e autokratëve rajonalë, të cilët e përdorin estetikën arkitekturore si instrument për të maskuar kalbëzimin e institucioneve demokratike dhe shaktërrimin e ekonomisë së tregut.
Autokrati i parë që e aplikoi i pari këtë formulë në rajonin tonë ishte Gruevski kur shpalosi në 2010 projektin Shkupi 2014. Vizioni i tij qe për ndërtimi i godinave false baroke, kolonave të allçisë dhe statujave gjigante që synonin të jepnin iluzionin e një qyteti evropian ndërkohë që synohej gjithashtu zhdukja e historisë autentike shqiptare dhe arkitekturës otomane të qytetit. E gjitha kjo shoqërohej paralelisht me korrupsion masiv galopant, kriminalizim, kapjen shtetit, polarizim të urrejtjes etnike e fetare si dhe shkatërrimin e lirisë së medias.
Pas rrënies nga pushteti e Gruevskit, stafetën në Ballkan mori Rama me ballina shumëngjyrëshe, kulla të larta xhami të dizenjuara nga star-arkitekts, resorte dhe qendra futuriste të reklamuara ndërkombëtarisht . Pastrim parash të trafikantëve përmes ndërtimit, zhdukje e trashëgimisë historike, betonizim i jetës qytetare dhe përqendrim autokratik i pushtetit. Lideri tipik lindoro- ballkanik e di mirë se qytetari i tij është i etur për dukje për vanitet. Prandaj, ai i ofron atij një kullë të shndritshme ose një kolonadë allçie, ndërkohë që në prapaskenë shkatërron ndarjen e pushteteve, kontrollon drejtësinë, zgjeron klientelizmin dhe shuan zërin kritik.
Ky është evropianizimi prej kartoni; një skenografi teatri ku luhet shfaqja e një metropoli evropian, ndërkohë që prapa skenës funksionojnë rregullat e një sulltanati modern ku ligji është vullneti i një njeriu të vetëm. Të ngatërrosh kullat e xhamit apo gipsin e stilit neoklasik me demokracinë liberale është naiviteti më i madh që mund të bëjë një shoqëri. Përtej teatrit të dukjes dhe iluzioneve estetike, shpjegimi se çfarë do të thotë të jesh evropian kërkon një qasje institucionale dhe kognitive, e cila mbështetet në literaturën e pasur akademike të evropianizimit. Siç argumentojnë Börzel dhe Risse, evropianizimi nuk arrihet thjesht duke kopjuar ligjet në letër, por kërkon socializim dhe përvetësim të vlerave nga brenda, duke i bërë ato pjesë të kulturës së përditshme. Schimmelfennig dhe Sedelmeier paralajmërojnë se elitat autokratike kur përballen me presionin e Brukselit, shpesh bëjnë vetëm "përshtatje taktike" duke miratuar ligje evropiane për sy e faqe për të përfituar fonde apo pushtet, ndërkohë që bllokojnë zbatimin e tyre për të mos cenuar interesat klienteliste. Ndërkaq Claudio Radaelli e përkufizon evropianizimin si një ndryshim të thellë mendor dhe kognitiv, pasi nëse nuk ndryshon mënyra se si shoqëria koncepton pushtetin, ligjin dhe interesin publik, fasadat mbeten thjesht iluzion.
Në këtë kuptim, evropianizimi i vërtetë nënkupton shtetin e së drejtës, barazinë absolute para ligjit, tregun e bazuar tek konkurenca e ndershme, pluralizmin tolerant, llogaridhënien dhe përgjegjësinë qytetare. Evropianizimi nuk dështon vetëm sepse politikanët vjedhin, por edhe sepse qytetari është i gatshëm t’i japë “kafenë” mjekut, të kopjojë në provim, të kërkojë mik për një vend pune në shtet apo të shkelë rregullat sapo nuk e sheh polici. Për sa kohë shoqëria dënon korrupsionin e madh në televizor, por praktikon dhe justifikon mikrokorrupsionin e përditshëm si “rrugë të shkurtër”, shteti evropian do të mbetet një iluzion. Nëse një shoqëri beson se ryshfeti është "zgjedhje e shpejtë e duhur", se lidhja me partinë është më e rëndësishme se meritokracia, se problemet zgjidhen me një “dorë të fortë” dhe jo me institucione të forta dhe se e kaluara e largët (si mitet e lashtësisë) të jep të drejtë të shkelësh rregullat sot, atëherë nuk ka ndodhur asnjë evropianizim real. I bie që shoqëria thjesht ka mbetur mendërisht në strukturat e vjetra, pavarësisht se përdor telefona të shtrenjtë dhe vesh rroba të markave milaneze apo pariziene.
Prandaj duhet theksuar se në një shoqëri evropiane, drejtësia është kufiri i pushtetit dhe streha e të dobëtit. Ligji nuk është një llastik që tërhiqet sipas interesit të kryeministrit, oligarkut apo partisë Përpos kësaj, demokracia evropiane nuk është ekzistenca formale e disa partive që vjedhin me radhë buxhetin publik, por një kulturë ku kundërshtari pranohet si legjitim, media kontrollon pushtetin dhe qytetari është aktiv e i përgjegjshëm. Demokracia kërkon jo vetëm institucione që japin llogari, por edhe qytetarë që respektojnë rregullat, refuzojnë klientelizmin, kërkojnë llogari dhe marrin përgjegjësi për të mirën e përbashkët.
Gjithashtu, si kriter anëtarësimi në Bashkim Evropian është edhe ndërtimi i një ekonomie funksionale të tregut. Nuk bëhet fjalë këtu thjesht për pronë private, biznese dhe qendra luksoze tregtare (se të tilla ka plot në Azi e Afrikë) por për një rend ku konkurrenca është e lirë, prona e sigurt dhe rregullat vlejnë njësoj për të gjithë. Ekonomia Evropiane kërkon sipërmarrje të lirë, meritë dhe inovacion, jo monopole të lidhura me pushtetin, tenderë për klientët e qeverisë dhe pasurim përmes privilegjit; kërkon qytetarë të përgjegjshëm që konkurrojnë, krijojnë dhe pranojnë se mirëqenia prodhohet nga sipërmarrja private dhe jo nga shteti e lidhjet me të.
Si përfundim, Shqipëria nuk mund të vazhdojë ta kërkojë Evropën me mendësinë e turistit që admiron vitrinat, por nuk interesohet për atë që e bën të mundur mirëqenien pas tyre. Ka ardhur koha të çlirohemi nga mitologjitë ngushëlluese të së shkuarës, nga mburrjet me gjakun ilir dhe lavditë mesjetare, por edhe nga vetëkënaqësia sipërfaqësore e markave vezulluese dhe rrokaqiejve prej xhami.
Evropa për shqiptarët nuk duhet të mbetet një destinacion emigrimi, një treg ku konsumojmë apo një pasaportë me të cilën arratisemi nga problemet që nuk arrijmë t'i zgjidhim në vendin tonë. Evropianizimi duhet të bëhet një projekt i brendshëm emancipimi dhe evoluimi. Duhet të ndërtojmë institucione që nuk varen nga vullneti i një lideri; të edukojmë breza me mendim kritik, racional dhe shkencor; të refuzojmë autokratët që na shesin beton, spektakël dhe dekor në vend të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë; dhe të kuptojmë se dinjiteti i një kombi matet me lirinë, sigurinë dhe mundësitë që gëzon qytetari i zakonshëm, jo me madhështinë e statujave apo lartësinë e kullave.
Derisa ky transformim të ndodhë në institucionet, kulturën politike dhe sjelljen tonë qytetare, rrezikojmë të mbetemi ajo që kemi qenë gjatë pjesës më të madhe të tranzicionit: gjeografikisht në Evropë, estetikisht të magjepsur prej saj, por institucionalisht ende vite-dritë larg saj. Sepse Evropa nuk është thjesht një destinacion ku duhet të mbërrijmë, por një mënyrë se si duhet të ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë tonë. Nuk është më çështja se sa shpejt do të mbërrijmë në Evropë, por sa Evropë jemi të aftë të ndërtojmë brenda Shqipërisë. Brukseli mund të na hapë derën, por pragun e evropianizimit duhet ta kalojmë vetë.