Konfirmohet nga agjenti: Ermal Krasniqi në negociata me Cluj, por ende s’ka marrëveshje - NACIONALE

Konfirmohet nga agjenti: Ermal Krasniqi në negociata me Cluj, por ende s’ka marrëveshje

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Sulmuesi i Ballkanit, Ermal Krasniqi është duke vazhduar negociatat me klubin rumun CFR Cluj, por ende s’është arritur ndonjë marrëveshje, këtë e ka konfirmuar agjenti Kastriot Telaku gjatë një bisede me Gazetën Nacionale.

24-vjeçari ka luajtur ndoshta ndeshjen e fundit në fanellën e “Xhebrailave”, pasi që mund të bëhet me skuadër të re gjatë afatit kalimtar të janarit.

Falë formës së jashtëzakonshme gjatë këtyre dy viteve, Krasniqi padyshim ishte ylli i skuadrës nga Suhareka, duke pasur rol kyç edhe në suksesin e madh që kishin në Evropë, ku u bënë klubi i parë kosovar që mbërrin në një fazë grupore.

Së fundmi u raportua se skuadra rumune Cluj e ka mbyllur marrëveshjen me Krasniqin, por sipas agjentit një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Telaku në një prononcim për Nacionalen theksoi se negociatat me Cluj janë duke vazhduar, pasi s’ka asnjë marrëveshje mes klubeve.

Jemi në negociata me klubin e Cluj, mirëpo momentalisht ende s’kemi arritur asnjë marrëveshje. Të dy klubet janë duke negociuar mes vete dhe të shohim nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje e tillë”.

Ai gjithashtu potencoi se as Krasniqi ende nuk ka arritur marrëveshje personale me klubin rumun.

Ermali është i hapur jo vetëm për kalimin te Cluj, por të cilado skuadër që i plotëson kushtet tona. Momentalisht ende s’ka ndonjë marrëveshje konkrete, pasi nuk kemi arritur. Të shohim si po shkon kjo situatë”, deklaroi ai.

Përpos Krasniqit, Nacionale me burime pranë klubit merr vesh që Cluj ka shprehur interesim edhe mbrojtësin e Ballkanit, Armend Thaqi. Lojtari gjithashtu është kontaktuar, por negociatat ende nuk kanë avancuar në ndonjë fazë të lartë.

Sidoqoftë, rikthehemi te situata e Krasniqit. Anësori këmbëshpejtë ka kontratë deri në fundin e edicionit, andaj më shumë gjasë Ballkani mund ta pranojë ta shet, në mënyrë që të mos e humbet si agjent i lirë, siç ndodhi me Blendi Baftiun.

Sipas të dhënave në “Transfermarkt”, kartoni i Krasniqit vlen plot 375 mijë euro, por mesa duket shkaku i kontratës, skuadra nga Suhareka nuk do të arrijë t’i fitojë të gjitha paratë.

Lajme të ngjashme