Trumpi e Netanyahu i eksploruan të gjitha opsionet për Iranin, përfshirë sulmin, thotë zyrtari izraelit
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në takimin e tyre i eksploruan të gjitha rrugët për ta frenuar projektin bërthamor të Iranit, përfshirë diplomacinë, presionin ekonomik dhe forcën, tha të mërkurën një zyrtar i lartë izraelit.
Netanyahu nuk i tha Trumpit se Izraeli parapëlqen një sulm ndaj Iranit, tha ky zyrtar në një bisedë me gazetarë, pasi dy udhëheqësit u takuan të martën në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në fund, është vendimi i tij” – tha për Trumpin zyrtari izraelit. Sipas tij, presidenti amerikan ka tri opsione dhe të gjitha u diskutuan gjerë e gjatë: “Një marrëveshje, vazhdimi i bllokadës dhe presioneve ekonomike dhe një sulm masiv.”
Zyrtari izraelit tha më tej se ka shenja se udhëheqësit e Iranit janë të shqetësuar nga inflacioni në rritje dhe zemërimi i publikut, por se ndikimi në ekonominë globale dhe tregjet e naftës gjithashtu u morën në konsideratë.
Çmimet e naftës u rritën të mërkurën në njërën ndër rritjet më të ndjeshme që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, pas një fushate të përbashkët bombarduese ShBA – Izrael ndaj Iranit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite sulmuan grupe paramilitare të mbështetura nga Irani në Irak dhe Trumpi e kërcënoi Teheranin me pasoja të rënda pas sulmeve ndaj trupave amerikane disa ditë pasi ai i kishte ndalur sulmet ajrore.
Irani konfirmoi se kishte shtënë ndaj bazave amerikane në Jordani dhe ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit./Nacionale