Celina: Ta zgjidhja Kosovën ishte vendim i lehtë
Lojtari më i ri i Stoke Cityt, Bersant Celina, i pyetur për zgjedhjen e Kombëtares së Kosovës, tha se ky vendim ishte shumë i lehtë për të, pasi përfaqëson vendin ku ka lindur.
Celina kaloi në formë të huazimit te skuadra angleze, që bënë gara në ligën e dytë. Marrëveshja është e vlefshme deri në fund të sezonit, por Stoke City ka mundësinë e blerjes përfundimtare në verën e këtij viti.
Gjatë intervistës së shkurtër në ditën e prezantimit, ai u pyet se a ishte e lehtë zgjedhja e Kosovës, Celina tha: “Kam përfaqësuar Norvegjinë U20, por kur më erdhi mundësia për ta përfaqësuar vendin ku linda, ishte një zgjedhje shumë e lehtë për mua”.
26-vjeçari që është lojtar i skuadrës franceze, Dijon, kaloi gjashtë muaj në huazim te skuadra turke, Kasimpasa, ndërsa gjashtë muajt e ardhshëm do t’i luajë në Angli.
Stoke City nuk po kalon formë të mirë në Championship, pasi renditen në pozitën e 18-të, dhe prurja e mesfushorit kosovar mund të ndikojë që të paktën të mbeten në ligën e dytë angleze.
Celina në gjashtë muajt e kaluar te Kasimpasa nuk kaloi formën më të mirë të mundshme, pasi në 19 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhuruar një asist.
Sa i përket klubeve britanike, gjatë karrierës së tij Celina ka luajtur për Manchester Cityn (kryesisht për grupmoshat e reja), kurse më vonë ka qenë pjesë edhe e Ipswich dhe Swansea.
Liga e dytë angleze është kampionati i preferuar i 23-vjeçarit, pasi ka shkëlqyer më herët dhe tani mund ta rikthejë sërish shkëlqimin e tij, që do të ishte i mirëseardhur edhe për Kombëtaren e Kosovës, para fillimit të kampanjës së re në mars të këtij viti.

