“Garanton siguri edhe në ndeshje ndërkombëtare” – Rrahmani merr jehonë në shtypin e huaj
Ky është momenti i Amir Rrahmanit dhe ai po e shijon në tërësi. Mbrojtësi kosovar u vlerësua lart në ndeshjen që mbrëmë Napoli fitoi në udhëtim ndaj Ajaxit 1:6 në Ligën e Kampionëve.
Disa orë para fillimit të ndeshjes ishte në mëdyshje se a do të luante ose jo, ngase një ditë më herët ishte parë në stërvitje teksa vraponte me një fashë të vendosur në gjurin e këmbës së majtë.

Megjithatë, ashtu siç ka vepruar edhe në rastet e fundit, ai shtrëngoi dhëmbët dhe ia doli të jetë gati për të zbritur në fushë me fanellën e titullarit nga minuta e parë në Amsterdam.
Tërë paraqitja e tij u gjykua me fjalë dhe nota të mira nga shtypi italian, i cili vijon ta konsiderojë në superlativ mbrojtësin 28-vjeç kosovar.
Glorifikim i parreshtur – emëruesi i përbashkët për Rrahmanin
Pas mbarimit të ndeshjes, erdhi koha që shtypi italian të jepte vlerësimin e vet për paraqitjen e të gjithë lojtarëve të Napolit.
Në një ndeshje ku skuadra italiane shënoi histori, pasi askush më herët s’kishte arritur t’i shënonte gjashtë gola Ajaxit në terrenin e tij, nuk do mend se në vijë të përgjithshme të gjithë lojtarët janë lavdëruar për atë që kanë dhënë fushë.
Gazeta e dytë më e shtypur në Itali, “La Repubblica”, i thuri fjalë miradije Rrahmanit: “Nota 7. Edhe në ndeshje ndërkombëtare tashmë garanton siguri. Topat e gjatë janë të gjithë të dominuar nga ai."
Për gazetën tjetër të shtypur, “Il Mattino”, Rrahmani ka arritur ta mbajë të “fikur” lojtarin që përbënte rrezikun më të madh për Napolin: Kudus.
“Nota 8. Fiton thuajse të gjitha duelet me Kudus, duke provuar gjithmonë që t’ia ngushtojë hapësirat sulmuesit të ri të Ajaxit. E udhëheq mirë repartin e mbrojtjes, me shumë pak të meta, si në rastin e presionit të lartë të ushtruar nga mesfushorët dhe sulmuesit holandezë. Megjithatë, gjithnjë ka situatën nën kontroll. Pastaj, me kalimin e minutave shndërrohet në një mbrëmje relaksi”, shkruan “Il Mattino”.

Në anën tjetër, “Eurosport” nuk harroi të cekë edhe faktin që në pjesën e dytë ai iu afrua golit të shënimit për një fije peri.
“Nota 7. Është i pagabueshëm në fazën e ndërtimit të aksioneve nga thellësia. Në minutën e 69-të iu afrua golit me një goditje të fuqishme me këmbën e djathtë, pas një ekzekutimi të një këndoreje, ku mrekullisht priti Pasveer”, shkruan “EuroSport”.

Njëra ndër faqet më të lexuara në Itali, “Calciomercato.com”, po ashtu e pasqyroi më se pozitive paraqitjen e tij: “Nota 7. Ishte një paraqitje solide në vijë mbrojtëse. Për më tepër, iu afrua edhe golit me një goditje që e koordinoi bukur në ajër gjatë pjesës së dytë.”
Mediet lokale të Napolit, me në krye mediumin më me ndikim dhe të lexuar, “Tuttonapoli”, vurën theksin te shumë raste kur kapiteni i ekipit kombëtar “dardan” ka lexuar tejet mirë sulmet e kundërshtarit.
“Nota 7. Disa herë pati dalje boshe, por bëri edhe disa ndërhyrje me vlerë dhe të paktën disa raste lexoi për mrekulli aksionet e Ajaxit, kur lojtarët e tyre në fillim të ndeshjes niseshin në tranzicion. Për pak iu afrua edhe golit personal me një goditje të bukur në zonën kundërshtare”, raporton “Tuttonapoli”.
Vlen të theksohet se edhe mediet tjera me ndikim, si “Sky” apo “Goal”, me të njëjtën notë (7) kanë vlerësuar paraqitjen e Amir Rrahmanit.
Kjo ishte ndeshja e tretë në Ligën e Kampionëve për mbrojtësin prishtinas, i cili ka arritur që ta çimentojë pozitën e titullarit qe një vit, duke qenë një shtyllë e rëndësishme për mbrojtjen e ekipit të Luciano Spallettit.
Napoli po kryeson në renditjen tabelore në grupin A, ku pas tre ndeshjeve të zhvilluara ka arkëtuar 9 pikë. Pas tij, pason Liverpool me 6 pikë. Ajax ngelet me 3 pikë në pozitën e tretë, kurse pa asnjë pikë dhe i fundosur është Rangers.

Të dielën, Amir Rrahmani me Napolin rikthehen për të luajtur në kampionat, aty ku gjithashtu prinë në renditjen tabelore së bashku me Atalantan. Pra, më 9 tetor, me fillim në ora 18:00 do të luajnë në Cremona ndaj Cremoneses, sfidë të cilën Spalletti menjëherë pas fitores në Amsterdam e paralajmëroi si shumë të vështirë.
Ndërkaq, ekipi italian në Ligën e Kampionëve xhiron e katërt do ta zhvillojë pas një jave, më saktësisht të mërkurën (12 tetor), kur nga ora 21:00 do ta presë në "Maradona" Ajaxin, me ç'rast, me një fitore të thjeshtë do të sigurohej edhe plasmanin në mesin e 16 skuadrave më të mira në kompeticionin më të çmuar evropian.

