“I pagabueshëm”: Amir Rrahmanit i thuren lëvdata të mëdha nga shtypi italian
Amir Rrahmani luajti në tërë ndeshjen kundër Torinos, të cilën skuadra e Luciano Spallettit e fitoi me rezultat 3:1. Kësisoj, mbrojtësi “dardan” ishte sërish në epiqendër të lëvdatave të mëdha që ia dedikoi shtypi italian pas ndeshjes.
Mund të mos jetë akoma në elementin e vet më të mirë të kondicionit fizik pas shqetësimit të lehtë që ndjeu në ligamentet e kyçit të këmbës në “San Siro” para dy javësh, por Amir Rrahmani vijon të bëjë paraqitje të mëdha.
Një e tillë ishte edhe sot, ku ai shtrëngoi dhëmbët dhe ia doli të luajë titullar kundër Torinos në “Maradona”, që ishte thuajse i stërmbushur. Në këtë takim mungoi lojtari tjetër i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, pasi i duhet akoma edhe një javë për t’u rikuperuar nga lëndimi i pësuar më 16 shtator.
Mbrojtësi kosovar u zëvendësua në minutën e 63-të të martën në “Fadil Vokrri”, në sfidën që Kosova fitoi me rezultat 5:1 kundër Qipros. Zëvendësimi i tij vinte për shkak se nuk ishte në 100% të formës fizike dhe me qëllim për të mos e rrezikuar për ndeshjet e mbetura të Napolit.
Shtypi italian glorifikon paraqitjen e Rrahmanit
Me të përfunduar ndeshja e sotme, shtypi italian vlerësoi paraqitjet e të gjithë lojtarëve. Në fokus ishte edhe Amir Rrahmani, i cili u glorifikua për atë çfarë dëshmoi në fushë.
Agjencia më e madhe e lajmeve sportive online, “Tuttomercatoweb”, e përshkroi mjaft të denjë paraqitjen e mbrojtësit 28-vjeç “dardan”.
“Nota 7: I pagabueshëm. Në disa topa që vinin nga krahët ishte ai që i spastronte, qoftë me kokë, zhagas ose në çfarëdo mënyre tjetër”.
“Tuttonapoli”, si ueb faqja sportive e Napolit më e lexuar, e vlerësoi me notë dhe përshkrim pozitiv paraqitjen e Rrahmanit: “Nota 7: Vetëm një pasim e bëri në hapësirë boshe në fund të pjesës së parë, por mundësoi edhe një mbulim vendimtar që shmangi rezultatin 3:2 në momentin më të mirë që pati në lojë Torino. Në disa raste rrezikoi jo pak, por doli thuajse gjithmonë fitimtar.”
Me notë “7” mbrojtësi kosovar u vlerësua edhe nga agjencia prestigjioze e lajmeve sportive, “Goal”. Vlerësime të ngjashme patën edhe mediet tjera të mëdha, si "Sky", "Sportmediaset", etj.
Përveç të qenët lider dhe i sigurt në mbrojtje, Amir Rrahmani ishte proaktiv edhe në sulm. Ai me kokë iu afrua golit në fund të pjesës së parë, por topi përfundoi fare pranë shtyllës së portierit kundërshtar.
Ai kishte rol të veçantë edhe në ndërtimet e aksioneve nga thellësia e mbrojtjes. Sa i përket pasimeve vertikale, ishte lojtarit i katërt te Napoli që bëri më së shumti pasime të tilla, duke liruar bashkëlojtarët që ishin në fazën ofensive për të krijuar situata të favorshme gjatë aksioneve në fjalë.

Gjatë kësaj fundjave në Serie A po zhvillohet xhiro e tetë e kampionatit dhe me fitoren e sotme Napoli ka siguruar momentalisht ruajtjen e primatit në renditjen tabelore.


