Asnjë shqetësim shtesë për Rrahmanin, zhvillon stërvitje të plotë me Napolin - NACIONALE

Asnjë shqetësim shtesë për Rrahmanin, zhvillon stërvitje të plotë me Napolin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas një orë lojë që zhvilloi Amir Rrahmani kundër Qipros, u zëvendësua nga Alain Giresse. Nga këtu lindi droja në mediet italiane nëse do të mund t’ia dilte për ndeshjet vijuese të Napolit, por ai sot ka marrë pjesë në stërvitje të rregullta.

Napoli sot mblodhi skuadrën për herë të parë pas pauzës së kombëtareve. Në mesin e atyre që u panë në seancën stërvitore të klubit napoletan ishte edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Kur doli nga fusha e blertë kundër Qipros, stafi mjekësor i Kosovës e vëzhgoi nga afër gjendjen e tij fizike, pasi vetëm një herë kishte kryer stërvitje të plota për aq kohë sa ishte pjesë e grumbullimit të “dardanëve”.

Intervista e tij pas ndeshjes, kur deklaroi se nuk ishte në 100%-shin e vet më të mirë dhe se lëndimi nga i cili po vuante në kushte të zakonshme kërkon 10 ditë për t’u shëruar, ndërsa ajo ishte e 9-ta, zgjoi një reagim të madh te tifozët e Napolit, të cilët fajësonin Kosovën, siç thonin ata, “për rrezikim të panevojshëm të lojtarët”.

Megjithatë, për t’i heshtur konspiracionet dhe për t’i qetësuar të gjithë, u desh të dilte një komunikatë e Napolit sot, kur sqaroi se të gjithë lojtarët që erdhën nga angazhimet e tyre me kombëtaret respektive, u shfaqen në gatishmëri të trajnerit për ta kryer seancën e rregullt stërvitore.

Titullar i padiskutueshëm te Napoli

Luciano Spalletti vetëm një muaj nuk e ka konsideruar mbrojtësin 28-vjeç kosovar si titullar në skuadrën e tij. Mirëpo pas një seri gabimesh që shpërfaqi Manolas në derbin ndaj Juventusit në vjeshtë të 2021-ës, bëri që trajneri italian të reflektonte dhe t’ia besonte Rrahmanit minutat në fushë nga ndeshjet e radhës.

Ky ishte vërtet një fillim i një epoke të re për mbrojtësin prishtinas, i cili shkoi vetëm duke u përmirësuar, për ta krijuar një dyshe të qendërmbrojtjes shumë të mirë me Koulibalyn.

Amir Rrahmani u tregua në nivel të detyrës edhe kur mbrojtësi senegalez u largua gjatë Kupës së Afrikës, duke bërë që edhe me Jesus të ishte në lartësinë e njëjtë gjatë atyre javëve.

Kjo formë ishte e palëkundur. E tillë mbeti edhe pas transferimit të Koulibaly në Chelsea dhe ardhjes së Kim si bashkëlojtar me të cilin po e formon tani dyshen qendrore të vijës defansive.

Si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve ku më në fund debutoi, ka qenë prej pikave më të forta të skuadrës së Spallettit deri më tani.

Këto paraqitje kanë bërë që mbrojtësit “dardan” t’i bëhet gati një kontratë e re. Sipas medieve italiane ajo do t’i propozohet së shpejti, si shpërblim për konsistencën e treguar në formë.

Lajme të ngjashme