Napoli fiton ndaj Ajaxit dhe kualifikohet në raundin e 16-të, Atletico Madrid dëshpëron ndaj Brugge - NACIONALE

Napoli fiton ndaj Ajaxit dhe kualifikohet në raundin e 16-të, Atletico Madrid dëshpëron ndaj Brugge

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli është bërë skuadra e tretë që ka siguruar kualifikimin në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Ajaxin (4:2), derisa Atletico Madrid është duke rrezikuar kualifikimin pasi u ndal në një barazim pa gola ndaj Club Brugge.

"Napolitanët" ishin mjaftë të mirë në sfidën ndaj Ajaxit, ku me plot meritë arkëtuan pikët e plota.

Pas vetëm katër minutave lojë, nga një aksion shumë i bukur, Piotr Zielinski gjeti Hirving Lozanon, që shënoi me kokë për t'i dhënë epërsinë vendasve (4').

Napoli vazhdoi me dominimin e plotë dhe arriti ta dyfishojë epërsinë përmes Giacome Raspadori, i cili realizoi një gol fantastik me një super goditje pasi mori një pasim të bukur (16').

Tutje, dy skuadrat kishin raste shënimi por që assesi nuk i konkretizuan, prandaj epilogu i kësaj pjese doli të jetë 2:0.

Në pjesën e dytë, Ajax e nisi shumë më mirë duke ngushtuar shpejtë rezultatin përmes mesfushorit Davy Klaassen, që e dërgoi në rrjetë topin e harkuar nga Calvin Bassey (49').

Sidoqoftë, derisa mendohej ndonjë përmbysje e Ajaxit, ishte Timber që preku topin me dorë dhe arbitri akordoi penallti, nga e cila i pagabueshëm doli të jetë Khvicha Kvaratskhelia (62').

E tëra që Ajax arriti të bënte, ishte goli i dytë njëkohësisht i fundit, të cilin e shënoi Steve Bergwijn nga pika e bardhë (83').

Krejt në fund, Victor Osimhen përfitoi nga një gabim në mbrojtje dhe vulosi fitoren e "Napolitanëve" (90+3').

Kështu, Napoli siguron kualifikimin si lider nga grupi A me 12 pikë të mbledhura, derisa Ajax matematikisht ende mbetet në garë pasi renditët në pozitën e tretë me tre pikë.

Në anën tjetër, Atletico Madrid është seriozisht duke rrezikuar kualifikimin tutje, sidomos pasi barazoi në shtëpi me Club Brugge (0:0).

"Los Rijoblancos" kishin rastet më të mira në sfidë duke rrezikuar përmes Antoine Griezmann dhe Angel Correa, por që nuk arritën t'i konkretizojnë shkaku i pritjeve të shkëlqyeshme të Simon Mignolet.

Brugge gjithashtu nuk është se qëndroi "duarkryq", duke rrezikuar përmes Ferran Jutgla, të cilit gjithashtu i mungoi finalizimi.

Atletico në fakt arriti të shënojë përmes Correas, mirëpo arbitri e anuloi për pozitë jashtë loje.

Situata për Brugge u vështirësua në fund, kur Kamal Sowah u ndëshkua me të kuq pasi mori dy kartonë të verdhë, por prapëseprapë arritën ta ruajnë rezultatin.

Kështu, Club Brugge mbetet lider në grupin B me 10 pikë dhe avancon tutje për herë të parë në historinë e klubit, derisa Atletico renditët në pozitën e dytë më katër sosh. Me fillim nga ora 21:00 do të përballen dy skuadrat e tjera në grup, Porto dhe Bayer Leverkusen që kanë nga tre pikë në tabelë

Lajme të ngjashme