Kurti dhe Abdixhiku të shpresshëm rreth presidentit/es, pajtohen të kenë “emra konkretë në takimin e ardhshëm” - NACIONALE

Kurti dhe Abdixhiku të shpresshëm rreth presidentit/es, pajtohen të kenë “emra konkretë në takimin e ardhshëm”

2 orë më parë

nga NACIONALE

Takimi mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pas gati tri orësh pa marrëveshje për presidentin e ri.

Dy partitë, megjithatë, thanë se diskutuan “thellë e gjerë” për kriteret dhe parimet që duhet t’i përmbushë kandidati për president dhe do t’i vazhdojnë konsultimet.

Kurti dhe Abdixhiku thanë se para takimit të ardhshëm do të zhvillojnë konsultime brenda partive të tyre për emrat potencialë.

Kurti tha pas takimit se diskutimi ishte “ekskluzivisht për figurën presidenciale” dhe se bisedimet ishin serioze.

“Tash jemi në bisedime serioze me LDK-në”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai tha se palët nuk kishin diskutuar ende për emra konkretë, por ishin përqendruar te kriteret dhe vlerat që duhet t’i ketë presidenti i ardhshëm.

“Sot diskutuam hollësisht e thellësisht për kriteret, standardet që duhet t’i ketë figura presidenciale. Vlerat, parimet”, tha Kurti.

Sipas tij, gjatë takimit u diskutua edhe për historinë e Kosovës, sektorë të ndryshëm të shoqërisë dhe profesionet që mund të përfaqësojnë kandidatët.

Kurti tha se ndjeshmëria e procesit e bën të nevojshme që partitë fillimisht të konsultohen brenda strukturave të tyre.

“Pa shkuar ne në konsultime në subjektet tona, në këtë fazë nuk mund të them më shumë se kaq. Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”, tha ai.

Lideri i Vetëvendosjes tha se zgjedhja duhet të udhëhiqet nga interesi shtetëror dhe jo nga ambiciet individuale.

“Po përpiqemi maksimalisht. Nuk janë në radhë të parë interesat e ngushta as ambiciet individuale”, tha Kurti.

Ai shtoi se synimi duhet të jetë zgjedhja e një presidenti që përfaqëson unitetin e qytetarëve dhe përmbush rolin kushtetues të kreut të shtetit.

“Duam president/e meritor/e kushtetues/e që reflekton vlerat e shoqërisë sonë dhe ka kontribut për popullin”, tha Kurti.

Abdixhiku tha se takimi u zhvillua në frymën e vullnetit të mirë dhe se palët kishin arritur më shumë qartësi rreth profilit të presidentit.

“Këtu diskutuam në vullnet të mirë për kriteret dhe profilin potencial për president”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, të dyja palët janë pajtuar se presidenti duhet të jetë figurë që mbron Republikën dhe kontribuon në unitetin politik.

“Kriteret janë të qarta, një presidente që e do dhe mbron Republikën, dhe një figurë që shtron unitetin politik sipas Kushtetutës”, tha Abdixhiku.

Ai tha se LDK nuk dëshiron një president të parëndësishëm politikisht.

“Nuk duam presidentë të parëndësishëm”, tha kryetari i LDK-së, duke shtuar se Kosova ka figura që mund ta përmbushin këtë rol.

Abdixhiku konfirmoi se emrat konkretë do të diskutohen në takimin e ardhshëm, pas konsultimeve të brendshme.

“U dakorduam të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm. Meqenëse për emrat na duhen konsultime të brendshme”, tha ai.

Megjithatë, Abdixhiku mohoi se mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është arritur ndonjë marrëveshje politike.

“Nuk ka marrëveshje LDK-VV, ajo çështje ka mbaruar”, tha ai.

Ai tha se për momentin ekziston vullneti për të gjetur një zgjidhje, por kërkoi kohë për konsultime.

“Ajo çka është e rëndësishme është që ka vullnet për zgjidhje”, tha Abdixhiku.

Lajme të ngjashme