Konsensusi që s'ishte: Hoti e Bajrami artikulojnë qëndrimet e tyre kundër paktit Kurti-Abdixhiku për Sejdiun - NACIONALE

Konsensusi që s'ishte: Hoti e Bajrami artikulojnë qëndrimet e tyre kundër paktit Kurti-Abdixhiku për Sejdiun

4 orë më parë

nga NACIONALE

Pakti Kurti-Abdixhiku për emrin e Bekim Sejdiut, i paraqitur në opinion si rrugëdalje nga kriza institucionale, hasi shpejt në rezistencë brenda grupit parlamentar të LDK-së. Një ditë më vonë u konfirmua se gjashtë deputetë – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – deklaruan se nuk do ta përkrahnin emrin e propozuar.

Për Bajramin, problemi nis te narrativa e rreme e një konsensusi politik. Ajo e kontestoi vetë këtë përkufizim, duke deklaruar se kandidati nuk mund të quhet konsensual kur refuzohet nga një e treta e grupit parlamentar.

“Kandidati nuk ishte konsensual. Kandidati konsensual nënkupton që ta ketë pranueshmërinë e të gjithëve. Në fakt, një e treta e deputetëve të grupit parlamentar të LDK-së ishte kundër kandidaturës”, tha Bajrami në “Rubikon”.

Ajo e lidhi mungesën e konsensusit jo vetëm me kundërshtimin e gjashtë deputetëve, por edhe me mënyrën se si ishte zhvilluar procesi mes Abdixhikut dhe Kurtit.

Bajrami iu referua edhe deklarimeve të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë intervistës në "VOX Kosova", sipas të cilit Sejdiu nuk kishte qenë propozim vetëm i LDK-së, por emër që ndodhej në listat e të dyja partive.

“Faturën që zoti Abdixhiku e ka marrë dhe e ka sjellë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami nuk e merr”, tha ajo.

Sipas saj, përgjegjësia për një përfundim eventual të procesit në zgjedhje nuk mund t’u ngarkohet gjashtë deputetëve të LDK-së.

“Vendin në zgjedhje e dërgon Albin Kurti. Askush tjetër s’ka mundësi me dërgu vendin në zgjedhje përpos Albin Kurtit”, deklaroi Bajrami, duke shtuar se ajo merr përgjegjësi për veprimet dhe votën e saj,.

Nga ana tjetër, mes argumenteve për rezervat ndaj emrit të Sejdiut, Hoti e veçoi kalimin e tij nga Gjykata Kushtetuese në Zyrën e Presidentit si një prej elementeve që, sipas tij, e vënë në dyshim pozicionimin e kandidatit.

“Fakti që ai është larguar nga Gjykata Kushtetuese dhe ka shkuar këshilltar në Zyrën e Presidentit, tregon për animin e tij politik”, tha Hoti në “Debat Plus”.

Ai e lidhi këtë rezervë edhe me mungesën, sipas tij, të qëndrimeve publike të Sejdiut karshi zhvillimeve kushtetuese dhe politike të viteve të fundit.

Për Hotin, këto elemente janë të mjaftueshme për të mos i dhënë mbështetje kandidaturës.

Abdixhiku e kishte cilësuar këtë pozicion të dëmshëm për vendin dhe LDK-në, ndërsa në një deklarim tjetër kishte thënë se “duket se ka apetit të jashtëzakonshëm për të shtyrë agjenda që s’janë të LDK-së”.

Hoti i cilësoi deklaratat si të papërgjegjshme.

“Besoj që janë deklarime të papërgjegjshme. Në këto deklarime është plotësisht i papërgjegjshëm”, tha ai.

Lajme të ngjashme