Policia zbardh detaje nga rasti tragjik në Klinë: Motra e vdekur, nëna e plagosur rëndë
Një person është arrestuar në Klinë nën dyshimin për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje e rëndë në tentativë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, më 6 shtator 2026, Stacioni Policor në Klinë është njoftuar për një rast të rëndë në fshatin Poterq.
I dyshuari, për të cilin Policia thotë se ka probleme të shëndetit mendor, dyshohet se fillimisht ia ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij.
Më pas, sipas njoftimit, ai ka kaluar në një dhomë tjetër, ku dyshohet se ka sulmuar me mjet të fortë nënën e tij.
Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.
Për shkak të gjendjes së rëndë, ato më pas janë transferuar për trajtim të mëtejmë në QKUK, në Prishtinë.
Policia ka bërë të ditur se më 7 shtator është njoftuar se vajza, e cila kishte pësuar lëndime nga zjarri, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor.
I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Sipas Policisë, ai po qëndron nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe nën mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë.