Lëndimi i Amir Rrahmanit më serioz seç dukej, konfirmon Napoli
Amir Rrahmani mund të mungojë një deri në dy muaj për shkak të një lëndimi që e pësoi në fundjavë, ka konfirmuar klubi i tij Napoli.
Kapiteni i Kosovës Rrahmani u zëvendësua pas pjesës së parë në fitoren e Napolit 4:1 kundër Cremoneses të dielën.
Pas analizave mjekësore u mësua se qendërmbrojtësi prishtinas e ka lënduar tendinin e këmbës së majtë.
“Pas ekzaminimeve mjekësore është gjetur se Amir Rrahmani, i cili u zëvendësua në ndeshjen e fundit të Napolit kundër Cremoneses, ka pësuar një lëndim në tendinin e këmbës së majtë”, njoftoi Napoli të martën vonë.
Lideri i Serie A shtoi se kosovari, megjithatë, e ka nisur rrugën e riaftësimit tashmë.
“Mbrojtësi e ka nisur rrugën e riaftësimit tashmë”.
🏥 Rrahmani suffers tendon injury in left thighhttps://t.co/umtX90DWGx
— Official SSC Napoli (@en_sscnapoli) October 11, 2022
Napoli nuk ka treguar se sa do të mungojë saktësisht 28-vjeçari, por besohet se atij do t'i duhen një deri në dy muaj kohë për t'u riaftësuar plotësisht dhe për të qenë në gjendje të luajë lojë garuese.
Rrahmani është titullar i padiskutueshëm nën urdhrat e trajnerit Luciano Spalleti, pasi i ka zhvilluar 982 minuta në 11 paraqitje në të gjitha garat deri tani këtë sezon për Napolin.
Ai do të mungojë kundër Ajaxit sonte në Ligën e Kampionëve dhe disa ndeshje të tjera në Serie A si pasojë e këtij lëndimi.
Duket se ky lëndim i tij nuk është i rastësishëm apo tanishëm, pasi Rrahmani nuk ishte plotësisht i gatshëm as për ndeshjet e fundit të vitit të Kosovës në fund të muajit të kaluar.
Ai u la në stol në disfatën befasuese të Kosovës kundër Irlandës Veriore por luajti 64 minuta në triumfin e thellë kundër Qipros në ndeshjen e fundit.
