Nga refuzimi te pranimi i Kosovës: Ndryshimi rrënjësor që bënë Bislimi dhe Ferati
Kosova sot publikoi listën e lojtarëve për ndeshjet miqësore të nëntorit kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe. Uran Bislimi dhe Arianit Ferati ishin disa prej emrave të rinj të ftuar. Megjithatë, të njëjtit më herët kishin refuzuar Kosovën.
Nuk janë as të fundit, e as të parët – por janë pjesë e një narrative që nuk ndryshon tani e shumë vite: Kosova pranohet si opsion i fundit nga lojtarët vetëm kur dyert tjera mbyllën (lexo: të kombëtareve evropiane).
Shembuj konkretë janë Uran Bislimi dhe Arianit Feratin. Ata më herët nuk ishin të bindur që t’i bashkoheshin Kosovës. Në rastin e të parit historia është shumë e freskët.
Një histori metamorfozash personifikon Bislimin në raport me Kombëtaren e Kosovës. Ai në një moment ishte shndërruar edhe në një lojtar jo shumë të pëlqyer te tifozët kosovarë për shkak të refuzimit që i bëri kombëtares dardane javë më parë.
Ndërkaq sa i takon Arianit Feratit, edhe pse nuk ka qenë shumë i përfolur në publik viteve të fundit, ka pasur përpjekje të ndryshme për ta sjellë te Kosova nga viti 2018 e këndej. Mirëpo, është dashur të kalojnë disa vite për t’u arritur ky qëllim.
Ferati deri në grupmoshën U20 kishte qenë përfaqësues i Gjermanisë, por vetëm kaq. Më tej Gjermania nuk ia besoi ndonjë ftesë tjetër. Me gjasë, i vetëdijshëm se është thuajse e pamundur të bindet një fuqi botërore në futboll si ajo e kombëtares gjermane që ta ftojë sërish, pranoi ftesën e Kosovës – edhe pse me vonëse.
Shtatë javë më herët refuzoi Kosovën për ta ëndërruar Zvicrën
Nuk ka qenë zakon që Kosova, në konferencat e para për shtyp që organizon me përzgjedhësin e vet në prag të fillimit të një grumbullimi të ri, të paraqesë në publik prapaskenat rreth një lojtari që ka refuzuar ftesën.
Një gjë e tillë ndodhi shtatë javë më herët. Gjithçka u tha hapur. Asgë nuk u fsheh. Në konferencë për shtyp më 20 shtator, pak ditë para se Kosova t’i luante ndeshjet e fundit kualifikuese në Ligën e Kombeve, Alain Giresse nuk mbajti asnjë sekret në raport me Uran Bislimin.
“Para se të përpilojmë listën, shohim shumë lojtarë që mund t’i bashkohen kombëtares dhe që kanë një profil interesant. Një prej tyre është Shkëlqim Vladi, një sulmues shumë i mirë. Edhe Donat Rrudhani po ashtu, të cilit i dërguam ftesë. Është e njëjta situatë si me Bislimin, i cili ka refuzuar grumbullimin me Kosovën, edhe pse më parë ka luajtur me Kosovën U21”, ishte shprehur ai.

Vetë Bislimi me zë të lartë pranonte se kishte refuzuar Kosovën në një intervistë dhënë për “20 Minuten” në fund të muajit shtator. Madje, ai deklaronte se nuk i bënin fare përshtypje reagimet e forta që vinin nga larg (me shumë gjasë duke aluduar tek ato nga Kosova).
“Kush më është pranë mund ta kuptojë dhe mirëkuptojë vendimin tim. Nuk më bezdis për reagimet që ngjajnë nga larg. Siç e thashë më herët, fokusi im i vetëm është Lugano”, deklaronte ai.
Që të luajturit për Zvicrën ishte një ëndërr për të ai nuk e fshehte fare:“Vendimi i marrë është që të fokusohem te Lugano, që të ambientohem sa më mirë dhe ta fitoj statusin e lojtarit titullar. Mirëpo të luajturit për Zvicrën është sigurisht ëndërr e çdo futbollisti.”
E vetmja mundësi që Bislimi kishte për të luajtur me Zvicrën ishte në grupmoshën U19, kur ai bëri një paraqitje si titullar ndaj Finlandës në mars të 2018-ës.
Sidoqoftë, tani ai do të jetë pjesë e Dardanëve për dy ndeshjet e ardhshme që do të zhvillohen më 16 dhe 19 nëntor, kundër Armenisë, respektivisht Ishujve Faroe. Ndeshje këto që do të luhen në “Fadil Vokrri”.
Ferati në formë më të mirë, Bislimi në ngecje
Në këtë sezon Arianit Ferati po spikat me një formë të mirë në kampionatin holandez, ku luan për Fortuna Sittardin. Ka një kohë që mesfushori kosovar është ambientuar mirë në skuadrën holandeze.
Ai është titullar thuajse i palëkundur në ekip. Ferati luan si mesfushor organizator, ku në këtë kampionat aktual ka shënuar një gol dhe ka regjistruar edhe një asist.
Ai kontribuon në dy faza e lojës. Jo shpesh vihet në pozitë për të goditur drejt portës kundërshtare. Deri më sot, ai ka bërë 9 goditje të tilla në kampionat.
Një përparësi që duhet t’i atribuohet Feratit është se di të luajë me të dy këmbët. Ai mund të godasë qoftë me këmbën e majtë, ashtu edhe me të djathtën.

Kontrata e tij me Fortuna Sittard skadon në fund të sezonit dhe nuk dihet nëse do ta vazhdojë atë apo do të lirohet me parametra zero.
Pra, vetëm për minutat në fushë nuk është se vuan, meqë nga trajneri spanjoll, Velazques, vlerësohet tejet pozitivisht.
Të njëjtin fat nuk e gëzon edhe Uran Bislimi. Mesfushori 23-vjeçar nuk po arrin ta konsolidojë vetën në formacionin bazë të Luganos.

Vetëm pesë herë deri më tani ka hyrë në XI-shen titullare të ekipit helvet. Ai, ashtu edhe si bashkëkombësi tjetër, që njashtu u ftua për këto ndeshje miqësore, Kreshnik Hajrizi, nuk shihen si lojtarë që mund ta mbajnë barrën e lojës në skuadrën e Luganos.
Të vetmin gol që e ka shënuar Bislimi këtë sezon ka qenë ndaj Lucernit më 22 tetor, edhe pse nuk shërbeu shumë, pasi ekipi i tij humbi 3:1.
Si lojtar sulmues në të kaluarën jo fort të largët projektohej nga më premtuesit në futbollin zviceran. Gjatë kohës sa ishte në Schaffhausen, konkretisht në kategorinë e dytë, kishte rënë në sy si një lojtar i ri me vizion, që shumë shpejt pritej t’i digjte etapatat drejt afirmimit të hovshëm në futbollin profesional.
Megjithatë, këtë shkallë ai akoma po ka vështirësi që ta arrijë, me të gjithë peripecitë që po has në Lugano këtë sezon.


