Dardani i Javës: Muriqi protagonist jo vetëm te Mallorca, por edhe faktor në tërë La Ligën – ja arsyet - NACIONALE

Dardani i Javës: Muriqi protagonist jo vetëm te Mallorca, por edhe faktor në tërë La Ligën – ja arsyet

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Vedat Muriqi me një gol dhe asist ishte më meritori për suksesin e radhës të Mallorcas të dielën që lëmë pas, meqë u mposht 2:0 në udhëtim Villarreali. Ecuria e tij është indikator edhe i të qenit protagonist edhe në La Liga dhe jo vetëm në skuadrën e vet.

Trajneri Setien i skuadrës të “nëndetëses së verdhë” pësoi humbjen e tretë radhazi dhe u nda të dielën pas fundit të ndeshjes me një stadium tërë që e fishkëllente.

“Fajtori” kryesor që e determinoi atë ambient të sikletshëm për Villarrealin ishte Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar me anë të paraqitjes së tij konfirmoi formën jetësore në të cilën po kalon, duke ia mundësuar Mallorcas sigurimin e tre pikëve të reja, që e vendosin atë në një pozitë të rehatshme tabelore, gjegjësisht në vendin e 9-të.

Rendimenti i Muriqit e kalon kufirin e impaktit te Mallorca. Ai ka filluar të jetë edhe protagonist e faktor në La Liga. Golat, asistet, të qenët lojtar përcaktues në pikët e skuadrës, e bëjnë atë të veçantë.

Gjysma e golave që ka shënuar Mallorca (14) janë derivat i sulmuesit 28-vjeç kosovar që ka shënuar deri më tani (7).

Javën që lëmë pas Muriqi ishte lojtari më i dalluar nga të gjithë bashkëkombësit e tij që mbrojnë fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Faktet që e renditin Muriqin lojtar me ndikim në La Liga

Një Kupë e Mbretit dhe një Superkupë janë titujt e vetëm të fituar nga Mallorca në historinë e klubit, por në skuadër gjatë periudhave të ndryshme kohore kanë defiluar sulmues të spikatur. Njëri prej tyre Samuel Eto’o.

Jo shumë më ndryshe po trajtohet edhe Vedat Muriqi. Ai është lojtar protagonist i marketingut të klubit. Më i dashuri i tifozëve dhe prej lojtarëve që më së shumti shkruhen artikuj në shtypin spanjoll.

Vedat Muriqi me karizmën, personalitetin, angazhimin dhe golat e tij – ka arritur të shndërrohet në një lojtar protagonist te klubi i vet dhe faktor në tërë La Ligën.

Ai është lojtari i tretë që ka shënuar më së shumti gola në kampionat (7). Numrin më të madh të golave përgjatë një sezoni Vedat Muriqi e kishte shënuar te Rizespor (17), ku njëherësh kishte regjistruar edhe 7 asiste. Po flasim për sezonin 2018/2019. Në sezonin pasues kalonte te Fenerbahce, ndërsa një sezon më vonë te Lazio.

Vedat Muriqi ka të gjitha premisat që në një kampionat më të vështirë, dukshëm më cilësor dhe më të rëndësishëm, siç është La Liga, ta tejkalojë veten edhe nga kjo pikëpamje.

Përfaqësuesi kosovar në këtë sezon është edhe në mesin e lojtarëve që më së shumti godet drejt portës. Ai në këtë listë renditet i 7-ti me 33 goditje të bëra.

Lewandowski mban vendin e parë me 45 goditje. Ndërsa para Muriqit në vendin e katërt është fituesi i Topit të Artë të sivjem, Benzema, me 34 goditje, po aq sa ka bërë edhe Lino i Valencias. Kështu që, Muriqi për dallim nga ta ka bërë vetëm një goditje më pak sa dy të lartëcekurit.

Sulmuesi “dardan” ka një mesatare prej 2,9 goditjesh në ndeshjet e La Ligas në këtë edicion
. Shifër relativisht e lartë, kur kemi parasysh faktin që Mallorca me Aguirre nuk shquhet për një futboll sulmues, i cili do t’i vënte shpesh në pozita të volitshme sulmuesit apo lojtarët ofensivë për të goditur.

Për ta konfirmuar këtë detaj mund ta përmendim statistikën e prekjes së topit në zonën e rreptësisë kundërshtare. Muriqi në këtë aspekt ka 3,26 prekje të topit në kuadër të 90 minutave lojë.

Aty ku prizrenasi e ka gjetur më së shumti veten ndryshe prej dy sezoneve paraprake sa qëndroi te Lazio, është loja në ajër, karakteristikë dhe veçori për të cilën shquhet, falë korpulencës dhe shtatlartësisë.

Në fakt, nga të gjithë lojtarët në La Liga, Vedat Muriqi zë vendin e njëmbëdhjetë (11) kur flasim për topat e gjatë të pranuar. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka një mesatare prej 2,64 pasimeve të gjata të pranuara për ndeshje.

Si burojnë golat e shënuar nga Muriqi?

Në përgjithësi, Muriqi njihet si një lojtar i zonës së rreptësisë. Shumica e golave të shënuar nga ai derivojnë nga zona e 16-metërshit.

Mirëpo, në esencë golat e shënuar nga ai në këtë vit vijnë nga nga harkimet e pranuara (33,3%). Shumica e përpjekjeve që bën për të shënuar gol koncentrohen në dy fraksione kohore: në fillim dhe në fund të ndeshjes. Pra, nga minuta 1-15’ dhe nga minuta 76-90’+.

Jo rastësisht edhe një numër i madh golash kanë ardhur në këto periudha kohore, që janë shumë të rëndësishme në futboll, pasi determinojnë të gjithë rrjedhën e ndeshjeve.

Një përparësi për Muriqin është edhe fakti që nuk është i varur teknikisht vetëm nga njëra këmbë. Ai di të godasë dhe shënojë duke përdorur dy këmbët.

Gjatë vitit aktual kalendarik ai ka bërë 39 goditje në kuadrat me këmbën e majtë, ndërsa 27 sosh me të djathtën. Sido që të jetë, numri më i madh i goditjeve vijon të jenë me kokë: 47.

Vedat Muriqi nënshkroi gjatë afatit kalimtar veror me Mallorcan një kontratë pesë-vjeçare, pasi Lazio u bind që të privohej nga shërbimet e tij për një shifër rreth 9 milionë euro.

Lajme të ngjashme