“Bindu para piratit, o mësohu të mbijetosh” – Ndikimi i pashoq i Vedat Muriqit në La Liga për Mallorcan - NACIONALE

“Bindu para piratit, o mësohu të mbijetosh” – Ndikimi i pashoq i Vedat Muriqit në La Liga për Mallorcan

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Asnjë lojtar në La Liga, madje as lojtari më i mirë në botë për vitin 2022 Karim Benzema i Real Madridit, nuk është duke pasur ndikimin më të madh në ekipin e vet në La Liga këtë sezon se Vedat Muriqi i Mallorcas.

I pandalshëm. Kjo është vetëm njëra prej mënyrave se si mund ta përshkruash sulmuesin e Kosovës që prej se ai iu bashkua Mallorcas dhe e ringjalli veten pas një periudhe dështimi e dëshpërimi në Lazio.

Në fitoren e Mallorcas 2:0 kundër Villarrealit të dielën, Muriqi u përfshirë drejtpërdrejt në të dy gola, duke shënuar të parin dhe duke e asistuar të dytin.

Muriqi është përfshirë në 66.7 për qind të golave të skuadrës së vet, gola dhe asiste, që është ndikim më i madh se i çdo futbollisti tjetër brenda ekipit të vet deri tani këtë sezon në La Liga.

Muriqi e ka shtrirë ndikimin e tij në futbollin spanjoll që prej fillimit, por po e rrit atë nga loja në lojë. Shtatë gola dhe një asist në 11 ndeshje, është ndikim më i madh në skuadër se sa 13 golat dhe katër asistet e Robert Lewandowskit. Kjo sepse Mallorca i ka shënuar 12 gola në tërësi, ndërsa Barcelona 31 sosh.

Ndikimi i Muriqit nuk mund të shpjegohet vetëm përmes numrave, sepse ai është pikë referimi si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, dhe jo vetëm sepse ai është lojtari i parë me të cilin përballet kundërshtari kur sulm, logjikisht për shkak të pozitës së tij, por sepse ai është përgjegjës për largimin e topave nga mbrojtja gjatë çdo ndërprerjeje dhe rivënieje këndore.

Prizrenasi, 28 vjeç, arrin gjithçka, ai i largon të gjithë topat në shtyllën e parë, madje edhe disa që arrijnë më larg. Ai është aty për ta mbrojtur ekipin.

Sipas statistikave të La Ligës, goxha tronditëse, Muriqi i ka fituar 146 duele deri tani këtë sezon në ligë, 94 duele ajrore, 52 duele tokësore.

Një fakt interesant që e përfshin Muriqin është se Mallorca nuk e ka shënuar ende asnjë gol me këmbën e djathtë, tetë gola me këmbën e majtë dhe katër gola me kokë. Kjo sepse Muriqi është majtak.

Ish-sulmuesi i Lirisë së Prizrenit i ka shënuar shtatë gola dhe e ka dhënë një asist në 11 paraqitje deri tani këtë sezon, duke i ndihmuar Mallorcas të ngrihet në vendin e 12-të me 16 pikë, pesë pikë larg zonës së rënies nga liga.

Me formën dhe vazhdimësinë që e ka treguar Muriqi në ishull, Mallorca mund të mos brengoset për të luftuar për mbijetesë edhe në fund të këtij sezoni në La Liga.

Lajme të ngjashme