Derbi mes Juventusit e Milanit përfundon pa gola, Kuqezinjtë afër të konfirmohen si nënkampion i Italisë - NACIONALE

Derbi mes Juventusit e Milanit përfundon pa gola, Kuqezinjtë afër të konfirmohen si nënkampion i Italisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Derbi mes Juventusit dhe Milanit në Allianz Stadium ka përfunduar pa gola, me Kuqezinjtë që tani janë afër të konfirmohen si nënkampion të Italisë, ku janë pesë pikë para Zonjës së Vjetër.

Interi u shpall kampion i Serie A-së javën e kaluar, pikërisht me fitore ndaj Milanit, dhe tani këta të fundit do të luftojnë vetëm për një përfundim më të mirë që do të ndikonte në vazot e Ligës së Kampionëve.

Një nga përballjet më të mëdha në Itali u zhvillua sot në Torino, por ndeshja nuk ishte prej më të mirave të mundshme.

Posedimi i topit ishte për një nuancë në të mirë të skuadrës së Stefano Piolit, por ata nuk arritën që për 90 minuta ta dërgojnë një gjuajtje të vetme në drejtim të portës, me Juventusin që pati disa raste të mira, me një që u prit në fund të ndeshjes nga portieri i dytë i kuqezinjve, Marco Sportiello.

90 minuta nuk pati gola, me ndeshjen që përfundoi me barazim 0:0.

Milani pas barazimit gjendet në vendin e dytë me 70 pikë, pesë më shumë se Juventusi që është në vend të tretë, por që mund ta humbasë këtë pozitë nëse Bologna shënon fitore nesër ndaj Udineses.

Lajme të ngjashme