Peja fiton ndaj Yllit, ngushtohet seria gjysmëfinale në 2:1 për 'Xhebrailat' - NACIONALE

Peja fiton ndaj Yllit, ngushtohet seria gjysmëfinale në 2:1 për 'Xhebrailat'

2 vjet më parë

nga NACIONALE

KB Peja ka arritur ta fitojë gjysmëfinalen e tretë ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 98:86, kështu duke ngushtuar serinë gjysmëfinale në 2:1, pas dy fitoreve rresht të skuadrës nga Suhareka.

Përballja e tretë mes këtyre dy skuadrave u zhvillua në Gjakovë, pasi Komisioni i Garave e dënoi Pejën, kur situata eskaloi në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Pejanët i fituan tre çerekë radhazi, që ishin vendimtare për triumfin në Shani Nushi, me suharekasit që fituan vetëm periodën e fundit.

10 minutat e parë u mbyllën me epërsi të vogël të 'vendasve' 25:23, por që skuadra e Rami Hadar e rriti diferencën në pikë në çerekun e dytë kur fituan 27:21, për të shkuar në pushim me tetë pikë plus, apo 52:44.

Kjo epërsi u rrit edhe më shumë në 10 minutat në vazhdim, pasi Peja fitoi çerekun e tretë me rezultat 26:19, duke shkuar në periodën e fundit me 15 pikë epërsi.

Ylli fitoi çerekun e katërt me rezultat 23:20, por që ishte e pamjaftueshme, pasi Peja fitoi 98:86.

Në këtë fitore të pejanëve, shkëlqeu Larry Thomas me 27 pikë e nëntë asistime, kurse u dalluan me paraqitje të mirë edhe Justin Davis me 17 pikë, Jetmir Zeqiri me 14 e pikë të njëjta shënoi edhe Vaughn.

Në, anën tjetër, si gjithmonë i pandalshëm ishte Alonzo Verge Jr me 32 pikë, ndërsa 19 shtoi Jan Palokaj.

Ylli kryeson në këtë seri me dy fitore, krahas një të Pejës dhe ndeshja e ardhshme mund të jetë vendimtare, për t'u përcaktuar njëri nga finalistët.

Lajme të ngjashme