Kosova thirr lojtarë të rinj dhe vendorë për miqësoret e nëntorit
Kosova ka thirrur lojtarë të rinj dhe nga Superliga vendore për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji.
Kombëtarja e Kosovës përballet me Armeninë më 16 nëntor dhe me Ishujt Faroe më 19 nëntor. Të dy ndeshjet do të zhvillohen ë Prishtinë.

Po ta shikosh listën, menjëherë në sy bien futbollistët që janë ftuar nga skuadrat që bëjnë gara në Superligën e Kosovës, ftesa që kanë shumë të rralla që nga pranimi i Kombëtares së Kosovës me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA.
Lindon Emërllahu i Ballkanit dhe Ilir Krasniqi i Llapit janë ftuar përsëri, ashtu siç ishte bërë në grumbullimin e fundit, ku patën të dy minuta, ndonëse ishin të pakët.
Pjesë e listës po ashtu është edhe Lumbardh Dellova i Ballkanit dhe Muharrem Jashari i Dritës që veçse kanë debutuar më herët për Kombëtaren A, ndërsa befasi përbën mos ftesa e Armend Thaqit, një nga lojtarët më në formë në vitet e fundit në Superligën e Kosovës dhe një nga meritorët për arritjet e Ballkanit gjatë sezonit të kaluar dhe këtij që është duke u zhvilluar.
Edhe pse mungojnë lojtarët më të mirë të Kosovës në atë pozitë, përzgjedhësi Giresse ka vendosur se nuk ka vend për 30-vjeçarin, pasi që janë ftuar lojtarët prej gjeneratave më të reja.
Një tjetër lojtar i Ballkanit që po kalon momente shumë të mira dhe pati paraqitje të jashtëzakonshme e që nuk u ftua është Meriton Korenica.
Pjesë e Kombëtares për këto dy miqësore do të jetë Visar Bekaj, portieri i Tiranës, që tani mund ta ketë shansin e minutave të plota në mungesë të Arijanet Muric e Samir Ujkanit, ndërsa krahas tij është ftuar dhe një portier i ri që luan në Superligën e Zvicrës me Winterthur, Jozef Pukaj.

Risi tjetër në këtë listë është mbrojtësi Jetmir Haliti që luan për Mjallbyn në Suedi, për të cilin Nacionale kishte shkruar më herët.
Arianit Ferati, Uran Bislimi, Leard Sadriu dhe Agon Sadiku janë lojtarët tjerë që do të jenë për herë të parë të grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës, ndonëse dy të parët kishin refuzuar një ftesë më herët nga FFK-ja.
Ftesë kanë pranuar edhe Jetmir Topalli që luan në Istanbulspor dhe Valmir Veliu në Gazientek, futbollistë këta që kanë dalë nga Superliga e Kosovës jo shumë kohë më parë, e të cilët tashmë kanë bërë debutimin në disa miqësore më herët për Kombëtaren.
Futbollistët si Ibrahim Dresevic – Fatih Karagmuruk, Lirim Kastrati(mbrojtësi) – Ujpest , Donat Rrudhani – Young Boys, Blendi Idrizi – Jahn Regensburg, Toni Domgjoni - Vitesse e Lirim Kastrati(sulmuesi anësor) – Fehervar, tashmë janë paraqitur disa herë dhe thirrja e tyre për këto dy miqësore nuk është befasi.

Emrat e mëdhenj, siç janë Vedat Muriqi, Arbër Zeneli, Edon Zhegrova, Milot Rashica e shumë të tjerë, nuk janë ftuar në këto miqësore, pasi që qëllimi është t’i jepet hapësirë lojtarëve të rinj me potencial për të bërë vend në eliminatoret e ardhshme.
