Armend Thaqi lartësohet si lojtari më i mirë vendor, por pse Kosova s'e thirri? - NACIONALE

Armend Thaqi lartësohet si lojtari më i mirë vendor, por pse Kosova s'e thirri?

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Armend Thaqi thotë se e pranon vendimin befasues të trajnerit Alain Giresse për të mos e thirrur atë për dy ndeshjet miqësore të Kosovës këtë muaj, duke thënë trajneri vendos. Por ai shihet si lojtari më i mirë vendor, pra pse s’u thirr atëherë?

Mbrojtësi i kampionit të Kosovës Ballkanit, Thaqi pritej të ishte në mesin e futbollistëve të Superligës vendore që do të ftoheshin nga Giresse për ndeshjet testuese të Kosovës kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe më 16 dhe 19 nëntor, përkatësisht, në Prishtinë.

Por ai ishte mungesa befasues në listën e publikuar të premten nga trajneri francez, pjesë e së cilës janë katër futbollistë nga liga vendore, përfshirë dy të Ballkanit.

I pyetur nga Nacionale për vendimin befasues të Giresse, Thaqi nuk deshi të flasë shumë, duke thënë se i takon trajnerit të vendosë.

“Secila ftesë që vjen për vendin tënd normal që është e mirë. Edhe unë do ndihesha shumë mirë, mirëpo është selektori ai që vendos dhe duhet me pranuar çdo vendim që merr ai”, tha Thaqi për Nacionalen.

Për shumë, mungesa e 30-vjeçarit është tejet befasuese, duke e parë formën e tij në Superligë dhe në Evropë këtë sezon, si dhe duke e ditur se mbrojtësit kryesorë anësorë nuk janë thirrur fare.

Thaqi ka qenë dukshëm lojtari më i mirë vendor këtë sezon, pasi e frymëzoi Ballkanin drejt kualifikimit në Ligën e Konferencës, duke e bërë atë klubit e parë kosovar që siguron pjesëmarrjen në një garë evropiane.

Ai ishte lojtari më i mirë në skuadrën e Ilir Dajës gjatë fazës grupore në garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian, me tri gola dhe dy asiste në gjashtë ndeshje.

Në Superligë, ai i ka shënuar dy gola dhe pesë asiste në 12 ndeshje deri tani, që e bëjnë atë lojtarin më në formë në vend.

Për mosthirrjen e Thaqit pati ankesa edhe në shtator, kur Kosova e përfundoi në mënyrë zhgënjyese edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Por mungesa e tij në Kombëtare, për të cilën ai i ka dy paraqitje në miqësore në vitin 2021, mund të jetë e kuptueshme dhe mund të ketë të bëjë me moshën e tij, sepse Thaqi është 30-vjeçar dhe Giresse ka ftuar lojtarë shumë të rinj në moshën për miqësoret e këtij muaji.

Lojtari më i vjetër i ftuar nga Giresse në këtë grumbullim është Jetmir Haliti i Mjallby, i cili është 26-vjeçar, ndërsa mosha mesatare e lojtarëve të ftuar në këtë grumbullim është rreth 24-vjeçare.

Ndeshjet e nëntorit janë parë si një mundësi për Giresse të gjejë lojtarë mjaftueshëm para grumbullimeve të rëndësishme që nisin në mars, kur Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024.

Verdhekaltrit janë pjesë e Grupit I bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Andorrën dhe Bjellorusinë.

Lajme të ngjashme