Korenica vuri në pah vizion mbresëlënës të lojës ndaj Sivassporit, statistikat e detajuara e dëshmojnë këtë gjë
Dje, Meriton Korenica ishte prej lojtarëve më të dalluar të Ballkanit në fitoren 3:4 ndaj Sivassporit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Gazeta Nacionale ka siguruar statistikat e hollësishme të Korenicës, që dëshmojnë paraqitjen sublime të tij.
Qëkur i është bashkuar Ballkanit para dy vitesh, Merton Korenica dalëngadalë ka filluar t’i dëshmojë vlerat që ka si futbollist.
Mesfushori kreativ rahovecas pati një paraqitje tejet të mirë ndaj Sivassporit, në ndeshjen e çmendur me plot dramë dhe emocione që Ballkani ngadhënjeu në çastet e fundit, e që njëherësh ishte triumfi i parë në grupet e Ligës së Konferencës.
Përgjithësisht në fazën sulmuese të besuarit e Ilir Dajës kanë dhënë provimin që dinë të aplikojnë futboll bashkëkohor, me lëvizje të shpejtë të topit dhe me një tranzicion të vrullshëm, i cili po ia mundëson skuadrës që të jetë frytëdhënëse para portës kundërshtare.
Meriton Korenica është lojtar polivalent, por edhe me karakteristika të shumëllojshme. I aftë për ta bërë pasimin e fundit, i shkathtë për të krijuar pasime në formë trekëndëshi me bashkëlojtarët, si dhe shumë dinak dhe i saktë në goditjet e tij nga distanca dhe gjysmë distanca. Një gjë të tillë e vuri në pah edhe dje, duke shënuar me mjaft zgjuarsi brenda 16-metërshit për rezultatin 1:3.
Vlera këto që u vunë në spikamë edhe në paraqitjen e mbrëmshme. Gazeta Nacionale ka siguruar statistikat e plota dhe të detajuara të mesfushorit elegant, të cilat më së miri pasqyrojnë cilësitë që ngërthen ai si futbollist.
Vizion dhe teknikë për lakmi
Mungesat te Ballkani ishin vërtet të shumta. Veçanërisht ajo e Gripshit druhej se mund të ndikonte shumë në dëmtimin e hallkës së lojës sulmuese, me theks të posaçëm te faza e ndërtimit të aksioneve në pjesën e tretë të fushës.
Meriton Korenica ishte ai që mori më së shumti levat e skuadrës në duar për të mos rënë nga identiteti i lojës që tashmë ka krijuar, duke prodhuar volum loje, përmes pasimeve shpesh edhe me një prekje që kanë për qëllim daljet e shpejta përmes anësorëve.

Për më tepër, ai shënoi një gol jetik për ekipin e tij në minutën e 66-të, duke shfrytëzuar mjaft mirë topin e pranuar nga Armend Thaqi. Goditja e tij tejet e saktë nga një pozitë që nuk ishte shumë e favorshme, ndihmoi që Ballkani të kalonte në epërsi prej 1:3, në një moment kur Sivasspor ishte më aktiv në aksionet e veta sulmuese sesa që kishte demonstruar më herët gjatë ndeshjes.
Gjithsesi, paraqitja e tij nuk u kufizua vetëm me golin e shënuar, e që ishte i dyti në fazën e grupeve. Siç dëshmojnë statistikat e hollësishme të siguruara nga Gazeta Nacionale, nga këmbët e Meriton Korenicës 31 aksione të ndërtuara rezultuan të sakta.
Ai nuk pati mesataren më të lartë të mundshme të pasimeve të sakta (67%), por njëherësh nuk ishte edhe konservator në shpërndarjen e topave, duke synuar shpesh që ta gjente thellësinë.
Madje, mbi 1/3-ta e pasimeve u koncentrua në fazën sulmuese. Thënë ndryshe, nga 10 përpjekje të Korenicës për të pasuar në fazën sulmuese, 7 herë rezultoi i saktë, me një mesatare të saktësisë prej 70%. Kjo mesatare ishte e 100% në pjesë të parë, ku nga 5 herë sa bëri pasime vertikale, të gjitha ishin të sakta.
Ndërkaq pjesa tjetër e pasimeve nga 25-vjeçari u koncentrua 7 herë horizontalisht, duke llogaritur edhe diagonalet (57% i saktë) dhe 6 mbrapa (83%).
Shpesh ndjekësit e futbollit në Kosovë kanë shfaqur doza të neverisë karshi lojtarëve vendorë për shkak të mos qenit të guximshëm për të kërkuar pasime përpara, por gjithmonë duke provuar që të shkojnë në versionin më të sigurt, me pasime mbrapa. Në rastin e ndeshjes së djeshme, siç tregojnë të dhënat e siguruara nga Gazeta Nacionale, në pjesën e parë ai bëri vetëm dy pasime mbrapa shpinës së vetë, çfarë flet shumë personalitetin dhe sigurinë që ka si mesfushor.
Këtë më së miri e demonstron fakti që ishte tejet i saktë në pasimet që bëri në 30 metrat e fundit të fushës, me një mesatare prej 3 pasimeve të qëlluara nga 4. Edhe këtu në pjesë të parë pati mesatare të 100%, me 3 pasime nga 3 të sakta. Pasimet e tij mundësuan që Ermal Krasniqi shpesh të krijonte superioritet numerik ndaj kundërshtarëve me driblime një kundër një.
Në fakt, pikërisht Ermal Krasniqi dhe Albion Rrahmani ishin ata që më së shumti pranuan pasime sa herë që Korenica u vu në kontakt me topin.
Kualiteti i tij nuk reduktohet vetëm në zhdërvjelltësinë për të qenë truri i ekipit me anë të shpërndarjes së topave që vendosin në siklet mbrojtjen kundërshtare.
Ashtu siç u pa edhe në ndeshjen e mbrëmshme, ai ka një teknik të rafinuar në driblime. Vetëm Arbër Potoku kishte mesatare më të mirë sa i përket përpjekjeve për të dribluar (4/4).
Në rastin e Korenicës, ai në 5 nga 7 raste sa provoi depërtimin në mesin e kundërshtarëve turkë, rezultoi i saktë. Në veçanti në pjesë të dytë rriti ndjeshëm këtë tipar, duke qenë i pandalshëm me një mesatare prej 4 nga 5 depërtime të sakta.
Niveli që po tregon, posaçërisht gjatë këtyre muajve të fundit, është treguesi më i mirë për kalitjen enorme që ka bërë si futbollist.
Falë paraqitjeve të tij dhe të bashkëlojtarëve të tjerë, Ballkani me të drejtë nuk dëshiron të ngopët vetëm me pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës, ashtu siç potencoi edhe vetë Armend Thaqi në prononcimin e tij pas përfundimit të ndeshjes.
Të enjten do të zhvillohet ndeshja tjetër kundër Sivassporit, vetëm se kësaj radhe kampioni kosovar do të jetë në cilësinë e nikoqirit. Ndërkohë, klubi ka njoftuar se ka nxjerrë në shitje biletat dhe ato mund të blehen online (këtu).
Deri atëherë, skuadra e udhëhequr nga Ilir Daja kryeson në grupin G, aty ku të gjitha skuadrat ndajnë numrin e njëjtë të pikëve: 4 sosh.

Këtë renditje e ndihmoi shumë edhe fitorja e djeshme e ekipit turk Cluj kundër Slavia Prahas në shtëpinë e kësaj të fundit, duke e mposhtur me rezultat 0:1.


