Paralajmëroi për koston ekonomike të luftës, shkarkohet ekonomisti i lartë rus
Andrey Klepach, njëri nga ekonomistët më të njohur në Rusi, është zëvendësuar si kryeekonomist i bankës kombëtare zhvillimore pak pas publikimit të një fjalimi ku ai raportohet se tha që ekonomia e Rusisë po dëmtohet nga lufta në Ukrainë.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, konfirmoi të dielën se Klepach “nuk e mban më pozitën e kryeekonomistit në VEB”, që është njëra nga bankat më të mëdha në Rusi, por nuk tregoi ndonjë arsye për largimin e tij. TASS shtoi se një kandidat i ri është përzgjedhur dhe do të emërohet së shpejti, transmeton televizioni CNN.
Ky njoftim erdhi dy ditë pasi gazeta e pavarur ruse, “The Moscow Times”, publikoi pjesë të një fjalimi që Klepach e kishte mbajtur në maj në një forum të ekonomistëve dhe akademikëve, i njohur si Klubi Nikitsky.
Sipas kësaj gazete, Klepach paralajmëroi se Rusia “po e humb konkurrencën teknologjike dhe ekonomike globalisht” dhe se nuk do ta fitojë luftën për qa gjatë sa Ukraina e ka mbështetjen financiare nga fuqitë perëndimore. “Unë jam pothuajse i sigurt se do të ballafaqohemi me një krizë sociale”, raportohet të ketë thënë ai.
Televizioni CNN i ka kërkuar koment bankës VEB.
Komentet e Klepach-ut dhe largimi i tij nga pozita shërbejnë si përkujtues të kritikave të brendshme ndaj presidentit Vladimir Putin, kur lufta në Ukrainë po vazhdon, si dhe e kostos që e bartin ata që flasin haptazi kundër politikave të tij.
Klepach theksoi se lufta e Rusisë në Ukrainë ka zgjatur më shumë se lufta e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste dhe “ende nuk shihet fundi në horizont”.
Sipas tij, sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse, sanksionet perëndimore dhe shkalla e lartë e interesit po e pengojnë rritjen ekonomike të Rusisë.
Nga maji, kur Klepach e mbajti fjalimin, Ukraina i ka shtuar sulmet ajrore kundër infrastrukturës ruse në atë që duket si përpjekje për t’ua dërguar në atdhe luftën rusëve të rëndomtë dhe për ta shtyrë elitën biznesore të vendit që ta kërkojë përfundimin e luftimeve.