‘The Rise of Evil’: nëntë vjet pa pranga
Edhe si kryeministër teknik, Kurti ia doli ta bënte ‘panël’ shtetin e Kosovës. Përkundër ftesave të vazhdueshme që i refuzoi me arrogancë, Gjykata Themelore e Kosovës nuk pati zemër ta sillte për zhelesh për t’u intervisuar në Prokurorinë Speciale. Edhe dy gjobat e shqiptuara për këtë akt defiance (250 euro secila), Kurti i ka apeluar. Ai ka shkuar edhe më larg sesa eksponentët e Listës Serbe. Këta të fundit, së paku këtë vit, i janë përgjigjur ftesave të Prokurorisë.
17 gusht 2026 – Në kalendar janë bërë 8 vjet, 8 muaj e 21 ditë që kur Albin Kurtit ju lidhën duart për të mbramën herë.
Deri në mëngjesin e 24 nëntorit 2017 kur u arrestua, deputeti i Vetëvendosjes e kishte shpërfillur çdo urdhër për paraqitje para institucioneve të drejtësisë.
Sapo Apeli e mëshiroi duke e nxjerrë nga paraburgimi, Kurti e mori me tallje arrestin shtëpiak.
Ca ditë më vonë, në mbrëmjen e 27 nëntorit, ai doli i shpenguar midis Prishtine pranë militantëve të tij që po kremtonin fitoren e partisë në kryeqytet.
Ky do të ishte arrestimi i fundit për të, por jo edhe heqja e tabiatit të tij për të pështyrë në fytyrë shtetin ligjor.
Kryeministri që i kërkoi duel Prokurorisë Speciale, Gjykatës dhe Policisë
I pashtruar ndaj ftesave të organeve të rendit edhe si kryeministër, Kurti ia doli ta gjunjëzonte sistemin e drejtësisë.
Nga dhjetori i 2024-s, ai i bishtnoi secilës ftesë të Prokurorisë Speciale për të qenë ‘ispat’ në hetimin e njërit prej keqpërdorimeve më të rënda të pasluftës.
Lënda që në Prokurorinë Speciale ishte fashikullizuar me numrin ‘PPS.nr.62/2023’ nxirrte zbuluar malverizime me rezervat shtetërore.
I thirrur në cilësinë e dëshmitarit, Kurti ktheu mbrapsht secilën ftesë.
Aq i fortë ndihej me këto refuzime sa edhe do ta indulgonte veten në provokime të padëgjuara.
Me një çehre që e përshkonin grimasat e një zgërdhirje djallëzore, Kurti iu kërkoi duel prokurorëve.
Sipas tij, ata duhej t’i shkonin në zyrë
për intervistim nëse do të kishin guxim.
As urdhri i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin obligohej që të paraqitej në cilësi të dëshmitarit, nuk e prishi terezinë njeriut që nuk po i nënshtrohej shtetit ligjor.
Në të vërtetë, urdhri i Gjykatës nuk i lëvizi policët që t’i binin punës pas.
250 euro gjobë për njeriun që e tall shtetin
Kjo defiancë e njeriut që teknikisht ishte veçse kryeministër në detyrë e pajisi atë me imunitet nga ndjekjet penale.
Dështimi i shtetit përballë atitudes anarkiste u pasua me dy konsekuenca krejt qesharake – Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi dy herë me nga 250 euro nonshalancën e Kurtit.
Por, edhe kjo gjobë u apelua në Gjykatë pas ankesës së bërë nga kryetari i Vetëvendosjes.
Pas aktakuzës së ngritur më 12 nëntor të vitit të kaluar, Kurti doli fitimtar përballë Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore që nuk e bënë zap sa për ta marrë dëshminë e tij.
Në këto rrethana ra për tokë ideali frymëzues se të gjithë janë të barabartë para drejtësisë.
Poshtërimi i krejt shtetit përballë një kryeministri teknik e çoi selamin se drejtësia nuk është një petkë standarde për të gjithë.
Ajo ishte aso që qepet ndryshe-ndryshe, dhe Policia e Kosovës nuk u pa ta detyronte Kurtin as në shtëpinë e tij në Taslixhe e as kur zgërdhihej midis ‘aktiviteteve’ ditore që organizoheshin në kohën kur duhej të ishte në Prokurori.
Si Lista Serbe, por me një përjashtim...ajo i përgjigjet ftesave të Prokurorisë
Në rrethanat kur nuk ka asnjë ‘bir nane’ që e sjell Kurtin para drejtësisë, madje as si dëshmitar, e vetmja që mund të bëhet është një historik për të si një sfidues klinik i shtetit.
Rekordi i zi i Kurtit nuk është vetëm shpërfillja ndaj çdo nocioni për shtet ligjor, por edhe në diçka tjetër.
Sjellje të ngjashme patën manifestuar edhe zyrtarë të Listës Serbe, përfshirë ish-kryetarin e saj Goran Rakiq, nënkryetarin Igor Simiq apo deputetin Slavko Simiqin.
Në qershor të 2022-s, Prokuroria Speciale i ftoi për t’u intervistuar për shkelje të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në një akt të hapur rebelimi, kjo parti e nxori një afish me anë të së cilit bëhej me dije se ata nuk do t’i përgjigjeshin Prokurorisë.
Dhe komunikata tutje stivonte arsyetimet e njohura për “persekutim të pastër politik”.
Kur Prokuroria Speciale vjet parashtroi kërkesë para Gjykatës Themelore në Prishtinë që të lëshohej urdhërarrest për Rakiqin, ky i fundit e imitoi Kurtin në refuzimin e ftesave.
Por ndryshe nga Kurti që jepte arsyetime banale për mosparaqitje, Rakiqi së pari herë ishte arsyetuar se kishte probleme shëndetësore, por dy ftesave të radhës nuk iu kishte kthyer fare përgjigjje.
Në të tjera raste, si për shembull për atë të ‘falsifikimit të dokumenteve’, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë shkuar deri në atë ekstremitet sa Kurti.
Duke qenë të pandehur, Igor Simiqi, Ivan Todosijeviq e Vasilije Tomasheviq janë paraqitur vetë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
I pari u deklarua publikisht, kurse dy të tjerët u mbrojtën në heshtje.
Vetëm prangat i merrte vesh...
Pa kurrfarë konsiderate ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës, Kurti kishte qenë i tillë edhe para se të bëhej kryeministër.
Në mëngjesin e 24 nëntorit 2017, Policia e Kosovës u desh me forcë ta arrestonte në hyrje të Kuvendit të Kosovës.
Bashkë me dy koleget e partisë, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, Kurti nuk i kishte dhënë pesë pare për t’u paraqitur në seanca gjyqësore ku akuzoheshin për hedhjen e gazit lotsjellës në institucione.
Gjykata asohere ia caktoi 30 ditë paraburgim, të cilën një ditë më vonë Apeli e ndryshoi në arrest shtëpiak.
Por, Kurti qëllimisht do ta provokonte shtetin duke e refuzuar masën e vendosur nga Gjykata.
Tri ditë më vonë, ai u vu në pranga përsëri sepse Kurti doli haptas midis sheshi kur militantët e tij po e festonin fitoren e Vetëvendosjes në Prishtinë e Prizren.
Nata e zezë e 12 tetorit 2015
Historitë me gaz lotsjellës e akte dhune midis Kuvendit të Kosovës qëndrojnë pas arrestimeve të tij.
Pavarësisht dëshmive të panumërta inkriminuese – seancat transmetoheshin drejtpërdrejtë – Kurti nuk donte t’ia dinte për ftesat e Prokurorisë.
Ai, madje, i jepte vetes lirinë që të shkonte edhe në Maqedoni për të mbajtur ‘tubime’.
Por, Policia e Kosovës mbrëmjen e 12 tetorit, rreth orës 21:00, e ndaloi pak para se të hynte në Prishtinë makinën ku ndodheshin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Orët pasuese do të bëheshin skena të një prej gjullurdive më të mëdha në Kosovën e pasluftës.
Pas një thirrje të Sekretarit Organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, qindra militantë do të përpiqeshin ta merrnin ligjin në dorë.
Turma e dhunshme ishte nisur nga zyra e partisë te ‘Qafa’ në Prishtinë drejt Stacionit qendror të Policisë.
Duke e sulmuar ngrehën e stacionit policor, militantët përdorën gurë, shishe molotovi e fishekzjarre.
Dhuna doli më e fuqishme sesa vetë shteti pasi disa orë pas arrestimit Kurti do të lihej i lirë.
Midis brohoritjeve të turmës huligane, Kurti do ta lunate triumfatorin duke u tallur në kurriz të hetuesve të Departamentit për Krime të Rënda.
“Unë ju falenderoj të gjithë juve për këtë demonstratë të fuqishme kundër Zajednicës për lirimin tim”, iu drejtua turmës së entuziazmuar që rrugën ‘Luan Haradinaj’ e kishte kthyer përmbys.
Robin Hood-i
Nuk ishte thënë që Kurti ta mbyllte me kaq poshtërimin e shtetit.
Një muaj e diçka më vonë, deputetit të Vetëvendosjes i dukej vetja Robin Hood.
Pas refuzimeve të vazhdueshme, Gjykata Themelore e Prishtinës lëshoi fletarrest.
Por kur pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës ngjitën shkallët për në apartamentin e tij në rrugën ‘Svetozar Markoviq’, ai kishte ikur prej kohësh nga aty.
Ai ishte vetëm njëri nga katër deputetët që ngarkoheshin me disa vepra penale njëherish (Albulena Haxhiu, Donika Kadaj—Bujupi dhe Faton Topalli).
Tekqë për javë të tëra seancat e Kuvendit të Kosovës frymëziheshin prej gazit lotsjellës, Kurti me kompani ngarkoheshin me veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” (sipas nenit 375 të Kodit Penal të Kosovës), “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” (sipas nenit 409), si dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” (sipas nenit 365 të po të njëjtit kod).
Për javë të tëra, ai kishte qëndruar në arrati dhe larg dorës së shtetit, duke u fshehur në shtëpitë e aktivistëve – asokohe ishte përfolur në formë dyshimi se Kurti qe fshehur në Gllogjan te Haradinajt, me të cilët ishte në aleancë opozitare.
Jorastësisht, Kurti ishte bërë i gjallë në protestën e mbajtur më 28 nëntor 2015 si bashkëndërmarrje e tri partive opozitare.
Me një veprim të papritur, me të cilin kishte alienuar dy partitë aleate, AAK-në dhe Nismën, Kurti ishte bërë ‘ylli’ i protestës.
Nga një i arratisur, i dalëligji, ai kishte mbajtur një fjalim plot patos me të cilin, ndër të tjerash, e kishte bërë për pesë pare edhe “flamurin lara-lara”.
Siç shihet nga videot e asaj dite, duke qenë në dijeni se Policia do ta arrestonte, rreth Kurtit ishte bërë një kordon me trupat e militantëve të tij për të shmangur arrestimin.
Me këtë ‘blindim’ njerëzor, ai ishte përcjellë nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ gjer të rruga ‘UÇK’ ku asokohe ishte selia e Vetëvendosjes.
Një model i keq shoqëror
‘Rebelimi’ i Kurtit ndaj çdo sharti ligjor shkon përtej historisë së një politikani me identitet të krijuar në konflikt e animozitet.
Ai u bë një fusnotë në rrëfimin sesi drejtësia në Kosovë po e humb betejën edhe për arsye të tjera, përveç atyre strukturore.
Identitete të caktuara politike e duan ‘drejtësinë’ veç kur ajo shënjestron të tjerët, por jo edhe kur ajo u kërkon llogari të gjithëve.
Refuzimi i përhershëm i Kurtit ndaj ftesave të Prokurorisë e Gjykatës mund të jetë inkurajim për secilin ligjshkelës, nga delikuentët e veprave të lehta deri te ata me rekorde kriminale.
Kur kapos së krimit të organizuar në veri, Milan Radojiçiq, i kërkohet ‘koka’, ai shumë lehtë mund të përvijojë shembullin e kryeministrit Kurti për ta refuzuar gjer në mosnjohje drejtësinë e shtetit të Kosovës.
Madje, Kurti ka dhënë edhe një tjetër model ters.
Nëse ai i ka refuzuar me vetëdije të gjitha ftesat e organeve të rendit, ai ka qenë kurdoherë i gatshëm për të bërë apele.
Vjet, ai e apeloi gjobën e tij 250 euroshe, kurse më 2015 ushtroi padi penale ndaj policëve që ‘padrejtësisht’ e arrestuan. /Nacionale/