Trajneri i Sivassporit: Ballkani është skuadër e mirë, por është e trishtë të humbësh kështu në shtëpi
Trajneri i Sivasspor, Riza Çalimbay, ka komentuar humbjen e sotme ndaj Ballkanit me rezultat 3:4 në Ligën e Konferencës.
Çalimbay ka thënë se asgjë nuk ka shkuar mirë për skuadrën e tij dhe se nuk ka mbetur ndonjë lojtar në mbrojtje që nuk ka bërë ndonjë gabim defansiv.
“Nuk ka mbetur ndonjë lojtar që nuk ka bërë gabime individuale në mbrojtjen tonë. Nuk kemi problem me shënimin e golave. Ne shënojmë gola. Mirëpo edhe kaq gola sa i shënuam nuk mjaftuan për këtë ndeshje”, theksoi ai.
Sipas tij ndeshja e sotme mund të fitohej lehtë nga skuadra e tij nëse do të mënjanoheshin disa gabime individuale, të cilat, gjithmonë në vlerësimin e tij, vetëm se u shtuan sot.
“Gabimet individuale janë rritur në këtë ndeshje. Ishte një sfidë që mund ta fitonim lehtë, por fatkeqësisht kemi pësuar gola të këqij. Po pranojmë gola të kotë. Kur barazuam 3:3, kemi mundur që ta vlerësonim edhe mbrojtjen e rezultatit, por sërish pësuam një gol kot. Kemi pësuar gola të vrazhdë dhe kemi gabuar po ashtu raste për shënim”, nënvizoi ai.
Sidoqoftë, trajneri turk nuk e la pa e përgëzuar edhe Ballkanin, të cilin e vlerësoi si skuadër të mirë: “Kemi mundur ta mbyllnim më mirë ndeshjen, por kundërshtari ynë është një skuadër të mirë. Megjithatë, është vërtetë e trishtë të pësosh humbje si vendës. Jemi edhe të pafat.”
Turqit nuk e kanë ndër mend të dorëzohen. Vetë Çalimbay tha se do të bëjnë më të mirën nga vetja në sfidën e kthimit ndaj Ballkanit.
“Do të bëjmë më të mirë prej veten për t’i përmirësuar problemet që kemi. Pas dy-tre ditëve kemi ndeshjen e radhës në kampionat me Basaksehir. Pastaj do të udhëtojmë në Kosovë dhe do të luajmë ndaj Ballkanit. Do të bëjmë atë që mundemi”, përfundoi ai.
Sivasspor është në krizë të thellë në kampionatin turk, duke u renditur në vendin e 17-të me vetëm 4 pikë të tubuara.
Me humbjen e sotme ndaj Ballkanit, ekipi turk ka ngelur me 4 pikë dhe varësisht nga rezultati i ndeshjes tjetër që ka filluar në ora 21:00 mes Slavia Prahës dhe Clujit – do të mësohet se në çfarë pozite do të jetë në fund të xhiros së tretë.
Sfida e ardhshme mes Ballkanit dhe Sivassporit do të luhet në “Fadil Vorri” të enjtën e 13 tetorit, me fillim në ora 21:00.
Biletat pritet të dalin gjatë ditëve në vijim, ku stadiumi pritet të jetë i stërmbushur me jo vetëm tifozë therandas, por edhe shumë ndjekës tjerë të futbollit nga çdo pjesë e vendit.

