Osmani e godet Kurtin për marrëdhëniet me SHBA-të: Qe 4 muaj s’ka komunikim, Serbia po ecën përpara
Vjosa Osmani, e cila para pak javësh u ul sërish në një tavolinë me Albin Kurtin, por pa gjetur sërish mundësi bashkëpunimi, e ka kritikuar këtë të fundit për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë në Kanal 10, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se, qe katër muaj, Kosova nuk ka komunikim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është shprehur përmes disa njerëzve të tyre që i kanë në disa media këtu në Kosovë, në disa media ndërkombëtare, pra është shprehur përmes njerëzve të tjerë. Tash po mburren për marrëveshjen e Bordit të Paqes, edhe për 4 njohjet që i solli presidenca.
Me ShBA-të kemi pasur plan konkret, agjendë të dakorduar për disa shtete që kanë qenë afër njohjeve, por po e shihni, këta 4 muaj nuk ka pasur asnjë afrim me ShBA-të. Nuk po shoh, nuk po flas për Ambasadën.
Shumë prej mundësive të jashtëzakonshme nuk u shfrytëzuan”, ka thënë Osmani.
Duke folur për bisedimet me Kurtin, të cilat përfunduan pa marrëveshje politike, Osmani tha se është humbur mundësia që vendi të ketë një qeveri me 80 vota.
Sipas saj, “bota po qesh me Kosovën, derisa Serbia po ecën përpara”.
“Pastaj, dallimet kanë lindur edhe te çështja e prezencës së LDK-së në qeveri, tri minitri janë një lloj dekori e jo prezencë që i ofron LDK-së që të japë kontribut për shtetin, ekspertizën e vet. VV e ka pasur një mundësi që Kosovës t’i japë qeveri me 80 vota, a e di çka do të thotë kjo kur bota po qesh me zhvillimet këtu, po e sheh si shtet të dështuar, Serbia po ecë përpara. Fatkeqësisht, Serbia po ecë përpara në relacionet me Amerikën këta 4 muaj, me Evropën, po mban raporte me Rusinë e me Kinën.
Në Kosovë, ke dhunë brenda sallës së parlamentarit, mungesë institucionesh legjitime, dhe në vend se të ishte falenderuese që ekziston një mundësi e tillë me një qeveri prej 2/3, ne s’kemi kërkuar që presidentin ta propozojmë ne dhe ata të pajtohen, kemi dashur të drejtën për propozimin e emrit…”, ka thënë Osmani.